Këta janë 30 personat e ftuem nga Gjykata Speciale

Së paku tridhetë persona janë ftue deri tash nga Gjykata Speciale për intervistim në Hagë. Të ftuemit, prej ushtarëve të thjeshtë e deri në majën e hierarkisë së ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësi të ndryshme kanë udhëtue e do të udhëtojnë drejt qytetit holandez m’u përgjigjë në pyetjet e prokurorëve rreth dyshimeve për krime në kohën e luftës dhe shkurt mbas saj, në Kosovë.

I pari që kishte marrë ftesën me u paraqitë para prokurorëve të Speciales ka qenë komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi. Kjo kishte ndodhë në Dhetor të vitit të kaluem, e ishte intervistue në Kallnor të vitit 2019.

Shkrimi i plotë:

Javën që po e lëmë, Specialja ka shtuar numrin e ftesave për krerët më të lartë të UÇK-së. Së fundi janë ftuar edhe Bislim Zyrapi, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, e Jakup Krasniqi, ish-zëdhënës e anëtar i SHP-së. Këta nuk kanë treguar se në çfarë cilësie janë ftuar. Po këtë javë është ftuar edhe Sokol Bashota, ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, derisa konfirmimin për këtë e ka dhënë shefi i tij partiak Kadri Veseli.

Pas ftesës së Speciales, Jakup Krasniqi ka thënë se pavarësisht se e kundërshton, do të paraqitet në Hagë. “Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike”, ka thënë ai, teksa ka treguar se do të paraqitet para prokurorëve të mërkurën e 24 korrikut.

Në grumbullin e fundit të ftesave emri i është gjendur edhe figurës së lartë politike të vendit, kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai dha dorëheqje nga posti, pasi tha se në Dhomat e Specializuara do që të paraqitet si ish-luftëtar e qytetar, dhe jo si kryeministër. “Nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’iu dal përballë shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe për stabilitetin e rajonit”, ka thënë Haradinaj, teksa ka bërë të ditur dorëheqjen të premten.

Haradinaj, Krasniqi, Zyrapi e Bashota i shtohen listës tashmë të gjatë të ish-krerëve të UÇK-së që janë ftuar e po ftohen nga Specialja. Në mesin e anëtarëve të SHP-së që janë intervistuar deri tani nga kjo gjykatë është edhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili ishte ftuar në dhjetor të vitit 2018. Selimi u intervistua në cilësinë e të dyshuarit, në Prishtinë, më 6 shkurt të këtij viti, në prani të avokatëve Tomë Gashi dhe Gregor Guy Smith.

Në dhjetor të vitit të kaluar ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale ka marrë edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku. Ai kishte zgjedhur të heshtte para prokurorëve.

“E kemi ba sot mos me fol ton ditën, e kemi mshel”, pati thënë ai.

Ish-ushtaraku i UÇK-së, Naim Maloku, u ftua më 10 korrik të këtij viti, derisa përmes një postimi në “Facebook” pati bërë të ditur se e kishte njoftuar Gjykatën se nuk mund të paraqitej për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Ndërkaq Sokol Dobruna, ish-kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, ishte ftuar më 10 dhjetor të vitit 2018. Dobruna, për dy ditë radhazi, dëshminë e tij e kishte dhënë në zyrat e EULEX-it në Prishtinë.

E ish-shefi i Policisë Ushtarake, në Zonën Operative të Llapit, Nazif Mehmeti – Dini, ftesë nga Specialja mori më 13 dhjetor. Këtë e pati konfirmuar avokati i tij, Tahir Recaj, i cili pati thënë se nuk ishte bërë e ditur se në çfarë cilësie ishte ftuar.

Shukri Buja, ish-komandant i UÇK-së për Zonën e Nerodimes, është ftuar nga Specialja në qershor të vitit 2019, në cilësinë e të dyshuarit.

Lahi Brahimaj ish-ushtar i UÇK-së, qe ftuar më 11 shkurt 2019, derisa pati deklaruar se në këtë gjykatë do të dëshmohet edhe një herë lufta e pastër e UÇK-së. Bashkë me nipin e tij, Ramush Haradinaj, Brahimaj ishte akuzuar nga Tribunali i Hagës në vitin 2004. Derisa Haradinaj bashkë me të akuzuarin e tretë, Idriz Balaj, ishin liruar si të pafajshëm, në vitin 2008, Brahimaj ishte dënuar me 6 vjet burgim.

Lista e të ftuarve nga Gjykata Speciale vazhdon me ish-pjesëtarin e UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Faton Mehmetaj, i cili në Gjykatën Speciale ka dëshmuar më 3 shkurt të këtij viti. Faton Mehmetaj ka qenë pjesë e inteligjencës së UÇK-së dhe pas luftës në TMK.

Rrahim Hashimi, ish-luftëtar i Forcave Komando Delta të UÇK-së, Brigada 138-ZOD, ishte ftuar më 27 mars 2019.

Ismet Tara, i njohur si komandant Hoxha i Brigadës 124 të UÇK-së, u ftua për të dëshmuar në Speciale më 17 janar të vitit 2019, derisa kishte thënë se “nuk pendohet për asnjë armik që e ka vrarë në fushëbetejë” dhe aktakuzat e Speciales i quajti “të pabaza dhe të përgatitura nga Beogradi”.

Remzi Shala, i njohur si “Molla e kuqe”, u ftua nga Specialja në dhjetor të vitit 2018. Ai me të marrë ftesën për të dëshmuar në këtë gjykatë qe arratisur nga shtëpia e tij në Shirokë të Suharekës, e më vonë, më 24 mars, u arrestua nga Policia e Kosovës.

Ish-luftëtari i UÇK-së, Muhamet Krasniqi, është ftuar më 20 qershor në cilësinë e të dyshuari.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Operativës së Brigadës 123 në Suharekë, Agim Kuçi, u ftua në shkurt të këtij viti në cilësinë e të dyshuarit.

Sabahudin Cena ishte ftuar më 14 janar të 2019-s në cilësinë e të dyshuarit.

Deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi, ftesën nga Specialja e pati konfirmuar vetë më 21 shkurt 2019, derisa, mes të tjerash, pati thënë se përpjekjet e Serbisë për t’i barazuar krimet e saj me luftën e pastër të UÇK-së do të dështojnë.

Bashkim Ndrecaj, ish-ushtar i UÇK-së në Suharekë, u ftua më 14 mars 2019. Ai pati konfirmuar se është thirrur në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar.

Isuf Gashi, i njohur me nofkën “Baca”, u intervistua nga Gjykata Speciale më 20 shkurt 2019.

Komandanti i Batalionit II të Brigadës 121 Kumanova, Ramiz Qeriqi, i njohur me nofkën e luftës si “Komandant Luani”, është intervistuar më 19.7.2019.

Safet Syla kishte marrë ftesë në dhjetor të vitit 2018. Në një paraqitje para gazetarëve, pas kthimit nga Specialja, ai pati thënë se nuk ka qenë i njoftuar se në çfarë cilësie është intervistuar, dhe se kryesisht është pyetur për detyrat dhe angazhimin e tij personal gjatë kohës së luftës së fundit, por jo për çështjet konkrete.

Naser Krasniqi, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u intervistua më 17 janar 2019. Ahmet Rrahmanaj e kishte marrë ftesën më 5 prill të këtij viti. Imer Imeri e kishte marrë ftesën për intervistim më 21 janar të vitit 2019.

Flamur Hoti, ish-ushtar i UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut, ishte ftuar më 24 maj 2019.

Një ftesë të tillë e ka marrë edhe një femër. Ish-ushtarja e UÇK-së, Raimonda Rreci, në janar të këtij viti, ka treguar se ka marrë ftesë nga Haga, në cilësinë, siç thotë ajo, të dëshmitarit të dyshuar. “Njoftim, me siguri e keni kuptuar në bazë të reagimeve të mia, megjithatë le të mbetet si njoftim ky shkrim. Që nga fillimi i muajit dhjetor edhe emri im është i bashkangjitur në listat e të ftuarve në Gjykatën Speciale të Hagës”, ka shkuar ajo asokohe në “Facebook”.

Me gjithë këta emra të ftuar nga Specialja, kjo me gjasë nuk është lista e plotë e të ftuarve të deritanishëm, meqë vetë Gjykata Speciale nuk njofton se kë e fton për intervistim dhe në çfarë cilësie, dhe publikimin e ftesës e bëjnë vetë të ftuarit, nëse ata dëshirojnë. Kjo do të thotë se mund të ketë të ftuar të tjerë që nuk e kanë bërë publike ftesën.

Në Raportin e ish-raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty, që ka shërbyer si bazë e hetimeve për rastet që do të gjykohen nga Gjykata Speciale, akuza për krime të ndryshme është hedhur edhe në emra të tjerë të UÇK-së, përfshirë edhe presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi./Periskopi

Shperndaje në: