I dërguemi special i BE për dialogun Kosovë-Serbi ka me u caktue nga Gjermania

Mësohet nga REL, prej burimeve jo zyrtare, se Gjermania ka me qenë përcaktuese e të Dërguemit special të BE në bisedimet Kosovë-Serbi.

Sot Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, tha se nuk mundet me u deklarue tash për këtë çashtje, por e konfirmoi se Gjermania e Franca janë të përkushtueme për zgjidhjen dhe vazhdimin e dialogut.

Shkrimi i plotë në REL:

Është gjithnjë e më e sigurt se gjatë mandatit të ri të institucioneve të Bashkimit Europian, pritet të emërohet një i dërguar i posaçëm që do të merret me normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Sipas burimeve jozyrtare të Radios Evropa e Lirë, në rast se përbërja e re e Komisionit Europian vendos të bëjë këtë emërim atëherë, personi që do ta ushtrojë këtë funksion do të jetë nga Gjermania.

Burime të REL-it nga Qeveria gjermane kanë konfirmuar se Berlini zyrtar është shumë i interesuar për një të dërguar të mundshëm që vjen nga ky vend. Sipas burimeve në Berlin, në momentin kur nisma fillon zyrtarisht, Qeveria gjermane do të insistojë që ndërmjetësi në dialogun e bllokuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetë përfaqësuesi i saj.

Sipas burimeve gjermane, kjo do të “amortizonte” procesin e udhëhequr deri më tani nga Përfaqësuesja e Lartë e BE’së në largim Federica Mogherini, e cila, siç thonë në Berlin, “në mënyrë të pashmangshme çonte në një shkëmbim territoresh”.

Burime nga disa shtete anëtare të BE’së tregojnë se ekzistojnë dy arsye për caktimin e një përfaqësuesi të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. E para ka të bëjë me vendimin e fundit të administratës amerikane për të emëruar Matthew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Një rrethanë tjetër që çon në vendimin për emërimin e një të dërguari special evropian është Përfaqësuesi i Lartë i ardhshëm i BE’së, Josep Borrell. Ministri aktual i Jashtëm i Spanjës, dhe krye diplomati i ardhshëm evropian, Josep Borrell, vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për të cilën ai personalisht ka qenë shumë kritik. Megjithëse BE’ja pretendon të jetë neutrale ndaj statusit të Kosovës, burimet diplomatike të BE-së e konsiderojnë se pozicioni i Borrellit si një lehtësues ose ndërmjetës në dialog, është shumë i ndjeshëm.

Toby Vogel, një ekspert në Këshillin e Politikave të Demokratizimit (DPC), mendon se ideja e emërimit të një të dërguari të BE-së për të mbikëqyrur dialogun Prishtinë-Beograd është i kuptueshëm, pasi do të lehtësonte punën e Josep Borrellin, i cili, sipas tij do të merrej me çështje më të ngutshme ditore.

Në një bisedë me Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, zyrtarët evropianë shpjegojnë mundësinë e emërimit të një të dërguari të veçantë me faktin se dialogu ndërmjet Kosovës-Serbi kërkon energji të veçantë, investim në kohë dhe angazhim, kështu që është “më e mençur të emërosh një person që të merret vetëm me këtë çështje”.

Të njëjtat burime njoftojnë se, në terma zyrtarë, i mbetet Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borrell të vendosë nëse ai do të angazhohet në dialog personalisht, ose, si një skenar më i mundshëm, ta delegojë çështjen te përfaqësuesi i posaçëm.

Sipas burimeve jozyrtare të BE’së, Borrell tashmë ka treguar se është në gjendje të heqë dorë nga ndërmjetësimi duke emëruar një të dërguar special. Zyrtarët e BE-së presin që gjërat të jenë më të qarta në tetor pas një debati në Parlamentin Evropian, kur duhet të diskutohet edhe konfirmimi i emërimit të Josep Borrell në postin e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së.

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar. Në përgjigje të masave të Serbisë për të bllokuar pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës vendosi një tarifë prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia në Kosovë.

Komuniteti ndërkombëtar pret që Qeveria e ardhshme e Kosovës të përqendrohet në çështjen e taksës, duke krijuar kështu kushte për rinisjen e negociatave, pasi Serbia refuzon të kthehet në tryezën e bisedimeve pa heqjen e saj.

Shperndaje në: