Betimi i famshëm i Hipokratit, qe kush ishte ‘baba’ i mjekësisë moderne

Greqia e lashtë, cilësohet nga shumë njerëz si vendlindja e qytetnimit modern perendimor.

Grekët e lashtë, shënuen arritje befasuese në nji numër të madh fushash – nga politika dhe qeverisja, deri te praktika fetare dhe mendimi filozofik.

Ndikimi që pati kultura helene, ndihet edhe sot në të gjithë botën me figura si Arkimedi, Pitagora, Platoni, Aristoteli, Sokrati apo Homeri.

Shkrimi i plotë:

Një nga grekërit e lashtë, ndikimi i të cilit ndihet ende në mbarë botën është Hipokrati, një mjek që njihet gjerësisht si “babai” i mjekësisë moderne. Mjekësia dhe kujdesi shëndetësor, praktikoheshin prej mijëra vitesh. Atëherë, çfarë e bëri të ndryshëm Hipokratin? Hipokrati lindi rreth vitit 460 Para Erës Sonë, në ishullin Kos në Detin Egje.

Familja e tij ishte relativisht e pasur. I ati, Heraklidi, mendohej se ishte mjek, ndërsa e ëma bija e një fisniku. Falë pasurisë së familjes, Hipokrati mori një arsimim të mirë. Ai studioi fillimisht për 9 vite leximin, shkrimin, poezinë, këndimin, muzikën dhe edukimin fizik.

Më pas studioi në një shkollë të mesme për dy vjet, dhe pas kësaj vazhdoi të studiojë për mjekësi. Trajnimi i tij professional, ka të ngjarë të ketë përfshirë udhëtime nëpër Evropë, Libi dhe Egjipt, gjatë të cilave fitoi një përvojë të madhe, dhe u ndesh me probleme të ndryshme mjekësore.

Disa tekste të lashta, dëshmojnë se Hipokrati studionte me një mjek thrakas të quajtur Herodikus nga Selimbria, por edhe me babanë dhe gjyshin e tij. Më vonë, edukimi i tij vazhdoi me filozofët Demokriti dhe Gorgias. Përpara Hipokratit, sëmundja shihej si pasojë e ndërhyrjes së shpirtrave të këqij apo i mallkimit nga Zotat.

Ndonëse njiheshin metodat themelore të shërimit, ato konsideroheshin si një mënyrë për të komunikuar me Zotat, apo për të kërkuar miratimin e tyre. Hipokrati ia doli të shohë përtej kësaj mënyre primitive të të menduarit, dhe të vinte në zbatim logjikën dhe arsyetimin, kur synonte të shëronte pacientët e tij.

Ai besonte se sëmundjet duhej të kishin një shkak natyral. Ai ishte tejet profesionist në sjelljen dhe punën e tij. Në traktatin e tij me titull “Mbi mjekun”, ai shkruan se mjekët duhet të jenë gjithnjë të pastër, të qetë, seriozë, mirëkuptues dhe të ndershëm me pacientët e tyre.

Ai e vinte theksin tek vëzhgimi i imtësishëm i gjendjes së pacientëve, si dhe dokumentimin e detajuar të simptomave dhe trajtimit të tyre. Hipokrati besonte se ishte rëndësishme të mbaheshin shënime në një mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, në mënyrë që ato të kalonin tek mjekët e tjerë që mund të trajtonin të njëjtin pacient, ose tek mjekët e ardhshëm që mund të kenë një pacient me të njëjtën sëmundje.

Shumë nga normat që ai përshkroi, janë sot standardet bazë në protokollet mjekësore. Ai u maste pulsin e pacientëve të tij, për të konstatuar nëse ata kishin apo jo ethe, dhe çfarë dhimbjesh përshkruanin. Ai mbante shënime mbi historinë familjare të pacientëve të tij, dhe mjedisin ku ata jetonin.

Ai e përshkroi mpiksjen e gishtërinjve në detaje, si një simptomë të disa sëmundjeve serioze si kanceri në mushkëri apo sëmundjet e zemrës. Për këtë arsye, gjendja e gishtave të mpirë, njihet ndryshe si “Gishtat Hipokratikë”. Shkrimet e tij, e përshkruanin kështu pamjen e pacientit para vdekjes si:hunda e mprehtë, kokërdhokët e syve të tërhequr në brendësi të kokës, veshët e ftohtë dhe të tërhequr nga pas kokës, ashpërsim i lëkurës së fytyrës, dhe ngjyrë e zbehtë e saj”. Ky fenomen njihet sot si Fytyrë Hipokratike.

Në veprën e tij “Sëmundja e Shenjtë”, ai shpjegon se nëse sëmundjet do të shkaktoheshin nga dukuri të mbinatyrshme, ilaçet nuk do të kishin asnjë efekt mbi to. Ai theksonte se sëmundjet të shkaktoheshin në fakt nga gjendje e pabalancuar lëngjesh, një ide që asokohe u pranua gjerësisht në Greqinë antike por edhe në Romën e lashtë.

Hipokrati argumentoi se trupi i njeriut përbëhet nga katër elementë kryesorë – gjaku, lëngu i verdhë, gëlbaza dhe lëngu i zi. Sëmundjet shkaktoheshin nga një çekuilibër i këtyre elementëve, dhe niveli i çekuilibrit diktonte sëmundjen dhe simptomat e saj. Për shembull, një tepricë e lëngut të verdhë, besohej se shkaktonte sëmundje të “të ngrohtit”, ndërsa një tepricë e sekrecioneve, do të shkaktonte sëmundje të “të ftohtit”.

Hipokrati la pas një korpus prej 70 librash në lidhje me mjekësinë dhe praktikat mjekësore. Më i famshmi nga të gjitha tekstet, është “Betimi i Hipokratit”, një kod etik për mjekët. Etika e parashtruar në atë teskt është aq e rëndësishme, sa që “Betimi i Hipokratit”, bëhet ende sot nga mijëra studentë të mjekësisë.

Shembulli më i vjetër i mbijetesës së një betimi të tillë, daton që në vitin 275 të Erës Sonë. Sot thyerja e Betimit të Hipokratit, nuk është në kundërshtim me ligjin. Ndërkohë në të kaluarën, thyerja e betimit sillte humbjen e së drejtës për të ushtruar profesionin e mjekut ose dënime të tjera.

Dihet shumë pak mbi vdekjen e tij, por thuhet se Hipokrati ka jetuar mbi 100 vjeç. Në realitet, dëshmitë sugjerojnë se kur vdiq, ai ishte në fund të 80-ave dhe në fillim të 90-ave. Ai pati gjithsesi një jetë të gjatë dhe shumë të frytshme, dhe jetëgjatësia e tij ishte ndoshta pjesërisht falë përvojës dhe aftësive të tij si mjek. (TTnews)

Shperndaje në: