Lajmërohet i kërkuemi për vrasje – Radojicic ngrit padi ndaj Rada Trajkovic’it

Edhe pse asht tue u kërkue nga autoritetet e drejtësisë kosovare, Milan Radojicic’it po i del kohë të merret edhe me deklaratat e politikanëve.

Ai ka ngritë padi ndaj politikanes serbe, Rada Trajkovic, lidhun me deklaratat e kësaj të fundit të cilat e ndërlidhin Radojicic’in me vrasjen e ish-liderit të SDP, Oliver Ivanovic, me 16 Kallnor të vitit të kaluem në Mitrovicën e Veriut.

Goran Petronijevic, avokat i Radojicic’it ka thanë për mediat serbe se klienti i tij ka pësue damtim të imazhit të tij mbas deklaratave të Trajkoqvic.

Simbas Petronijevic, deklaratat e Trajkovic’it kundër Radojicic’it janë dhanë për motive personale dhe jo politike.

“Ne duhet me rikujtue se Radojicic asht nënkryetar i partisë ma të madhe serbe në Kosovë. Deklaratat e Trajkovic asht e qartë se janë dhanë për damtimin e imazhit të Radojcic’it në Kosovë”, ka thanë ai.

Madje simbas tij, Radojicic asht ofendue në shumë mënyra, tue u ndërlidhë me vrasjen e Ivanovic’it, pa asnji provë.

Padia ndaj Trajkovic’it asht ba në fillim të Shtatorit.

Shperndaje në: