Pasunia e shqiptarëve asht rishpërnda: Të varfnit kalojnë te shtresa e mesme, “fryhen” të pasunit, zbulohen milionerët

Të dhanat më të fundit të ‘Credit Suisse’ sa i përket pasunisë tregojnë jo vetëm nji pasunim të shqiptarëve në harkun e nji viti, por edhe nji forcim të ndjeshëm të shtresës së mesme, tkurrje të shtresës ma të varfën, si dhe për herë të parë praninë e milionerëve.

Kështu, nji vit ma parë, shtresa e mesme, pra ata me nji pasuni nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë vlerësohej në 42.4% të popullsisë së rritun, ndërsa sot në 57.9%.

Janë 1.3 milionë të rritun shqiptarë që vlerësohen si shtresë e mesme, nga rreth 900 mijë nji vit ma parë.

Pra, rritja asht drastike dhe tregon se shtresa e mesme asht rritë me 370 mijë të rritun në harkun e nji viti.

Kjo përkon egzaktësisht me tkurrjen e të varfënve.

Ata me nji pasuni nën 10 mijë dollarë vlerësoheshin në 56% të popullsisë së rritun nji vit ma parë, ndërsa sot në vetëm 38%, ose 377 mijë ma pak.

Pra, duket se ata që janë largue nga shtresa ma e varfën e popullsisë janë ba pjesë e shtresës së mesme, simbas të dhanave të `Credit Suisse`.

Pjesa ma e varfën e popullsisë numëron 850 mijë individë të rritun, simbas këtij raporti të bankës zvicrane.

Sa i përket të pasunve, ata me nji pasuni nga 100 mijë deri në 1 milionë dollarë, nga 1.6% e popullsisë së rritun që ishin vjet, tashma vlerësohen në 3.9% të popullsisë së rritun, ose në rreth 88 mijë individë, nga 36 mijë nji vit ma parë.

Risia tjetër e raportit asht numri i milionerëve, pra të atyne që kanë nji pasuni mbi 1 milionë dollarë.

Për herë të parë në raportin e Credit Suisse, kjo normë për Shqipninë, asht ndryshe nga zero, në 0.1% të popullsisë së rritun.

Kjo don me thanë se, janë 2250 individët në Shqipni që kanë nji pasuni mbi 1 milionë dollarë. `Credit Suisse` llogarit jo vetëm pasuninë cash të individëve, por edhe pasuninë jo-financiare, që në pjesë dërrmuese i referohet pronave të paluejtshme.(Scan)

Shperndaje në: