Portali Buzzfeed i zbulon paret e Putinit ne nacionalizmin e rizgjuem n’Europe (investigim)

Një njeri i afërt me zëvendëskryeministrin Matteo Salvini ka negociuar me Rusinë për të marrë para për fushatën e Lidhjes për zgjedhjet europiane të fund majit.

Kjo u zbulua nga Buzzfeed, që pretendon të ketë në zotërim regjistrimin e bisedave, dhe kështu shton dëshmi të reja për hetimin e Espresso’s mbi financimet ruse për Lega Nord.

Matteo Salvini dhe Gianluca Savoini ne sheshin e Kremlinit, Moske

Takimi mes të dyve ka ndodhur më 18 tetor, një ditë pas takimit të Salvinit me zëvendëskryeministrin rus Kozak (takim që nuk u shfaq në axhendën zyrtare të zëvendëskryeministrit italian).

Atë të enjte, në hotelin Metropol në Moskë, gjashtë burra – tre italianë dhe tre rusë – do të diskutonin strategjinë për të krijuar një “aleancë të madhe italiane-ruse”.

Faqja amerikane, ka marrë një audio në të cilën, Gianluca Savoini, president i shoqatës kulturore Lombardi-Rusi, afër Salvinit – mundohet të devijojë miliona euro që vinin nga nafta ruse në llogaritë e Legës.

Kjo do të shkelte ligjin italian të zgjedhjeve, i cili i pengon partitë të marrin donacione mbi 100,000 euro nga individë.

Negociatat parashikonin shitjen e 3 milion tonë karburant Eni-t për një vlerë prej 1.5 miliardë dollarë.

Megjithatë, shitësi do të kishte bërë një zbritje prej 65 milionë eurosh me çmimin e tregut, që do të paguheshin në arkat e Legës.

“Është shumë e thjeshtë,” tha një nga protagonistët italianë.

“Me një zbritje prej 4%, 250,000 plus 250,000 në muaj për një vit, ata mund të mbështesin një fushatë zgjedhore”.

Savoini pastaj vuri në dukje se shpejtësia e rusëve ishte thelbësore, sepse “zgjedhjet janë mbrapa dere”.

Por edhe nevoja për të ruajtur këtë marrëdhënie sekrete.

Pjesa tjetër e bisedës do të përqendrohej në shumat, identifikimin dhe rolin e ndërmjetësve.

Savoini ka punuar në marrëveshjen midis Legës dhe partisë së Putinit.

Ish- zëdhënësi i Matteo Salvini-t, Savoini, është shumë pranë zëvendëskryeministrit, i cili “e ka njohur për tridhjetë vjet” dhe e shoqëron çdo herë që udhëton në Rusi, gjë që ndodh shpesh.

“Ne duam të ndryshojmë Europën, një Europë të re që duhet të jetë afër Rusisë, sepse duam të kemi sovranitetin tonë”, tha Savoini për Metropol, duke iu referuar Salvinit si “Trump-i europian”.

Salvini vetë nuk ishte i pranishëm në takim, por ishte në Moskë, ku kishte deklaruar nevojën për të eliminuar sanksionet tregtare kundër Rusisë.

Buzzfeed nuk identifikoi se kush ishin tre rusët, por, nga transkriptet e bisedës, të gjendshme në faqe, është e qartë se zyrtarë të tjerë të qeverisë ishin në dijeni të negociatave.

Nuk është e qartë nëse marrëveshja përfundimisht ishte e suksesshme, por Salvini gjithmonë ka mohuar fuqimisht që ka marrë para të huaja për të financuar partinë e tij dhei kishte quajtur akuzat e Espresso-s, ‘marrina’.

Por në regjistrim dëgjohet një italian që thotë “le ta mbyllim marrëveshjen dhe pastaj jemi në rregull”, dhe një rus që përgjigjet “punë e mbaruar”.

Në një intervistë për Vanity Fair më 14 mars 2018, Savoini mohoi të kishte kërkuar fonde për Legën në kompanitë ruse:

“Është e pakuptimtë. Shoqata ime është kufizuar në organizimin e dy konferencave ku morën pjesë eksponentët rusë dhe disa sipërmarrës të interesuar për të bërë biznes atje.

Askush nuk ka kërkoi para nga dikush.”

Salvini nuk do të ishte politikani i parë i ekstremit të djathtë europian që merr financime ruse.

Marine Le Pen do të merrte një hua prej 11 milionë euro nga banka të ndryshme ruse, duke përfshirë një shumë afër Kremlinit.

Edhe Arron Banks, një nga financuesit kryesorë të fushatës pro-Brexit, kishte diskutuar me Rusinë mbi investime në ar dhe diamante.

Austriaku Heinz-Christian Strache u filmua duke i premtuar Aljona Makarowa-s, të vetëquajturit nip të një oligarku rus pranë Putinit, licensa për lojrat e fatit, shitjen e një hoteli të vjetër luksoz, kontrata për ndërtimin e një autostrade të re dhe madje edhe blerjen e Kronen Zeitung, një nga gazetat më të shitur të Austrisë.

Pas publikimit të videos, Strache u detyrua të japë dorëheqjen.

Replika e Matteo Salvini-t

“Unë tashmë i kam hedhur në gjyq në të kaluarën, do ta bëj përsëri sot, nesër dhe pasnesër: asnjëherë nuk kam marrë një rublë, një euro, një dollar, ose një litër vodke financim nga Rusia”, tha lideri i Legës në lidhje me scoop-in e Buzzfeed.

Në mbrëmje, pas samitit të qeverisë për migracionin, Salvini shtoi duke iu përgjigjur gazetarëve jashtë Palazzo Chigi-t:

“A e dini sa njerëz flasin me njerëz të tjerë? A i ka ardhur ndonjë kacidhe Ligës? Jo. Kushdo që thotë të kundërtën do të paditet.”

Për sa i përket udhëtimit në Rusi, ministri i Brendshëm kujton:

“Ato ditë kisha dhjetra sipërmarrës me vete, unë u besoj të gjithëve.

Ne kurrë nuk kemi kërkuar dhe marrë një qindarkë nga askush, as nga Kina, as nga Brazili, as nga Grenlanda.

Por ka nga ata që po kërkojnë prej vitesh miliona euro, nëse i gjejnë, mund të më bëjnë një zë”.

Dhe pastaj përsërit: “Nuk ka financime. Buxhetet janë publike, mjafton një klikim.

Savoini-t kurrë nuk i kam kërkuar të kërkojë nga ndonjë gjë.

Kur shkoj jashtë, flas për politikën. ”

A ka pasur Lega para? Nëse dëshironi të bëni të njëjtën pyetje për çerek orë, unë do t’ju jap të njëjtën përgjigje. Dhe jo, nuk besoj te komplotet.

Reagimi i Savoini’t

“Unë mundem vetëm të them se Ligës kurrë nuk i është dhënë ndonjë cent, ose rublë, nga kushdo dhe nga askush prej atyre që përmenden në artikull (të BuzzFeed-it) – tha Savoini për ANSA-n – Pjesa tjetër është vetëm blah blah blah dhe shkak për padi. Dhe në fakt, unë jam te avokati tani.”

Përshtati në shqip për TemA: Kebriona Veliaj

Shperndaje në: