LDK dhe VV pajtohen vetëm për kryeministrin, këto dy pozita mbeten në bisedime

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), duket se deri tash janë pajtue vetëm për postin e kryeministrit, i cili i asht besue partisë fituese të zgjedhjeve (LVV) dhe kandidatit të saj, Albin Kurti, transmeton Gazeta Metro.

Shkrimi i plotë:

Nga tri pozitat më të larta udhëheqëse politike në Kosovë, LDK dhe LVV ende nuk janë pajtuar për pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe atë të Presidentit të Kosovës, që mund të zbatohet pas skadimit të mandatit kushtetues të presidentit aktual, Vetëvendosje dhe LDK mbetet të diskutojnë në nivelin e takimeve të liderëve të të dy partive.

Bisedimet edhe për postin e Presidentit, i konfirmoi vetë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha të premten pas mbledhjes së Kryesisë së LDK’së se para se të formohet Qeveria, me Lëvizjen Vetëvendosje do të merren vesh edhe për postin e Presidentit.

Ai tha se nuk ka shprehur personalisht dëshirën për këtë post, por u shpreh në favor të marrëveshjes edhe për pozitën e shefit të shtetit.

Presidenti aktual, Hashim Thaçi, ka mandat kushtetues deri në vitin 2021. Por, pavarësisht këtij fakti, Vetëvendosje dhe LDK’ja paralajmërojnë edhe mundësinë që qysh tani të arrihet marrëveshja edhe për presidentin që do të zgjidhej më 2021.

Ndërkohë, gjatë takimeve në nivelin e grupeve punuese, VV dhe LDK, sipas përfaqësuesve të tyre, janë dakorduar rreth programit qeverisës.

Ky dakordim, sipas analistit të Grupit për Studime Juridike e Politike, Përparim Kryeziu, paraqet një të arritur në kuadër të negociatave për koalicion.

“Raportimet ë fundit dëshmojnë që ka një përafrim të programeve të të dy partive që buron nga vullneti dhe bashkëpunimi mes të dy partive, ndonëse ato u takojnë dy krahëve të ndryshëm të formimit politik. Kjo është shumë e rëndësishme për faktin që suksesi i qeverisë varet pikërisht nga programet qeverisëse”, tha Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Gjatë negociatave, një energji të konsiderueshme Vetëvendosja dhe LDK’ja e kanë shpenzuar edhe në reduktimin e numrit të ministrive. Nga 21 ministri sa ka Qeveria në largim e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, koalicioni i ardhshëm po pretendon të reduktojë numrin në 12 ministri, prej të cilave 10 do t’u takoninLLV’së dhe LDK’së, dhe dy subjekteve nga komunitetet joshumicë, përkatësisht një për komunitetin serb dhe një për komunitetet joserbe.

Përparim Kryeziu thotë se dy kryetarët e partive më të mëdha, e kanë për obligim që ta përmbyllim procesin e negociatave me marrëveshje, në mënyrë që Kosova ta ketë sa më shpejt Qeverinë e re.

“Duke e pasur parasysh që Kosova gjendet në një moment shumë të rëndësishëm historik dhe duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit që kanë treguar një vullnet të qytetarëve për ndryshim, konsideroj që këto dy parti kanë një përgjegjësi kombëtare që të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt. Të formojnë Qeverinë dhe të sigurohen që të përmbushin të gjitha zotimet, me të cilat e kanë marrë besimin e votuesve gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit”, theksoi Kryeziu.

Ndërkaq dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, pritet të diskutojnë për qasjen dhe pozicionin e Kosovës karshi vazhdimit të dialogut me Serbinë dhe përcaktimin e kornizave, mbi bazën e të cilave do të vazhdohen negociatat./Metro

Shperndaje në: