“Komunist, ministër i Rrahman Morinës, e keqja e LDK’s”: Kandidatët për deputetë nga LDK që e kundërshtuen fuqishëm liderin

Sa herë që ka mospajtime mbrenda subjekteve politike, autoritetet thonë se bahet fjalë për demokraci të mbrendshme dhe se zani kritik duhet me u ndigjue. Por, Lidhjen Demokratike të Kosovës për gjatë këtyne viteve pos zanit kritik e shoqnuen e po e shoqnojnë shumë fyerme e akuza në drejtim të liderit Isa Mustafa.

Shkrimi i plotë në Lajmi.net:

Ata kanë mospajtime të thella me liderin e tyre. Shpesh kanë shkuar deri në akuza e fyerjet më ekstreme. Isa Mustafa ka vendosur të “përpijë” sharjet e akuzuat që i janë bërë përgjatë viteve nga njerëzit e LDK-së.

Melihate Tërmkolli, Fatmir Rexhepi, Muhamet Hamiti, Adem Salihaj, Rexhep Gjergji janë në listën e LDK-së për deputet. Ata së bashku me liderin e listës, Vjosa Osmani mendonin që Isa Mustafa është e keqja e LDK-së, shkruan lajmi.net.

Madje, Melihate Tërkolli para pak ditëve u tregua më e ashpër ndaj Mustafes se sa vetë kundërshtarët e partive tjera politike.

Tërmkolli, ishte shprehur e zhgënjyer pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, ku Isa Mustafa u rizgjedh kryetar i partisë.

Në një prononcim para gazetarëve, e ka quajtur atë ministër të Rrahman Morinës.

“Mund të them me keqardhje, sot ndodhi një veprim shumë i rëndë, që as në komunizëm nuk është vepruar kështu. Isa Mustafa është ministër i Rrahman Morinës, me këta njerëz Kosova nuk shkon përpara. Iu pamundësua kandidimi Fatmir Sejdiut dhe ndoshta edhe të tjerëve, është metodë që e kanë përdorur edhe më herët”, ka thënë Tërmkolli para medieve.

Njeri ndër njerëzit më të afërt të Ibrahim Rugovës, Muhamet Hamiti i është rikthyer LDK-së si kandidatë për deputet pas shumë qëndrimeve kritike që pati ndaj strukturave udhëheqëse të saj, në krye me Mustafen.

Para dy viteve, Hamiti duke sulmuar qartas kreun aktual të LDK, Isa Mustafa, kishte thënë se partinë e kanë vërshuar komunistët. Ai kishte sugjeruar se LDK-së duhet t’i kthehet rugovizmit.

“Ky dekomunistizim i shoqërisë dhe i shtetit të Kosovës duhet të fillojë. Mundësia është tani. Mallkimit komunist duhet t’i vijë fundi. Me të djathtën politike autentike shqiptare, me LDK-në e vijës tradicionale (jo të shartuar si LDK të Re), me Kosovën e kthyer te vlerat rugoviane, me njerëzit që kanë vlerat e shtatin për ta bërë këtë punë”, shkruante ai në Facebook.

“LDK-ja e Rugovës ka humbur në substancë pas vdekjes së tij, për fajin e njerëzve që morën në dorë fatet e partisë kryesore shqiptare deri atëherë. Elementi komunist shqiptar, i rikonfiguruar në shoqëri civile, në media, por edhe në parti politike në dukje demokratike, ka luftuar politikat origjinale të Rugovës, duke vendosur në themele të shoqërisë e të shtetit të Kosovës politika komuniste, kryesisht nën petkun e ndezur kombëtarit”, shkruante nder tjera ai.

Edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj është rikthyer në listë për deputet.

Ai e kishte bërë përgjegjës liderin e partisë së tij, Isa Mustafa për largimin e AKR-së nga koalicioni dhe nënshkrimin e marrëveshjes me PAN.

Salihaj, kishte thënë se kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli, kishte pasur një kërkesë korrekte dhe në interes të shtetit ndaj LDK-së, për bashkëpunim me VV-në, por një gjë e tillë u kundërshtua nga Mustafa.

“Me këto veprime Isa Mustafa po e lë Kosovën në duart e PDK-së, SHIK-ut dhe Listës serbe. Kjo është hera e tretë që LDK po ia mundëson PDK-së qëndrimin në pushtet. E gjithë kjo tregon se LDK, por edhe Kosova ka mbetur peng e një njeriu, i cili nuk sheh asgjë tjetër, përveç interesave, kapriceve dhe inateve të tij. Këto veprime të tij, jo vetëm që do ta fundosin sërish LDK-në, por do t’i dëmtojnë rëndë edhe interesat e shtetit të Kosovës. Duket sikur Isa Mustafa nuk dëshiron në asnjë mënyrë të reflektojë dhe ka mision fundosjen e plotë të LDK-së. LDK e vlerave të mëdha rugoviane e as Kosova nuk e meritojnë një fat të tillë. AS”, shkruante Adem Salihaj.

Rexhep Gjergji, në maj të 2016 kishte kërkuar shkarkimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për disa vite u la jashtë partisë. Tash, ai është pjesë e listës për deputet nga radhët e partisë së Mustafës.

“Grupi Mustafa na i rikthyen masat e dhunshme në degët e LDK-së, na i rikthyen, edhe pse menduam që ato nuk do të ktheheshin më kurrë. Na e kthyen fjalorin komunist dhe komunikatat e komiteteve të LKJ. Komunikata e tyre e sotme se: “ … kjo u është bërë me dije nga organet kompetente të LDK-së dhe u është tërheqë vërejtja se nuk mund të thirren në pozita, për të cilat nuk kanë legjitimitetin e votës në LDK”, kishte shkruar para dy vjetësh Gjergji.

Kurse tash më kandidaturën e tij për deputet, Gjergjaj ka shkruar se ndjehet i nderuar që është pjesë e listës.

Diskurs të ashpër, por pa fryje për disa vite ka pasur edhe ndërmjet Vjosa Osmanit e Isa Mustafës.

Mustafa në një deklarim të tij, duke folur për mungesën e disa deputetëve të LDK-së në seancën e zgjedhjes së Presidentit ka thënë se ata që kanë munguar janë frikësuar.

E në reagimin e saj për këtë deklaratë, Osmani ka thënë se i pari i LDK-së, nuk mund të flet për frikësim.

Ajo ka përmendur edhe rastin kur Hashim Thaçi me anë të mimikave, siç ka thënë, ‘frikësonte’ kryetarin e LDK-së.

“E mendoja qe disa orë nëse ja vlen të merrem me sulmet banale të KM Mustafa. Nëse asgjë tjetër, deri tani, karshi sulmeve e linqimeve të tij (dhe hienave të tij), nuk kam reaguar shpesh për shkak të bashkëpunimit që kemi pasur, besimit që (gabimisht) kam pasur në të, por edhe për shkak të moshës që ka. Por MJAFT është MJAFT. Kush po na flet për frikësim? Njeriu që me një lëvizje të vetullave të Thaçit kërcente përpjete për t’ju vërsulur deputetëve të tij. Kush po na flet për instruksione? Ai që ato i merr nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli, dhe për këtë madje mburret. Për frikësim po na flet njeriu që nuk ndihet mirë të pijë kafe e të takohet me qytetarë nëpër Kosovë se mos po takohet me ndonjë nga votuesit e LDK-së, të cilët i tradhtoi dhe vazhdon t’i tradhtojë. Por nuk ndihet i lirë as tek ata që e mbajtën në Gjermani e gjetiu në diasporë, sepse ua mbylli derën veprimtarëve shumëvjeqarë të diasporës në LDK, të cilën e kishin mbajtur partinë tonë dhe Kosovën gjallë”, kishte deklaruar Osmani.

“Gjuha e Mustafës, lëre që ka përçarë tërë skenën politike të Kosovës, por po e përçanë edhe LDK-në. Se ai nuk është në paqe me vetveten e as me elektoratin e LDK-së, më së miri e dëshmon fshirja e menjëhershme e komenteve në çdo postim të tij. Për dallim prej tij, unë jam në paqe edhe me vetveten, e edhe me ata që më besuan t’i përfaqësojë. Jam ballëhapur dhe gjumin e bëjë me ndërgjegje të pastër. Mustafa zor se e di këtë ndjenjë. Zëri i elektoratit të LDK-së do t’a ndjekë pas dhe kurrë nuk do t’a lë rehat, shkruante ndër tjera Osmani.

Gani Geci kishte kaluar në LDD. Para disa vitesh, pas shuarjes së partisë së tij, thoshte se nuk do të kthehet në LDK.

Krejt pakënaqësinë ai e kishte me liderin, Isa Mustafa, të cilin e quante komunistë të Rrahman Morinës.

“Jo nuk do të kthehem në këtë LDK. Njëherë po pushojë. LDK-ja ka dal prej sistemit, në bazë të asaj që e paramendojë. Unë jam tip nacionalistë, nuk jam as komunist i Titës, as i Enver Hoxhës. LDK-në janë duke e udhëhequr komunistët e Titës, dhe un nuk e shoh vetën aty. Ne presim ditë më të mira për LDK-në dhe kjo nuk do të thotë që ajo do të vazhdojë gjithmonë më këtë avaz. Pra, unë kthehem aty, vetëm kur komunisti i Rrahman Morinës, Isa Mustafa, dhe komunistët tjetër do ta lëshojnë vendin nga aty”, thoshte Geci. Ndërkohë, vajza e tij Marigona Geci Lala është kandidate për deputete, dhe tash Gani Geci po e himnizon figurën e Mustafës.

Në listë është rikthyer edhe kundërshtari tjetër i madh i Musatfës, ish ministri Fatmir Rexhepi. /Lajmi.net/

Shperndaje në: