Flasin nga VV, a e preferojnë Nismën në qeveri?

Kanë mbetë edhe pak ditë deri sa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me i shpall rezultatet zyrtare të zgjedhjeve parlamentare të 6 Tetorit, shkruen GazetaBlic.

Ndërsa, Nisma Socialdemokrate ende asht në ankth të rezultateve, ku ky subjekt ende nuk e ka kalue pragun prej 5%. Nisma asht shumë afër kësaj përqindje, ajo aktualisht ka 4,96%, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) para do dite ka shprehë vullnetin që nëse kjo parti e kalon pragun atëherë LDK ka me qenë e gatshme me bashkëpunue me ta.

Por, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e cila simbas rezultateve preliminare asht zgjedhë subjekti ma i votuem në Kosovë nuk po e dëshiron nji bashkëpunim të tillë.

Anëtarja e kryesisë së LVV’s, Arbërie Nagavci, në nji prononcim për GazetënBlic ka thanë se LVV nuk do të dëshironte që Nisma me qenë pjesë e qeverisë së ardhshme edhe nëse kalohet pragu nga ana e tyne.

Nagavci tha se LVV dëshiron me bashkëpunue me LDK’n, por pa subjektet e qeverisjes së kalueme.

“Duhet të presim certifikimin e rezultateve të shohim se a ka ndonjë të re, e dimë që janë afër, por duhet pritur certifikimin e rezultateve sepse më pas kjo e definon numrin e deputetëve që do kishte secili subjekt”, tha ajo.“Ne do kishim preferuar të jemi në qeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës sepse mendojmë se gjitha subjektet politike që kanë qenë në qeverisje deri më tani duhet të jenë në opozitë, por duhet pritur certifikimin e rezultateve” , tha Nagavci për GazetënBlic.

“Duhet të shikojmë se sa mund të arrijmë te kemi deputetë nga LVV-ja dhe LDK-ja dhe sa do të arrijmë të formojmë qeverinë e re, por do kishim preferuar që ta kemi qeverisjen pa subjektet që kanë qenë në qeverisjen e kaluar”, shton Nagavci.

Shperndaje në: