Kur gazetaret shajnë me rob…

Nga Alma Nikolli

Videot e dy gazetareve shqiptare që thonë ”fjalë të pista” po shkaktojnë qeshje me lot të shumta virtuale në biseda anekënd vendit.

Gazetarë të shumtë po tallen e po qeshin (mbase) të lumtur se një koleg i tyre po “masakrohet” publikisht.

Qindra shqiptarë gjetën kë të “pushkatojnë” sot publikisht për me zvogëlu mëkatet e vetes.

Për mua ngatërrimi i fjalëve apo veprimeve objektivisht të pastra me realitete të ndyra apo sharëse nuk është fort i drejtë, në kushtet kur gjuha ka mijëra mjete për të shprehur ndjesi, megjithatë ky debat është përtej aktual.

Aktual është interpretimi që i bëhet sot këtyre dy videove.

Nuk kam parë shumë ambiente mediatike, por më lini të them se me aq sa kam parë terminologjia shprehëse është pak a shumë kjo.

Gazetari, sa më i vjetër profesionalisht aq më shprehës rob-ërisht. Nëpër korridore është thuajse çdo herë dikush që dëshiron robt e dikujt përmes të sharave bërtitëse.

Të mos flasim për “legjenda urbane” të gazetarëve apo profesorëve të gazetarisë që me fjalë të tilla ngacmojnë studente apo vajza të reja, që endërrojnë të jeni brenda kutisë së televizorit një ditë.

E te ajo kuti ju hani lajme. Hani, nuk shikoni, realitete të rreme. Vajza të krehura mirë, që veshur me këmisha mbyllur deri në qafë ju përplasin para syve/stomakut pjatën varfanjake irealitetin e hidhur politik.

Nejse.

Këto terma i dëgjon kudo. Nga gra e burra.

Në autobus, në shtëpi, në kompani të ndryshme, gati-gati në parlament.

Është dikush që abuzon me punën e tij prej operatori/kameramani apo montazhieri dhe për arsye talljeje, armiqësie apo fitumprurëse zgjedh të bëjë publike video të tilla.

Zot na ruaj se nuk dua ta mendoj mundësinë e vetëpublikimit për arsye marketingu. Se bota e përparuar kapitaliste ka vendosur me kohë se “nuk ka reklamë keqe”.

Keq apo mirë, e vlerësoni vetë. Kur mikrofoni është fikur, gazetarët janë thjesht si shumë shqiptarë të tjerë.

Edhe ajo më e bukura, më e sjellshmja, më moralistja, sapo fillon reklama ka pak punë me robt e dikujt.

Sigurisht ka përjashtime.

Shperndaje në: