Heshtja e frikshme!

Arton Muhaxheri

 

Zgjedhjet e parakohshme përfunduan, fituesi tashmë është i qartë, u tha çfarë nuk u tha në kohen e fushatës, u jepen premtime të mëdha se si do ti rregullohet jeta e qytetarit. Letra e bardhë mbi të cilën është shkruar programi i partive politike i përballoj të gjitha, por realiteti i zbatimit të premtimeve elektorale nuk dihet nëse do ti perballoj gjitha ato premtime.

I tërë procesi zgjedhor në Kosovë zhvillohet në tri faza; faza e parë mbajtja e zgjedhjeve e cila si proces ka përfunduar, por vazhdon edhe më tutje të zvarritet çertifikimi rezultateve të cilat do ti hapnin rrugë fazës së dytë për arritjen e marrëveshjes në mes partnerëve të koalicionit VV-LDK.

Sa më shumë po zgjatat çertifikimi i rezultatave aq më shumë po krijohen diferenca në mes partnerëve të koalicionit të mundshëm qeveritar, si rrjedhoj duket që vështirë do të kalojmë në fazën e tretë, funksionalizimin e qeverisë.

Situatë më të qartë në kuptimin e koalicioneve Kosova nuk ka pasur asnjëherë. Në njëren anë kemi VV-në dhe LDK-në që po duan ta qeverisinë vendin, por asesi të arrijnë marrëveshje dhe në anën tjetër kemi PDK-në dhe AAK-në që janë deklaruar që nuk kanë interes të bashkohen në qeverisje dhe do të mbesin në opozitë.

Duket që situata e qartë në pozicionimin e spektrit politik nuk mjafton për të vazhduar tutje, dhe këtë përshtypje po e krijonë heshtja që po ndodh gjithandej ku për herë të parë në Kosovë në pluralizmin politik ndryshon pushteti por nuk ka entuziazem as të partive fituese por as të qytetarëve. Kjo heshtje e frikshme na sinjalizon diçka, ose dy parti nuk kanë guxim të marrin përgjegjësi, ose fitorja e VV-së paraqet një rrugë me shumë të panjohura si për faktorin vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar, nëse i shtohen kësaj edhe deklaratat e fundit të Albin Kurtit që i kthehen retorikes të vitit 2010 paqartësia se çfarë rruge do ta ndjek Kosova me Albin Kurtin është edhe më e madhe.

Prandaj, heshtja e ambasdave të huaja është një mesazh i frikës për investimin e tyre politik dhe financiar dhe mënyren si do të reagoj Albin Kurti për çështjet që i ka kundështuar me vite dhe që janë drejtpërdrejtë investim i miqëve ndërkombëtarë të Kosovës, ndërsa mungesa e entuzazmit të partive fituese do të thotë frikë nga marrja e përgjegjësive.

Shperndaje në: