Kthimi i madh i Amerikës n’Ballkan. Europa rrezikoi interesat e Washingtonit

Meqenese Unioni Europian i kreu punet keq n’Ballkan, Rusia, Turqia dhe Kina kanë forcue pozicionet e tyne në rajon dhe i kane rrezikue interesat e Shteteve të Bashkueme të Amerikës, tue e ba këtë superfuqi me forcue praninë e saj në rajon, thonë ekspertët për ‘Al Jazeera’.

Qe qysh e vleresojne ata ‘kthimin’ e SHBA n’Ballkan:

 

‘Kthimi’ i madh i SHBA në Ballkan, përveç pranisë së saj, si ndërmjetësuese përmes NATO-s dhe institucioneve të tjera përgjatë këtyre viteve, reflektohet edhe në vizitën e parë të sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo si dhe në emërimin e Matthew Palmer si Përfaqësuesin e saj Special për Ballkanin.

Siç tha Palmer gjatë vizitës së tij në rajon, prioritet i diplomacisë amerikane në Ballkan do të jetë zgjidhja e çështjes në mes Kosovës dhe Serbisë, forcimi i hapjes së bisedimeve të pranimit në BE për Maqedoninë dhe Shqipërinë, dhe gjetja e zgjidhjes për funksionalitetin e Bosnje dhe Hercegovinës.

“Al Jazeera Balkans” shkruen se një veprim i tillë diplomatik shkon në drejtim të shtypjes së ndikimit të fuqive të tjera, pas së cilës amerikanët do t’ia dorëzonin përsëri këtë rajon në Bashkimin Evropian për integrim në sferën interesit perëndimor.

“Këto janë qëllimet themelore të deklaruara publikisht dhe modalitetet e kthimit të madh amerikan në Ballkan” thekson njohësja e politikës Jadranka Polovic.

Sidoqoftë, sipas mendimit të saj, Shtetet e Bashkuara kanë qenë të pranishme në këto zona për dekada, kurse pas vitit 2000, për shkak të preokupimit me Lindjen e Mesme dhe rajone të tjera të turbullta, ishin prezente në mënyrë indirekte përmes veprimeve të aleatëve saj, si; NATO, BE, FMN dhe institucione të tjera.

“Në këtë mënyrë nisma diplomatike-ekonomike i lihej kryesisht Bashkimit Europian, i cili gjithashtu menaxhoi zgjidhjen e krizave në BeH, Kosovë dhe Maqedoni. Mirëpo, për shkak të interesave kundërthënëse të anëtarëve kryesorë dhe ndarjeve brenda Bashkimit Europian, Brukseli ka treguar lodhje nga zgjerimi, por gjithashtu edhe se nuk di se si të menaxhojë krizën në periferinë e vet”, vlerëson Polovic.

Sipas saj, amerikanët nuk i besojnë Bashkimit Evropian dhe udhëheqësve të saj, për çfarë ajo [BE] është e paaftë të luajë rolin e saj në master planin amerikan për Ballkanin: “SHBA po vepron me shpejtësi, tani për tani në aspektin diplomatik, për të vendosur një rend gjeopolitik në rajon, në harmoni me interesat amerikane”.

Pozicionimi i Rusisë, Kinës dhe Turqisë

Zijad Becirovic, drejtor i Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), gjithashtu thekson se vitet e fundit Shtetet e Bashkuara kryesisht e kanë lënë Ballkanin në duar të Bashkimit Europian, i cili nuk ka arritur ta kryejë më sukses këtë detyrë. Shembulli më i mirë i kësaj është roli i BE-së si ndërmjetës në dialogun midis Beogradit zyrtar dhe Prishtinës, i cili është i bllokuar, respektivisht ka pësuar një fiasko.

“Për shkak të punës së bërë keq të BE-së në Ballkan, ndërkohë janë pozicionuar më fuqishëm Rusia, Kina dhe Turqia, gjë që ka rrezikuar interesat e SHBA-së. Kjo është arsyeja pse SHBA-ja ka shtuar interesin e saj dhe po forcon praninë e saj në rajon për të mbrojtur interesat e saj. Ndërsa është shumë e rëndësishme që Ballkani të jetë pjesë e sigurisë kombëtare të SHBA-së, dhe kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare, për amerikanët kjo gjithmonë është një prioritet”, tha ai.

Për Polovic, Ballkani Perëndimor për tri dekada mbijetoi si një laborator në të cilin aktorë të shumtë ndërkombëtarë po provojnë ‘receta’ të (pa)provuara për stabilizimin, transformimin institucional dhe modernizimin e rajonit. SHBA e ka ndalur luftën në këto zona, por gjithashtu ka krijuar një fuçi baruti, dhe mban në dorë siguresën e cila do të shkaktojë konflikte të mundshme.

Marrëveshja e Dejtonit BeH e shndërroi në një krijesë të pamundur… Marrëveshjet e Ohrit dhe Prespës e ndanë Maqedoninë. Në diskursin mbizotërues diplomatik, stabiliteti dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor shikohet në kontekstin e dy proceseve integruese – pranimit të rajonit në NATO dhe BE, duke vendosur kështu një stereotip që këto procese të veprojnë pa diskutueshëm duke stabilizuar dhe stimuluar transformimin demokratik, ekonomik, shoqëror dhe të sigurisë së vendeve të rajonit, dhe evropianizimin e tyre. Sidoqoftë, është e dukshme që ka munguar prosperiteti i premtuar dhe stabiliteti i rajonit. Trashëgimia e politikave të aplikuara perëndimore është varfëria ekstreme, papunësia ekstreme dhe emigracioni, kolapsi i politikave publike dhe kolapsi i vazhdueshëm ekonomik, si dhe ri-aktivizimi i zonave ekzistuese të krizave: BeH, Kosova dhe Maqedonia”, shpjegon Polovic.

‘Lufta e pambaruar ose paqja e pambaruar’

Në një atmosferë të tillë, ekziston një prani në rritje e aktorëve të jashtëm, të cilët po forcojnë ndikimin e tyre në rajon përmes programeve shumë konkrete, pa politikën e vazhdueshme të agjitacionit në të cilën insiston BE-ja.

“Megjithëse, sipas strategjisë së re të mbrojtjes së SHBA-së, fokusi i aktiviteteve mbrojtëse të SHBA-së është vendosur kryesisht në kontekstin e konfrontimit me Kinën. Megjithatë, Rusia është caktuar si rivalja e dytë kryesore, kundërshtare ose armike e SHBA-së. Pjesa kryesore e ‘fushbetejës’ me Rusinë kalon nëpër Europën Juglindore. Prandaj, qëllimi i SHBA-së në Europën Juglindore është arritja e një situate politike ushtarake identike me atë të ndërtuar në Europën Verilindore, ku nën udhëheqjen e tyre u krijua një degëzim mbrojtës nga shtetet e Baltikut dhe Polonisë me mbështetje logjistike nga territori gjerman”, thotë Polovic.

Becirovic beson se forcimi i ndikimit të fuqive të tjera në rajon do të jetë një provë edhe për vendet e Ballkanit.

“Ndryshe, administrata amerikane do të bazohet në lëvizjet, respektivisht afrimin e disa vendeve të Ballkanit drejt Rusisë, Kinës ose Turqisë, për të vendosur lidhur me qëndrimin e saj ndaj atyre vendeve. ‘Letër lakmus’ do të jetë marrëdhënia e këtyre vendeve me Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën, të cilat përfaqësojnë ‘foshnjën’ e Shteteve të Bashkuara. SHBA nuk do të lejojë që perspektiva Euro-Atlantike e rajonit të rrezikohet. Kjo u dëshmua më së miri me shembullin e Republikës së Maqedonisë Veriore”, tha ai.

Politika amerikane në rajon ka punuar më herët përmes disa cikleve, përkatësisht përmes administratës së Clintonit, Bushit dhe Obamas.

“Megjithëse në Kosovë ende ka ndikim establishmenti diplomatik i administratave të mëparshme, Donald Trump dëshiron ta zgjidh këtë problem, përpara zgjedhjeve për një mandat të dytë presidencial. Për shkak se kufijtë në teren janë të fortë – Serbia nuk kontrollon jo vetëm Kosovën, por as Sanxhakun, Qeveria e Maqedonisë pjesën perëndimore të vendit, Qeverinë në Sarajevë, Republikën Serbe … presidenti Trump nuk do të ketë dilema morale, as të sigurisë. Një konfigurim i ri i Ballkanit Perëndimor është në përgatitje, kufijtë në rajon kanë ndryshuar në të kaluarën e afërt. Nuk ka asnjë arsye për të mos vazhduar këtë proces”, tha Polovic.

Kështu, trashëgimia e ‘luftës së papërfunduar’ ose ‘paqes së papërfunduar’ në rajon i është lënë Trumpit./Metro
Shperndaje në: