Shkencëtari Nicholas Negroponte: Gati me projektue njerëz që kanë me jetue 200 vjet

Ai konsiderohet nji nga pionierët e teknologjisë digjitale. Arkitekt, shkencëtar kompjuterash dhe biznismen, Nicholas Negroponte, 35 vjet ma parë themeloi Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT), Media Lad, ku u përpunuen ide të mëdhja teknologjike që lidhen me inteligjencën artificiale dhe robotikën.

Ai asht gjithashtu themeluesi i organizatës “Nji laptop për çdo fëmi”, tue krijue laptopin 100 dollarë. Deri tash, 2 milionë kompjutera të tillë janë shpërnda në 42 vende.

Nicolas Negroponte ishte në Dahran të Arabisë Saudite, ku u ftue me dhanë nji leksion mbi të ardhmen e nji bote digjitale.

Teknologjia në 50 vitet e fundit ka evoluar proporcionalisht, thuajse sa  200 vitet e mëparshme. A do të përshpejtohet ky evolucion në vitet e ardhshme dhe çfarë duhet të presim si arritje të mëdha?

Ritmi i ndryshimit do të vazhdojë, por në fusha të ndryshme. Duke parë se çfarë ka ndodhur në 25 vitet e fundit, në teknologjinë dixhitale dhe atë të komunikimit, ndryshimet janë jashtëzakonisht të mëdha. Shikoni, për shembull, se si ka ndryshuar sjellja e njerëzve. Në 20 vitet e ardhshme ndryshimet do të jenë më mbresëlënëse. Ato do të transformojnë të ardhmen dhe do të bëhen kryesisht në fushën e bioteknologjisë.

Ndryshimet do të ndodhin aty ku bashkohet gjenetika dhe teknologjia dixhitale dhe ato që pritet të jenë aq të mahnitshme sa është shumë e vështirë të imagjinohet se si do të duket bota.

Për shembull, mund të jemi në gjendje të krijojmë njerëz, gjëra që nuk mund t’i imagjinonim më parë. Dhe unë do t’ju jap një shembull shumë specifik.

Kur krijuam Media Lab në MIT, menduam të ishim shumë gjithëpërfshirës.

Por askush nga ne, as unë dhe asnjë nga kolegët tanë nuk besuam se sot, në vitin 2019, ne mund të projektonim…minj.

Sot në MIT ka një program në të cilin ne krijojmë minj. A janë vërtet këta minj? Nga kanë ardhur? Ne i kemi krijuar ata dhe ju mund të shihni në laboratorin e MIT minj të vegjël që ecin djathtas dhe bëjnë gjithçka që bëjnë minjtë. Unë mendoj se ajo që do të shohim në 10-15 vitet e ardhshme do të jetë e mahnitshme.

Ju keni thënë se teknologjia dixhitale tashmë është integruar në jetën tonë. A mendoni se mund të jetojmë përsëri në të ardhmen, pa u lidhur me rrjetet dixhitale?

Besomëni, bërë diçka si oksigjeni, në kuptimin që ne nuk e kuptojmë derisa ta humbasim. Dhe ka shumë gjëra që nuk i kupton derisa t’i humbasësh. Si shëndeti juaj për shembull. Ju nuk e kuptoni se sa i rëndësishëm është derisa të ndesheni me një problem. Interneti është bërë i tillë. Ka pasur shumë përparime historike që kanë sjellë ndryshime të mëdha shoqërore për të cilat  sot as nuk mendojmë. Si ashensorët për shembull. Ndikimi që kanë pasur ashensorët në shoqëritë tona ka qenë shumë i madh, dhe jam i sigurt se askush nuk po flet sot për to. Ata ndryshuan mënyrën e ndërtimit të qyteteve. Mënyra se si njerëzit sillen. Mund të jetoni pa ashensor sot? Përgjigja është ndoshta po, ju mund të jetoni pa ashensor por jo në New York. Mund ta imagjinoni një të ardhme pa ashensorë? Unë mendoj se po, por pse ta bëjmë këtë? Nuk jam i sigurt nëse njerëzit mendojnë se varësia jonë ndaj internetit është më e madhe se varësia jonë nga energjia elektrike ose frigoriferi.

Ju thatë në një intervistë se gjeneratat e ardhshme do të jetojnë 150 ose 200 vjet. Një vit më parë, duke folur me një studiues të njohur dhe nobelist, e pyeta se cili ishte problemi më i madh i planetit sipas mendimit të tij, dhe tha mbipopullimi. Nëse jetojmë 200 vjet, si mund t’i përgjigjet planeti kësaj popullate? A ka teknologjia zgjidhje për të propozuar?

Me një përgjigje të shpejtë po. Sot me gati 8 miliardë njerëz, nëse të gjithë do të jetonin deri në 200 vjet, dhe me një rritje normale të  popullsisë, do të arrinim shumë shpejt në 20 miliardë njerëz, aq sa është shifra që planeti mund të stehojë sipas Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera.

Nëse nuk kemi ndotje, nëse nuk kemi dioksid karboni, nëse kemi energji të pafund dhe falas mund të prodhojmë për shembull mish për konsum pa patur nevojën e bagëtive. Mund të kemi sa ujë të dëshirojmë. Mendoni se sa ndotje dhe humbje të burimeve vijnë nga bagëtitë, që ju dhe unë të mund të kemi një biftek për të ngrënë. Është qesharake.
Nëse ridizenjojmë të gjithë prodhimin e ushqimit, toka mund të strehojë shumë më tepër njerëz. Numrat të cilat ne dëgjojmë shpesh vijnë  nga mendime të vjetëruara për mënyrën sesi mund t’i ushqenim gjithë këta njerëz, ose si mund të kishim ajër të kondicionuar në çdo shtëpi në Afrikë. Ka gjëra që thuhet se nuk mund të bëhen pasi mendohet se kostot e energjisë janë të mëdha qoftë në para, ashtu edhe në aspektin mjedisor.

A mundet teknologjia të çlirojë njerëzit nga puna? Kjo, a nuk do të kërkonte një tjetër model ekonomik?

Modeli financiar është ndoshta më i lehti për t’u imagjinuar sesa modeli social. Sepse për shumë njerëz puna është pjesë e vetëvlerësimit, nuk është vetëm diçka që ju bëni për të fituar para për të blerë ushqim apo  paguar qiranë tuaj.
Nëse shikoni në të kaluarën do të zbuloni se puna është një ide relativisht e re. Nëse ktheheni në kohë, jo më se larg 150 vjet dhe shihni se si kanë  jetuar të pasurit ose mbretërit dhe fisnikët, zbuloni se ata dëgjonin muzikë, gatuanin dhe shkonin për gjueti …Argëtimi i tyre ishte të stërvisnin shpirtin e tyre, të kuptonin dhe vlerësonin muzikën, artin, etj.
Me fjalë të tjera, ju mund të imagjinoni një botë ku puna do të ketë shumë aspekte, por nuk do të jetë ashtu siç është sot, dhe unë mendoj se është më interesante dhe më sfiduese sesa një model ekonomik që do t’ju sigurojë të ardhura minimale të garantuara siç është ajo që disa njerëz aktualisht po tregtojnë si ide.

Dhe si mendoni, si do të jetë puna në të ardhmen. A nuk do të na duhen gjithmonë njerëzit për të ndërtuar ndërtesa?

Ndoshta jo, mbase robotët do ta bëjnë më mirë. Nëse shikoni botën sot, është interesante të vëzhgoni saktësisht se çfarë bëjnë fëmijët e njerëzve të pasur. Sepse ata padyshim nuk duhet të bëjnë atë që bëjnë shumica për të pasur sukses. Dhe do të shihni një numër mbresëlënës të fëmijëve të tillë që bëjnë gjëra të rëndësishme dhe kërkojnë të gjejnë një kuptim në jetën e tyre.

Ata janë artistë, shkrimtarë, bëjnë karrierë në kinema, në teatër, përfshihen në gjëra krijuese që nuk çojnë domosdoshmërisht në atë që prindërit dhe gjyshërit e tyre mund të kishin imagjinuar dhe pritur, duke nënkuptuar stabilitetin financiar.

Sigurisht që jo të gjithë fëmijët e bëjnë këtë, por është interesante të reflektojmë dhe të përpiqemi të nxjerrim disa përfundime se çfarë do të thotë kjo. Sepse ambicia juaj mund të mos jetë pasuria, sepse e keni atë. Ambicia juaj është të gjeni kuptim në jetën tuaj dhe të kërkoni gjëra që në të kaluarën dukeshin si luksoze.

A po kërcënon teknologjia intimitetin tonë, komunikimet tona? A mundet që një çift të bëjë dashuri në një plazh të shkretë pa rrezikuar të bëhet viral në internet?

Privatësia mund të jetë një ide relativisht e vjetëruar. Ka gjëra që njerëzit i konsiderojnë më pak të rëndësishme. Ka shumë pikëpamje të ndryshme për këtë temë. Para se të vija këtu, unë isha në Kinë dhe konkretisht në një kompani që bën sensorë të njohjes së fytyrës duke përdorur një teknologji shumë të përparuar. Ata më treguan një pamje live të një rruge të mbushur me njerëz dhe ata më thanë të kap mausin në kompjuter dhe të klikoj mbi çdo person që dëshiroj.

Ti klikon dhe menjëherë gjen emrin dhe adresën e vendbanimit të këtij njeriu, kështu që ju e shihni këtë dhe mendoni: O Zot, çfarë po ndodh. Nuk e fsheh se u ndjeva në siklet. Njerëzit e kompanisë më thanë: “Po, por ju e dini që kemi pasur shumë krime këtu dhe tani ato janë zhdukur.” Askujt prej nesh nuk i pëlqejnë këto kamera derisa fëmija ynë të lëndohet ose të rrezikohet dhe policia ta gjejë personin përgjegjës. Personalisht nuk do të shqetësohesha aq shumë për çështjen e intimitetit, por i kuptoj shqetësimet.

Ju keni përvojë të gjerë në teknologji dhe arsim. Çfarë do t’i këshillonit prindërit në lidhje me të ardhmen e fëmijëve të tyre?

Unë mendoj se në këto raste sa më pak të thuash aq më mirë. Gjëja më e vështirë për një prind është të mos bjerë në grackën e këtij sistemi të tërë me provime, nota, etj. për të mbështetur sistemin arsimor dhe jo mësimin e fëmijëve. Kjo është gjëja më e vështirë për mua për një prind.

Çfarë ka ndryshuar në edukimin e fëmijëve sot me përdorimin e Internetit dhe sistemeve të reja të komunikimit? A kemi studentë më të mirë dhe maturantë më të arsimuar sot?

Unë mendoj se sot kemi të diplomuar të cilët janë më kuriozë dhe më të ekspozuar ndaj informacionit, sepse ata kanë lindur në moshën e iPhone, ku mund të prekin një ekran dhe të komunikojnë. Ne nuk e kuptojmë saktësisht se si kjo gjeneratë ka një sens kontrolli që shumica prej nesh nuk e kanë. Ky sens kontrolli fillon me të kuptuarit që i riu mund të komunikojë përmes teknologjisë, të informohet, të mësojë. Pra, imagjinoni një shoqëri në të ardhmen që do të jetë më shumë kurioze për të mësuar. Nuk do të thotë që fillimisht kjo shoqëri do të jetë më e informuar, por do të jetojë në një mjedis ku është më e nevojshme të informohet.

https://www.cnn.gr/focus/story/196157/nikolas-negkroponte-sto-cnn-greece…

Shperndaje në: