Krijoi testin e diabetit, shkencëtari damshpërblehet me 2 milionë paund mbas 40 vjetësh

Nji shkencëtari i janë dhanë 2 milionë paund damshpërblim nga gjykata ma e naltë në Mbretninë e Bashkueme për shpikjen e tij të teknologjisë pioniere për me provue nivelin e sheqerit në gjak gati 40 vjet ma parë.

Profesor Ian Shanks zhvilloi sistemin, të përdorun nga shumë diabetikë, ndërsa punonte për kompaninë Unilever në vitet 1980. Të drejtat për shpikjen e tij i përkisnin kompanisë dhe deri tash ai nuk kishte të drejtë për asnji pjesë të përfitimeve.

Shanks ndërtoi prototipin e parë të asaj që tash njihet si pajisja mbushëse e kapilarëve elektrokimik. Teknologji e cila shfaqet në shumicën e produkteve të testimit të glukozës, të cilat përdoren nga diabetikët për me monitorue gjendjen e tyne.

Gjykata vendosi njizani se shpikja e profesor Shanks i kishte sigurue ish-punëdhanësit të tij nji “përfitim të papaguem” për të cilin ai duhet me marrë kompensim.

Profesor Shanks u shpreh se ai ndjeu krenari të madhe për shpikjen e tij për të cilën ai tha që ndoshta kishte ndihmue disa qinda miliona njerëz që jetojnë me diabet.

Shperndaje në: