Bytyqi: Qe kush asht përgjegjës për vrasjen e vllazënve të mi, por Vucic nuk po e dorëzon

Niëzet vjet ma parë, trupat e Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u gjetën në nji varrezë masive në Petrovo Sello të Serbisë.

Edhe pse kanë kalue dy dekada, vrasja e tre vllazënve Bytyqi që ishin edhe shtetas amerikanë nuk asht zbardhë.

Vllau i tyne, Ilir Bytyqi, ka tregue se si e ka marrë ai dhe familja lajmin e trishtë për vrasjen e tre vllazënve të tij nga forcat serbe.

“Lajmi ishte shumë i trishtë për mua dhe familjen time. Ishte shumë shumë lajm i pabesueshëm. Ne e morëm vesh nga agjencione të ndryshme dhe me ndihmën e Organizatës së të Drejtave të Njeriut”.

“Në korrik të vitit 1999, ish-ministri serb Lukiq e kishte dhënë lajmin në media se trupat e vdekur mbi varrezën masive që është gjetur në Petrovo Sello ishin tre trupat e vëllezërve Bytyqi”.

“Ata ishin identifikuar nga letrat që i kishin në xhep nga Gjykata e Prokuples që ishin dënuar me 15 vjet burgim dhe më pas ishin liruar për sjellje të mirë”.

“Një ligj që vlen në gjithë botën është që t’i lirojë personat në vendin ku janë arrestuar. Por, shteti serb nuk e zbatoi këtë ligj. Serbia i ka marrë vëllezërit e mi nga Prokupla dhe i ka dërguar në Petrovo Sello ku aty i kanë torturuar për disa ditë dhe më pas i kanë ekzekutuar”.

“Ishte lajm shumë i keq për familjen time”.

Bytyqi në nji intervistë për Klan Kosova me nji shqipe jo shumë të mirë ka thanë se ai dhe familja e tij nuk kane me u ndale tue kerkue drejtësi.

Madje, ai ka thanë se nëse nji ditë nuk ka me qenë ma gjallë, fëmitë e tij do ta kenë amanet me vazhdue me kerkue drejtësi.

“Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, ne do të ecim përpara për drejtësinë. Nuk do të ndalemi as unë dhe as familja ime”.

“Nëse nuk jam unë në këtë jetë më, djali im ose vajza ime do të vazhdojnë rrugën për të kërkuar drejtësi që kriminelët serbë të dalin para drejtësisë”.

“Ne po i përdorim të gjitha mjetet juridike dhe politike derisa të vijë drejtësia në vend dhe kriminelët të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin më maksimal që e meritojnë”.

Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi janë heroj të Kosovës dhe vazhdimisht nderohen edhe nga liderët ma të naltë institucionalë.

Por, a nderohen ata edhe në Shtetet e Bashkueme të Amerikës tue qenë se ata ishin edhe shtetas amerikanë?

“SHBA i trajton si njerëz të vlefshëm. Amerika e konsideron Kosovën si aleat shumë të afërt, ashtu si edhe Kosova Amerikën. Të gjithë në Kosovë janë pro-amerikanë”.

“Shteti amerikan i respekton vëllezërit e mi dhe janë gati të ndërmarrin edhe hapa të tjerë ligjorë që kriminelët të kapen dhe të dalin para drejtësisë”.

Sa ka arritë drejtësia – vendore dhe ndërkombëtare – me dhanë nji verdikt të duhun për krimet mizore që kanë ndodhë gjatë luftës në Kosovë?

“Besoj që Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka bërë shumë për të kërkuar që kriminelët e luftës të dënohen maksimalisht për të gjitha krimet që i kanë bërë në Kosovë gjatë luftës”.

“Kisha kontakt me disa prokurori dhe besoj që janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme. Jemi falenderues për të gjithë ata që bëjnë thirrje dhe punojnë që drejtësia të vijë në vendin e duhur”.

Ai ka akuzue edhe presidentin serb, Aleksandar Vucic, që nuk po e dorëzon Goran Radosavljevic’in, që asht përgjegjësi kryesor për këtë krim makabër.

“Presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk e ka ndërmend ta dorëzojë Goran Radosavljeviq- Guri duke e ditur pozicionin e fuqishëm që e ka me subjektin e tij politik, pasardhës të Vojsllav Sheshelit”.

“Nëse Serbia vazhdon kështu duke i mbrojtur kriminelët, si do ta dërgojë presidenti Aleksandar Vuçiq vendin e tij në të ardhmen europiane?”.

“Si do ta dërgojë Aleksandar Vuçiq Serbinë në të ardhmen europiane kur nuk mund t’i dorëzojë kriminelët e luftës si puna e Goran Radosavljeviq që e ka në krahun e tij?”.

Shperndaje në: