A duhet t’ju besojmë?

Politika nëpërmjet derivacioneve të saj të quajtur parti politike, i qaset qytetarit në formën më të butë të mundshme, duke i ofruar ‘diçka’ në mënyrë që të marrë besimin e tyre. Kuptimet e këtij termi edhe pse përkojnë me shumë përdorime, nënkuptimet që marrin s’do mend se ndryshojnë  duke qenë të papërfillshme. Nëse thuhet ‘besoj se këta qeverisin më mirë’ dhe po ashtu nëse thuhet se ‘shpresoj se këta qeverisni më mirë’, në këtë kuptim, mund të thuhet se termi ‘besim’ në një kuptim mbart në vete një konotacion shumë më të fuqishëm se sa termi ‘shpresë’. Nëse këtë e përkthejmë në diskursin e partive politike, të cilat e kanë filluar fushatën parazgjedhore mbi këto dy koncepte, shohim se njohuritë e tyre nuk e kalojnë rrafshin e ‘njohurive sipërfaqësore’.

Gjatë fushatave zgjedhore apo edhe atyre parazgjedhore, subjektet apo partitë politike mbështeten për të ndërmarrë një veprim konkret për aq sa ai veprim i tyre është në përputhje të plotë me pritshmërinë e qytetarëve. Në mënyrë që kjo të ndodhë, subjektet politike duhet të ndërmarrin hapa që të krijohet kjo rrethanë e favorshme për të krijuar besimin. Këtu shumica e subjekteve politike e kanë bërë huqjen tashmë, sepse ato janë të varura më shumë tek koncepti i ‘shpresës’. Këtë e kanë bërë edhe kauzë të tyre politike, ndërsa nuk kanë arritur të shpërfaqin besimin në raport me qytetarin, pra, kjo vë në pah se edhe vet subjekteve politike u mungon besimi në kauzën e tyre, andaj edhe kanë marrë për bazë konceptin e shpresës. Kurse koncepti i ‘lidhjes’ i përdorur në fushatë parazgjedhore e ka edhe kuptimin e ‘ofrimit’ të subjektit politik për të krijuar mundësinë e krijimit të qeverisë pas procesit zgjedhor.

Fatumi i dikurshëm apo risku, do të jetë ai i cili do t’i përcjell subjektet politike përballë ofrimit të ‘diçkaje’ në këmbim të besimit të qytetarëve, pra, në këmbim të votës. Po ashtu, partitë politike të cilat do të arrijnë të marrin besimin e qytetarëve dhe që do të dinë ta përkthejnë atë në ‘marrje’ të pushtetit, pa dyshim se do të përcillen edhe nga një risk tjetër, ai i përmbylljes së temës së madhe, pra ta përmbyllin procesin e dialogut me Serbinë me njohje reciproke. Nuk është shpresa, por besimi ai i cili presupozon vetëdijen për rrethanat e riskut, ndërsa vetëbesimi nuk e gëzon këtë. Sikurse besimi, po ashtu edhe vetëbesimi, i referohen pritshmërive, ndërsa këto pritshmëri dinë të jenë zhgënjyese, por edhe shkatërruese.

Militantët partiak zakonisht kanë shumë vetëbesim, ndërsa qytetarët të cilët nuk janë të përfshirë direkt në politikëbërjen e partive politike apo nuk janë të përfshirë në aktivitetet e tyre, mund të kenë besim tek ndonjëri subjekt politik më shumë se sa tek tjetri, krejt kjo vije jo si rezultat i preferencave, por, si rezultat i reflektimeve të tyre në raport me atë se çfarë ofrojnë ato subjekte. Në këtë kontekst qytetarët mund të kenë besim në pritshmëritë e tyre të cilat nuk do të jenë zhgënjyese për ta.

Të paktën atë se çfarë mund të bëjnë qytetarët në këtë drejtim është, që të zvogëlohet rreziku i pritshmërive të tyre. Kjo do të thotë të ‘investohet’ me anë të votës në ato subjekte politike të cilat ofrojnë ‘besim’ në kauzën e tyre, e jo shpresë, sepse kjo nuk qon askund përveç në rrënim të pritshmërive të tyre.

Shperndaje në: