Shtetet që janë kundër liberalizimit për kosovarët

Shtetet e Bashkimit Europian (BE) po vazhdojnë mos me qenë me nji za sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Derisa disa prej tyne e mbështesin hekjen e vizave, nji numër i caktuem i shteteve që janë pjesë e BE nuk po lëvizin ende nga pozicioni i deritashëm – kundër vizave.

Derisa ka komentue qëndrimet e tri shteteve të BE rreth liberalizimit, Armend Muja ka thanë se Finlanda disa herë e ka përkrahë këtë proces, porse tash simbas tij Finlanda mundet me qenë e kushtëzueme me mbajtë qëndrimin e shteteve të Bashkimit Europian.

“Finlanda në shumë raste e ka mbështetur liberalizimin e vizave me Kosovën. Sidoqoftë, aktualisht mund të jetë e kushtëzuar të mbajë qëndrim të vendeve të BE-së”, ka deklarue ai.

Kurse, Lituania dhe vendet e tjera baltike simbas Mujës e përkrahin liberalizimin e vizave dhe janë shtetet ma të përkushtueme ndaj liberalizimit dhe zgjanimit.

Por simbas tij, procesin e liberalizimit po e kundërshtojnë fuqishëm disa shtete të tjera të BE.

“Komisioni Evropian ka vlerësuar se janë përmbushur kriteret për liberalizim të vizave për Kosovën dy herë, siç e ka bërë edhe Parlamenti Evropian. Mbrapa qëndrimit ‘për plotësim’ të kritereve qëndron një kundërshtim i fuqishëm nga Holanda, Franca, Belgjika, Danimarka dhe Spanja”, asht shprehë ai për Zërin.

Ndërkohë, Taulant Kryeziu, kryetar i Bordit Egzekutiv të Institutit të Kosovës për Politikat Europiane (EPIK), ka thanë se problemi për vizat mbetet te Franca dhe Holanda.

“Duhet konsensus nacional brenda secilit vend anëtar. Liberalizimin nuk do ta fusin në agjendë derisa Franca e kundërshton. Nuk shkon Gjermania që ta shtyjë liberalizimin e vizave kur ka kundërshtim francez”, ka deklarue ai.

Simbas Kryeziut, shtetet si Finlanda nuk munden me bllokue procesin e vizave edhe nëse nuk e mbështesin këtë proces.

Kjo është një për qind e votës së përgjithshme, nuk mund ta bllokojë Finlanda, nuk është proces që Finlanda e bllokon. Nëse do të ketë ujdi gjermano-franceze për këtë punë, mendoj që ky proces ec. Franca e Gjermania përbëjnë afro 33 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së. Holanda është goxha e zëshme, ka qenë në vazhdimësi në kundërshtim të këtij procesi”, ka theksue ai.

Në Parlamentin Europian Finlanda ka 13 anëtarë, Britania e Madhe 71 ulëse, kurse Lituania 11 nga 571 anëtarë sa janë gjithsej në PE.

Shperndaje në: