Si arriti BE me ballkanizue Ballkanin

Katerina Kolozova

 

Ky është momenti i duhur kur Europa Perëndimore duhet të kuptojë se ka më shumë se një mënyrë për t’u bërë europian.

Më 18 tetor, Franca ishte e vetme në kundërshtimin që i bëri pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zyrtarë të lartë dhe udhëheqës të BE-së, si Donald Tusk, Jean-Claude Junker dhe Komisioneri Johannes Hahn shprehën keqardhje ndaj vendimit të qeverisë franceze.

Studiues dhe vëzhgues të ndryshëm e përshkruan votën e Presidentit francez Emmanuel Macron si një “gabim të madh”, analizon Katerina Kolozova.

Justifikimi që z. Macron i bëri “jo-së së tij historike” në pranimin e hapjes së negociatave të pranimit të dy shteteve të mësipërme ishte se ai nuk mund t’i siguronte njerëzit e tij se gjithçka “po shkonte vaj”, sa ai të pranojnë të hapë negociatat, kur ndërkohë numri i shqiptarëve që po aplikojnë për azil në Francë po rritet nga dita në ditë.

Kjo frikë e imigracionit nga brenda Europës nxjerr në pah faktin se jo të gjithë europianët shihen si të barabartë, p.sh., disa europianë janë dukshëm më europianë se të tjerët.

Nuk është çudi që instrumentet dhe nismat e ndryshme që kanë qenë pjesë e procesit të integrimit europian quhen “Europianizim”.

T’i përkasësh të njëjtit kontinent dhe të ndash trashëgimi kulturore të ngjashme, mesa duket nuk është ajo çka europianizmi do të thotë.

Përkundrazi, elementet që të bëjnë një europian të vërtetë, duket se ende i përkasin një shteti kapitalist dhe neoliberal të pasur, veçanërisht një fuqie të mëparshme koloniale, e cila ende gëzon disa përfitime pas koloniale.

Të gjitha shtetet ish-komuniste të këtij kontinenti pritet të imitojnë këtë model përmes procesit të ashtuquajtur të integrimit, duke miratuar “masa”, “instrumente” dhe “reforma” të diktuara nga teknokratët perëndimorë. Premisa e këtij procesi tradhton një supozim të fshehtë në lidhje me tendencat drejt shkeljes së ligjeve dhe korrupsionit në vendet e Europës Lindore, dhe veçanërisht Ballkanit.

Ashtu siç e ka theksuar edhe historiania bullgare, Maria Todorova, në librin e saj “E ardhmja e Ballkanit”, Europa Perëndimore e ballkanizoi Ballkanin në të njëjtën mënyrë siç veproi edhe me Lindjen (këtë teori e mbështet edhe Edward Said). Pas pohimit të këtij mendimi, për disa europianë mund të jetë krijuar perceptimi se znj. Todorova ka shkruar nga këndvështrimi i një “emigranteje” potenciale. Por ajo na siguron se ka shkruar nga këndvështrimi i një qytetareje europiane.

 “Në të njëjtën kohë, si pasojë e bindjeve të majta, pranimi im për të qenë një europiane e vërtetë, mund të tingëllojë për shumë të majtë, si një tradhti ndaj idealeve të këtij krahu politik, që zakonisht është shumë europskeptik. Sidoqoftë, kjo nuk është tradhti e asnjë lloj forme dhe ne nuk duhet të harrojmë se socializmi si ide bazohet në modernizmin europian. Unë u rrita në Jugosllavinë socialiste, ku edukimi ynë dhe i gjithë këndvështrimi ynë mbi botën, sidomos për shkak të inkuadrimit të tij ideologjik, ishte europian sa i takon traditës dhe vizionit të së ardhmes.

Për më tepër, teksa e forconte brandin e vet të regjimit socialist, Federata jugosllave ishte mjaft e hapur ndaj Europës Perëndimore dhe u krijonte mundësinë qytetarëve të saj që të lëviznin lirisht në Perëndim. “Pas shpërbërjes së saj, të gjithë banorët e Jugosllavisë menduan se do të hynin menjëherë në Bashkimin Europian, sepse, në fund të fundit, ata ishin europianë, ishim nga Europa dhe gjithmonë kishin menduar se ishin pjesë e saj”, u shpreh znj. Todorova. Ajo thotë më tej se “kjo ishte një pritshmëri më se spontane dhe ne u ndiem të gjithë të tradhtuar në momentin kur në vitet 1990, BE-ja na kërkoi që t’i nënshtroheshim ‘europianizimit’ para se të quheshin zyrtarisht ‘europianë’. Ndiheshim të poshtëruar por duhej ta pranonim këtë ‘shuplakë’ nga vëllezërit dhe motrat tona më të sofistikuara, më të zhvilluara dhe më të pasura nga Europa.

Ne filluam t’i referohemi “demokracisë së tyre të përparuar” sikur të ishte modeli më i mirë dhe i vetëm drejt mirëqenies dhe zhvillimit të mëtejshëm (i cili kohët e fundit është vërtetuar se është shumë më i prekshëm, i paqëndrueshëm dhe i ndjeshëm ndaj sundimeve të ekstremit të djathtë). Por, aq e fortë ishte trysnia e europianizmit, sa ne vërtet filluam të besojmë në inferioritetin tonë të lindur.

Prandaj, ne ndërmorën rrugën e transformimit kolosal, çmontuam sistemin tonë socialist, privatizuam të gjitha industritë tona, shkurtuam buxhetet për shërbimet themelore si arsimi dhe kujdesi shëndetësor, mësuam se si të jemi konservatorë të vërtetë, duke braktisur idealet e barazisë gjinore dhe sekularizmin e fortë që i kishim trashëguar nga gjysmë shekulli socializëm.

Mbi themelet e një sistemi tjetër, edhe pse bëhej fjalë për një sistem të zhvilluar dhe në mes të situatës kaotike që sollën vitet e konfliktit, ne pritej që të ndërtonim nga e para një demokraci liberale, plotësisht të zhvilluar perëndimore, edhe pse ne po përballeshim me barrën e rëndë të thellimit të nivelit të varfërisë dhe të traumës që na shkaktoi një transformim i tillë.

Shoqëria jonë po shkatërrohej, ndërkohë që ne pritej që të ndërtonim një shoqëri të re, të krijonim institucione të reja dhe të formësonim një mentalitet të ri, sikur të kishte diçka thellësisht të gabuar ose ‘jo-europiane’ në lidhje me mentalitetin tonë të mëparshëm”.

Ky proces gjatë të cilit shkatërrohej një sistem i mëparshëm dhe ndërtohej një sistem krejtësisht i ri, u quajt me eufemizëm “tranzicion”. Ashtu siç shumë prej nesh mund të kishin parashikuar, një proces i tillë nuk u krye as brenda një kohe shumë të shkurtër dhe mbi të gjitha, as në mënyrë të suksesshme, sepse konkurrenca nuk ishte aspak e drejtë.

Hapja e tregjeve tona drejt kapitalizmit të zhvilluar të Perëndimit dhe ndërmarrja e reformave neo-liberale i shteroi burimet tnjerëzore dhe ekonomike ndërsa ne vazhdonim të përpiqeshim me të gjitha forcat tona. Ndërkohë, ndikimet konservatore “jo-europiane” u përhapën kryesisht në rajonet laike dhe ato multikulturore të ish-Jugosllavisë.

Forcat e tjera gjeopolitike, ndikimi i të cilave e frikësonte BE-në si Rusia, Kina, Turqia, Arabia Saudite, etj, arritën të ndërhyjnë dhe sabotojnë procesin e panevojshëm të “europianizimit”, që Perëndimi e kishte kërkuar me aq insistim. Në këtë periudhë të gjatë pritjeje, teksa ne bënim hapa para dhe mbrapa në Dhomën e Pritjes së BE-së, nisëm dalëngadalë “t’i largoheshim europianizimit”.

Sot, pas gjithë asaj që ndodhi, është e qartë se BE-ja nuk do të arrijë stabilitet dhe prosperitet, vetëm nëse ajo do të përpiqet të krijojë një territor me të vërtetë të unifikuar në kontinent. Bashkimi i territoreve të pazhvilluara, që nuk janë pjesë e BE-së dhe janë ende të hapura ndaj ndikimeve konservatore “jo-europiane” do të shoqërohet, në mënyrë të pashmangshme, me pakënaqësi të shumta.

Në mënyrë që Bashkimi Europian të arrijë të funksionojë ashtu siç duhet, ai duhet të rikrijojë fillimisht veten.

Në vend që ta shohë veten si një klub elitar, ai duhet të përdorë një qasje gjeopolitike më integruese dhe të pranojë faktin se mund të bëhet shumë më shumë se sa thjesht nocioni i “Europianizimit”.

(Katerina Kolozova asht profesore e filozofisë dhe teorisë politike në Maqedoni)

Shperndaje në: