Vrahet në Bavari nji shqiptar mbas krismave me disa serbë

Nji luftë e kanë cilësue mediat gjermane përleshjen e armatosun mes disa kosovarëve dhe serbëve ku mbeti i vramë nji kosovar dhe nji tjetër i plagosun randë në vendin e ngjarjes.

Rreth orës 6 e 10 minuta të mbasdites së të Mërkurës policia në qytetin e vogël të Abensbergut në Baravrinë e Poshtme asht njoftue për krisma armësh, të cilat janë ndigjue në parkingun e nji supermarketi në rrugën “Strabuinber”.

Mbas arritjes së policisë, në parkingun e dyqanit asht gjetë i vramë nji 37-vjeçar i vramë në vendin e ngjarjes dhe nji person i plagosun që dyshohet se asht vllau i tij.

Siç shkruen gazeta gjermane në nji udhëkryq në qytetin e Abensberg dy kerre ishin ndalë afër njana-tjetrës. Drejtuesit e kerreve ishin grindë shkurtimisht, dhe mandej nga njani kerr dikush kishte shti me armë tri herë tue lanë të plagosun randë nji 46-vjeçar që gjendej në kerrin tjetër.

I plagosuni simbas gazetës, asht dërgue menjiherë me nji helikopter në spital.

Policia gjermane mandej ka zgjanue hetimet tue ba kontrolle të shumta nëpër apartamente. Simbas të gjetunave dhe armëve të të dyshuemve, dyshohet se asht nji konflikt në mes të strukturave kriminale të caktueme etnike e mirë të organizueme në Gjermani. Me këtë tashma po merret edhe inspektorati i policisë për krime nga Landshut.

Shperndaje në: