Vendi mundet me shkue prapë në zgjedhje – Qe kush po thotë (foto)

Zgjedhjet

Janë ba ma shumë se nji muej prej ditës kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Ndërkohë, janë ma shumë se 1000 vendvotime të cilat po rinumërohen. E, problemi ma i madh i këtij procesi zgjedhor, po konsiderohet pikërisht numërimi i votave të qytetarëve.

Njohësi i proceseve zgjedhore, Adnan Merovci, thotë për KP se në Kosovë duhet me pasë nji reformë teknike zgjedhore.

Shkrimi në KP:

Sipas tij vendi duhet të ketë një kod zgjedhor, që të gjitha sfidat të përshtaten me procesin zgjedhor.

Merovci thotë se ka pasur shumë parregullsi në numërimin e votave, ndërsa propozon që komisionerët të zgjidhen me konkurs publik, e jo të jenë militantë të subjekteve politike. Merovci thotë se fajin kryesor për këto parregullsi e ka vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“E para është KQZ-ja, që duhet ta pranojë fajin e vet dhe ajo me disa shtypje të disa listave të gabueshme. Kjo është faktori njeri, kush punon gabon, mirëpo nuk mundet tash të lavdërohet KQZ-ja, por të fajësohet se kjo është shmangie. E dyta subjektet politike duhet që komisionarët e vet të mos i ngashënjejnë që të jenë militantë. Bile të disa kandidatëve të caktuar. Ata janë të partive të caktuar dhe favorizojnë disa kandidatë, dhe kjo i shkakton disa momente. Mund të ndikojnë në prishje të rezultatit sepse e bëjnë të pavlefshëm fletëvotimin me gabime, që munden ta bëjnë. Çështja tjetër është e animit dhe mospërputhja e votave të kandidatëve me numrin e subjektit që shkakton përputhje prapë. Dhe kjo shkakton një ngecje dhe jemi këtu ku jemi”, thotë Merovci.

Derisa ka folur për reformë zgjedhore, Merovci nuk e sheh si zgjidhje numërimin direkt në QNR, pasi sipas tij edhe në këtë rast do të kishte shumë parregullsi.

Ai thekson se duhet të ndryshohet edhe përqindja e pragut zgjedhor.

“Për demokracinë tonë pragu do të duhej të ishte selektiv. 5 përqind me qenë koalicionet, 3 përqind subjektet politike dhe 1 përqind kandidatët e pavarur. A ka sot në Kosovë që është zgjedhur një kandidat i pavarur? Ka Kosova njerëz që kishin marrë vota të pavarura sikur të ishte një prag më i tejkalueshëm. Ti që të bëhesh deputet sot me këtë sistem zgjedhor, duhet t’i marrësh votat e shtatë deputetëve, komplet të pragut të tij. Që i bie të kalosh pragun 5 përqin, minimum 43 mijë vota. Mos të them se edhe çështja e pragut ka shkaktuar probleme”, shton Merovci.

Mervoci thotë se vendi prapë mund të shkojë në zgjedhje , jo për shkak të procesit zgjedhor por për shkak të dështimit të formimit të Qeverisë.

“Po ka mundësi nëse nuk krijohen institucionet, jo si rezultat i certifikimit, se nuk mund të shkohet në zgjedhje tjera pa u certifikuar këto zgjedhje. Por, si rezultat i mosarritjes në mënyrë ligjore të konstituimit dhe dihen format. Subjekti i parë me tentimin e parë nuk mund ta bëjë Qeverinë edhe tentimi i dytë dështon dhe me automatizëm shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Zgjedhjet e përsëritura më së paku i duhen Kosovës, është një rezultat dhe një moment jashtëzakonisht prekëse që shumë pak përmendet tek ne, që është kostoja. Pesë, gjashtë milionë i duhen shtesë, pesë-gjashtë milionë janë goxha para të mëdha dhe dëmtim i madh i Kosovës”, deklaron ai.

Votimi me postë sipas Merovcit është mënyrë jo e mirë, për shkak të parregullsive dhe vështirësive.

Albin Kurti, i cili po synon qeverisjen e re të ekzekutivit, ka premtuar se me ardhjen e tij në krye të Qeverisë, votimi i mërgatës do të bëhet në konsullata, e jo përmes postës. Për këtë Merovci thotë se do të ishte një mënyrë e mirë për t’iu shmangur parregullsive.

Ndryshe, aktualisht me vendim të PZAP-it janë duke u rinumëruar 1428 vendvotime, ku deri dje kanë përfunduar vetëm 50 përqind të tyre.

Shperndaje në: