Kush asht ambasadori i ri i Britanisë në Kosovë? Ka shërbye kohë të gjatë në zonat e konfliktit

Nicholas Abbott asht emnue ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë.

Këtë e bani të ditun ambasadori i tanishëm, Ruairí O’Connell, i cili sot përfundoi mandatin e tij disa vjeçar në Kosovë.

Ai tha se Nicholas Abbott, asht diplomat me përvojë dhe i aftë.

Por, kush asht Nicholas Abbott?

Ai asht i martuem dhe ka dy çika, i specializuem në fushën e diplomacisë, Abbott ka shërbye në misione të ndryshme diplomatike që nga viti 1986.

Ndërsa, nga viti 2010 deri në vitin 2012 ai ishte këshilltar politik në Bagdad, për me vazhdue mandej nji vit si Zavendës-shef në Zyrën për Marrëdhanie me Jashtë të Britanisë në Drejtorinë e Evropës, Departamenti i Mesdheut.

Nga viti 2013 deri në 2014, Abbott ka shërbye përsëri në Zyrën për Marrëdhanie me Jashtë si Shef i Ekipit për Sirinë, në Njisinë për Stabilizim – ndërsa tanë vitin 2014 ka shërbye në po të njajtën zyrë si Zavendësshef në departamentin e konflikteve.

Nga viti 2014 deri në vitin 2015, Abbott ka qenë zavendësshef i Misionit të Britanisë në Algjeri.

Për 3 vjet me radhë, nga viti 2015 deri në vitin 2018 – Abbott ishte Drejtor i Programit në Departamentin Qendror të Operacioneve – Drejtoria për Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme.

Ndërsa, në vitin e fundit 2018 – 2019, Abbott asht fokusue në nji trajnim gjuhësor me kohë të plotë në gjuhën shqipe.

Abbott ka me marrë detyrën e tij të re si ambasador i Britanisë në Kosovë gjatë muejit Shtator.

Ndërsa, ambasadori në shkuemje i Britanisë, Ruari O’Connell ka porositë kosovarët me i urue ngrohtësi dhe miqësi ambasadorit të ri.

Kudo që të shkoj, gjithmonë do të jem mik i Kosovës. Kam vetëm një kërkesë miqësore, nëse ma lejoni. Pasardhësi im, Nicholas Abbott, është diplomat me përvojë dhe i aftë”.

“Ju lutem që edhe atij dhe familjes së tij t’u jepni mirëseardhjen e ngrohtë dhe miqësinë që ma falët mua. Jam i sigurt se së shpejti do të bëheni miq të ngushtë”, ka shkrue në Facebook. O’Connell.

Shperndaje në: