Utopia e nji gjuhe si shëmti kombtare

Lisandri Kola

Dalëkadalë po vjen 50 vjetori i nji mumiet që gjuhëtarët shqiptarë stalinistë, e vunë në vitrinë në vitin 1972, tue iu gëzue njizetë vjetëve përpjekje për me e ba këtë gja (kujtojmë fillesat e 1952 për gjuhën e njësuar). Kështu që atë vjetë ‘u muer nji gjak’, ‘pëlciti rrashta e kaut te prroni’ e ‘drekë të mëdha u banë’. Dhambët e teneqta të diktatorit u zdeshën para aparateve fotografike dhe nisi rruga e nji atrofizimi shkencor. Në krahun tjetër distopia e gegëve ndejt si lule kryeultë në quk të zemrës, së bashku me mikun e hershëm të kësaj zone Profesorin e nderuem Çabejn. I vetmi që nuk u kompromentue edhe pse rrezikonte shumë tue qenë shok klase me diktatorin e për ma tepër gjinokastrit. Xhuvanit sigurisht i thanë krahët qyshse nji gegë tjetër i mori vajzën për grue. Ramiz Alia, asht shembulli i ‘sulmuesit të maskuem’ që nuk dihet a asht mesfushor a sulmues konktretisht. Historia e pruni që ishte sulmues i cili mbante në fanelë numrin 10. Pra Juda që shiti e bani pazar me rabinët e akademisë. Ritet sesi me e ba drekën i dinte mjaft mirë. Kishte qitë pushkë e njikohësisht kishte shkue në mort, i heshtun e me elokuenca klishe. Në fakt këto drekë kanë me u shtrue prapë. Kremtimi i atij viti të shênjuem ka me ba me hapë përsëri dyert e dekës kah gegët. E mandej ‘gjama e burrave ka me u përzie tërbueshëm’, tevona ‘gjethi i vjeshtës ka me ra i djegun mbi kapuçat e bardhë’. Projeksioni i kostallarëve sigurisht sot asht utopik, edhe pse tash për tash kemi nji gjuhë që valëvitet si flamur kombtar. Sepse asnji folës nuk e prodhon atë gjuhë, ngaqë ata nisën me mbjellë tokën pa e ditë sa dynym kanë në dispozicion. Prandej rezultoi se vullneti i folëse asht ndryshe e po ndryshe ai i akademikëve të politizuem. Nisë prej perspektivës tyne, ata ndërtuen njikohësisht edhe fjalorët e shqipes. Qëlloi se çarku i duhanit e bloi trashë fletën. Jam i interesuem me marrë nji shpjegim të vetëm, si dëshmi e injorancës së regjistrave gjuhësorë-fetarë që për fat të keq asht i pranishëm edhe sot. Si shpjegohet folja gege ‘shuguroj’ [mungesa e infinitivit ka ndërtue direkt marrëdhanie vetore] në FGJSH? Hiç ma pak se kështu: ‘Dorëzoj prift dikë ose i jap një titull tjetër fetar më të lartë me anë të një ceremonie fetare (në vendet ku vepron kisha katolike). E shuguroi prift (meshtar, ipeshkëv)’. Ky gjuhëtar që bante kryq në tri vende para se me e harrue këtë ritual simbolik në Komitet, dallohet se nuk ka pasë njohuni bazike për traditën gege. Prifti katolik nuk ‘dorëzohet’, ndryshe prej atij orthodoks. A mund të imagjinohet që Shtjefën Gjeçovi asht ‘dorëzue’ prift në nji kohë që me dashtë me i pa’ veshë zhgunin atij burri ishin dashtë me u çue nja tre Androklia tue lypë borxh edhe do Mahira për rrugë? Boll që tue pá mustakët e tij kacaturrë ishin detyrue me i ndeshë thembrat për fele. Kjo realisht asht katastrofike në tablonë shqiptare.

Ndërkaq sot nji tjetër person i asaj lagjet (me sa duket) shkruen për nji figurë si ajo e Mark Ndojës ‘Ka pasur formim fetar katolik dhe për një kohë shërbeu si dhjak’ (GSH, Milosao, 23. 06. 2019). Zotni Ben Andonit, me siguri nuk ia ka vra veshi këtë fjalën ‘dhjak’, apo me siguri si partizan pa kapele me yll nuk e ka ditë se kishat katolike shqiptare, ndikue prej traditës latine, kanë ‘djakon’ simbas parimit që mbaresa latine ‘-us’ në shqipe bjerret: d.m.th. ‘diaconus’ ka dhanë ‘djakon’. Shpjegimi në FGJSH fjalën ‘dhjak’ e lidhë direkt me traditën orthodokse që vjen prej greqishtes ‘d(h)iakonos’. Pra Mark Ndoja, z. Andoni, ka qenë ‘djakue’ ose ‘xhakue’ simbas të folmes së Shkodrës.

Kjo tregon edhe njiherë se gjuha standarde asht nji ‘njisim’ i nxituem, i pastudiuem në total që vijon me ba gabime serioze socio-kulturore dhe prek identitetin e individit (që mund të lidhet edhe me religjionin). Etikisht kjo paraqet nji fyemje, mungesë respekti për lirinë e traditën e tjetrit. Por tue qenë se shoqnia shqiptare në komunizëm nuk e ka njohë diversitetin kulturor por vetëm afinitetin e kuq, detyrimisht edhe fusha e gjuhësisë asht prekë nga kjo sëmundje. Askush nuk flet, por distopinë e ligjshme të gegëve e cilësojnë si ‘protagonizëm krahinor’, çka asht patjetër shkelje e të drejtave njerëzore dhe jodinjitoze për shkencën.

Tash pritet që do gjuhëtarë e adakemikë me u vërsulë në foltore për këtë shëmtí që kanë prodhue vetë. Me u ulë porsi ‘ujqit prej malesh e me pi gjak në përrue’. Mediat kanë me shkrue se ‘drekë të mëdha u banë’ për pesëdhetëvjetshin e gjuhës së njësuar, dhetëfish ma e re se tradita e gjuhës shqipe gege; ma saktë 560 vjet ma e moçme, kur nji prift i shuguruem e me emnin Pal Ejlli, u lênte djakojve të ardhshëm si dëshmi formulën e pagëzimit./ Sbunker  

Shperndaje në: