Osmani i ofron partneritet diasporës për investime në Kosovë

“E ftojmë diasporën tonë për partneritet, që të mobilizohen sërish, që kapitalin e krijuar me mund dhe me djersë, për këto 30 vite në vendet e perëndimit, të vijnë ta investojnë këtu në Kaçanik dhe në gjithë Kosovën”, tha kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, të Hanën, gjatë nji tubimi elektoral në Kaçanik.

Ajo tha se Programi i saj për zhvillim ekonomik parasheh partneritet me diasporën tonë, në mënyrë që ata me ardhë për me investue në atdheun e tyne, për me ndihmue zhvillimin e shtetit, mirëqenin e familjeve kosovare, por edhe për me krijue profite si investitorë seriozë.

Osmani pohoi se diaspora gjithmonë ka tregue dhe vazhdon me tregue gadishmëni për me investue në Kosovë, por tash me qeverisjen e saj do të kenë projekte konkrete nga të cilat do të përfitojë ekonomia jonë, familjet e tyne dhe ata si investitorë.

Në tubimin me qytetarë, Osmani tha se Kaçaniku nuk duhet me mbetë vetëm vend i heroizmave, por duhet me u ba vend me mundësi të mëdhaja zhvillimi.

“Disa politikanë ju respektojnë për të djeshmen, por ua kanë errësuar të sotmen, ua kanë errësuar të ardhmen, pasi që flasin për Kaçanikun legjendar dhe nuk kanë bërë asgjë për banorët e kësaj ane”, shoi nënkryetarja e LDK, Vjosa Osmani.

“Familja e shëndoshë, është familja që përballon kostot e jetës, sidomos koston e banimit. Çifte të shumta sot në Kosovë përballen me vështirësi në blerjen e banesave të para. Në programin tonë, blerja e përballueshme për çiftet që blejnë banesën e parë është thelbësore. Në Kosovë brenda vitit janë 15.000 martesa, nga të cilat rreth 7,000 sosh blejnë banesë për herë të parë. Familjeve të reja, të cilat për herë të parë blejnë banesë, do t’ua subvencionojmë normat e interesit, duke i zvogëluar deri në 1%, dhe do t’ua zgjerojmë pagesën e kredive mbi 30 vjet”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre.

Shperndaje në: