A ia mori LDK’ja dy deputetë AKR’s?

Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] dhe Lëvizja Vetëvendosje [VV] ende nuk kanë arritë me nënshkrue marrëveshjen për koalicion qeveritar pamvarësisht presionit të faktorëve ndërkombëtarë dhe po ashtu, presionit të kohës. Por, duket se tashma nji luftë e mbrendshme ka shpërthye mes tyne.

Shkrimi i plotë:

Kanë kaluar rrafsh një muaj, një javë e gjashtë ditë që nga 6 tetori, dita e zgjedhjeve të parakohshme. Dhe prej asaj dite, dy partitë që dolën të parat në zgjedhje kanë mbajtur shumë takime për ta harmonizuar programin e tyre qeveritar. Dhe, të gjitha takimet ishin të suksesshme. E sidoqoftë, duket se nuk e kanë nijet njëherë për njëherë që të firmosin koalicionin e ri.

Përveç mosmarrëveshjeve për pozitat qeveritare dhe për pozitën e kryetarit të shtetit del se po zhvillohet edhe një garë mes dy partive për deputetë në Legjislaturën e VII të Kuvendit të Kosovës.

Pas mosnumërimit të votave nga Serbia, Nisma-AKR kaloi pragun duke i rrudhur dy partitë e mëdha për pesë deputetë.

Vetëvendosje mbeti me 29 ndërsa LDK me 28. Dhe kjo duket se angështoi kryesinë e Vetëvendosjes, e cila e priti në zyrën e saj gjatë ditës së djeshme z.Elbert Krasniqi, deputet i zgjedhur egjiptas nga IRDK-ja. Pas takimit u njoftua se Krasniqi kishte kaluar në grupin e parlamentar të Vetëvendosjes.

Kjo bëri që Vetëvendosje të rikthente epërsinë prej dy deputetësh ndaj LDK-së, 30-28.

Por, siç merr vesh Periskopi, grupit të ardhshëm parlamentar të LDK-së do t’i bashkohen deputetët e AKR-së – gjithnjë nëse koalicioni i tyre me Nisma-n arrin të futet në Kuvend.

Dy deputetët e kësaj partie që morën më së shumti vota janë Behgjet Pacolli dhe Mirlinda Sopi-Krasniqi.

Në bazë të kësaj, del se do të kemi një barazim forcash në Kuvend mes LDK-së dhe VV-së, 30-30. Kjo nënkupton se koalicioni i ri është vetëm një votë mangut që të krijojë qeverinë e re pa pasur nevojë për pakicat joserbe. /Periskopi

Shperndaje në: