Na duhej Nobeli i Peter Handkes

Nga Alban DUDUSHI

Shumë u mërzitën, u revoltuan, u hidhëruan me çmimin Nobel që iu akordua shkrimtarit austriak Peter Handke. Unë të them të drejtën, jo dhe aq. Nuk e njihja këtë shkrimtar dhe për këtë arsye, fillimisht, kur mora vesh për çmimin, mbeta indiferent, siç më ka ndodhur herë pas here me çmimmet Nobel.

Pastaj, kur në media shpërtheu stuhia, natyrisht që kurioziteti më shtyu të kërkoja për të. Aty mora vesh, fillimisht, që ai paska qenë një adhurues i hershëm i Jugosllavisë dhe kjo e shtyu të bëhej një mbrojtës i hapur dhe aktiv i serbëve dhe i Slobodan Milosheviçit. Aty mora vesh që dashuria për Milosheviçin e bëri që të shkonte ta takonte në Hagë dhe pastaj të mbante një fjalim në funeralin e tij. Aty mora vesh që ishte një mohues i genocidit gjatë luftrave në Jugosllavi dhe për këtë arsye Salman Rushdi e paska quajtur “hajvan”. Dhe ja ku ky hajvan politik tashmë është nderuar me çmimin më të përfolur në botë.

Pas kësaj fillova të lexoja nga pak në lidhje me veprën e tij. Shumë i rëndësishëm për letrat austriake dhe ato europiane. Një nga përfaqësuesit lider të avangardës europiane. Madje aty mësova që pa e ditur një vepër të tij e kisha parë. Ai paskësh qenë bashkë skenarist i filmit të Wim Wenders, Wings of Desire, një film që unë e kisha adhuruar në fillim të viteve ‘90. Duke kërkuar dhe më shumë pashë që edhe në shqip ishte përkthyer një libër i tij, Mëngjarashja. E mora dhe e lexova librin, por nuk më la shijen e filmit. Por çështje shijesh kjo.

Komiteti i Nobelit tha që ai është një shkrimtar shumë i rëndësishëm dhe për këtë iu dha çmimi, jo për qëndrimet politike të tij. Nuk kam prirje ta kundërshtoj atë që tha komiteti për Handken, (kush jam unë ta bëj këtë) aq më shumë që nuk e njoh veprën e tij. Madje në të kundërt, tani pasi jam informuar, jam i gatshëm ta duartrokas vendimin. Por jo për të njëjtat arsye që komiteti ia dha këtë çmim. Përkundrazi, e duartrokas saktësisht për të gjitha ato arsye që viktimat e luftrave në Jugosllavi, intelektualët dhe shkrimtarët e rajonit, por edhe ata botërorë, u revoltuan.

Kishte vite që Serbia, në arenën ndërkombëtare kishte filluar relativizimin dhe revizionimin e historisë së saj të afërt. Kishte vite që Serbia rriste pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare, kryesisht në kurriz të Kosovës, por edhe të Bosnjes. Lobimi kundër aderimit të Kosovës në UNESCO, kundër aderimit të Kosovës në Interpol, viktimizimi i serbëve të Kosovës, Bosnjes dhe Serbisë dhe kriminalizimi i luftëtarëve të Kosovës, lobimi për tërheqjen e njohjeve të republikës së Kosovës janë disa nga gjurmët që tregojnë se Serbia po rikuperonte, pa pranuar dhe kërkuar kurrë falje për atë që ka ndodhur në Kosovë.

Në sallonet e politikës ndërkombëtare dhe disa qarqe intelektuale kishte filluar të ndjehej një si vrarje ndërgjegjeje për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Të gjitha këto gjurmë tregojnë për viktimat e nacionalizmit serb dhe veçanërisht të regjimit të Milosheviçit, si edhe për ata që janë rreshtuar në krah të viktimave, se të qenurit viktimë në botën tonë të pasqyrave nuk qenka një e dhënë njëherë e përgjithmonë, por një çështje narrative. Në bazë të narrativës sunduese vendet mund të shkëmbehen, viktima të tregohet si xhelat dhe xhelati si viktimë. Fiks si bënte dhe Handke.

Pas shtatëdhjet e pesë vjetësh, hebrenjtë janë shumë vigjilentë që të mos të ndryshojë narrativa e fakteve të vërteta mbi Holokaustin. Përveç mijra librave, filmave e dokumentarëve që tregojnë tmerrin e çmendur të zhdukjes së pesë milionë njerëzve të gjakut të tyre, ata kanë lobuar ligje në shtete të ndryshme që dënojnë mëhuesit e holokaustit. Ata janë të kujdesshëm të denoncojnë çfarëdolloj shenje antisemite. Ata nuk reshtin së treguari historinë e tyre në të mirë të njerëzve të një gjaku, por në të mirë të njerëzimit gjithashtu. Sepse ja si ndodhka që historia ndërron narrativë dhe viktimat, jo pas shtatëdhjetë e pesë vjetësh, por pas njëzetë e pesë vjetësh mund të shndërrohen në xhelat nga narrativa fituese.

Prandaj dhe e duartrokas Nobelin e Handkes, si një mundësi që viktimat, përkrahësit e tyre të zgjohen dhe të mos e marrin për të mirëqenë që bota e njeh fajin. Ai duhet treguar përditë me forcë dhe gishti duhet vendosur mbi shkaktarët përditë. Ashtu si ndodhi gjatë këtyre ditëve në rrjetet sociale dhe në mediat e botës, kur edhe njëherë Serbia u vendos në prozhektorët e 20 viteve më parë. Handke ia bëri (pa dashje) këtë shërbim viktimave. I kujtoi botës historinë e afërt të këtij rajoni, ku gjaku nuk është në librat e historisë, por është në duart e atyre që janë gjallë dhe nuk kanë pësuar ende drejtësinë.

Gazeta SHQIP

Shperndaje në: