Gjykata Speciale vazhdon me ftesa, deri tash 100 janë të dyshuem e 800 dëshmitarë

Që nga dita e Premte në Kosovë kanë ardhë mbi 20 ftesa për ish-pjesëtarët e UÇK’s të cilët janë ftue për m’u intervistue.

Edhe pse ka 1 vit e gjysë që kur kjo gjykatë ka nisë me i intervisue të dyshuemit dhe dëshmitarët, ende nuk asht ngritë asnji aktakuzë.

Për këtë, Zadhanësi i Dhomave të Specializueme të Prokurorisë së Hagë, Christopher Bennett, i ka thanë lajmi.net, se puna asht tue vazhdue dhe se nuk munden me folë për afate kohore se kur mundet me ndodhë ngritja e aktakuzave.

Ndërsa, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK’s, Hysni Gucati, tha se në fund të këtij mueji munden me u ngritë aktakuzat e para mbasi ato tashma janë në përfundim.

Njani nga avokatët e Speciales, Tomë Gashi, deklaroi se publikimi i aktakuzave të para asht vetëm çashtje javësh.

“Vetëm Zyra e Prokurorit Special është insitucioni i vetëm i cili mund ta dijë saktëisht a janë ngritur aktakuzat në Gjykatën Speciale në Hagë apo jo deri më tani. Duke pas parasysh që në bazë të dispozitave ligjore as zyra e Prokurorit Special e as Gjykata Speciale nuk e ka obligim ligjor që t’i bëj publike ngritjen e akakuzave të para besoj se kjo mbetet edhe për një kohë çështje e Speciales në Hagë”, ka thanë Gashi.

Ai ka theksue se deri tash janë intervistue ma shumë se 100 persona si të dyshuem dhe mbi 800 dëshimtarë.

“Normalisht se aktakuza do ketë dhe nuk do vonohen paskajshmërisht pasi që tani kemi tri vite prej formimit të Speciales dhe kemi më tepër se një vit e gjysmë që ajo është funksionale në tërësi me gjithë infrastrukturën ligjore. E dimë që më tepër se 100 persona janë ftuar deri më tani dhe janë marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarve ndërsa mbi 800 dëshimtarë deri më tani janë marrë në pyetje nga Specialja. Kështu që është vetëm çështje e javëve kur do të bëhen publike aktakzuat e para, diçka tjetër mund të jetë spekulim sepse informata të sakta askush nuk ka”, ka deklarue avokati.

Simbas tij, destabilizim në Kosovë nuk mundet me pasë edhe nëse fillojnë arrestimet.

“Absolutisht nuk do të ketë, Specialja nuk ka kurrfarë lidhshmërie me politikën në Kosovë sigurisht mund të keë protesta të vogla por jo destabilizim. Opinioni kosovar është përgatitur me vite të tëra për fillimin e punës së Speciales dhe kushdo që arrestohet mund të ketë vetëm shprehje të mllefit të grupacioneve të vogla por në asnjë variant nuk do të ketë destibalizim. Ata që propagandojnë që mund të ketë destabilizim janë të njëjtit që kanë qenë më të zëshmit për formimin e Speciales kështu që nuk ka kurfarë rreziku. Nëse Specialja deri më tani ka arritur deri në piedestalin më të lartë unë besoj se kjo çështje është vetëm një kërcënim pa kurfarë realiteti”.

Shperndaje në: