Menopauza: Mite dhe të vërteta

Kur bahet fjalë për ndryshimet e mëdhaja në trupin tuej (për femnat), menopauza, puberteti dhe shtatzania janë ma kryesoret. Por, ndryshe nga puberteti dhe shtatzania, për menopauzën nuk ka nji guidë të caktueme që mundet me u ndjekë.

Kështu, lidhun me menopauzën janë krijue shumë keqkuptime dhe mite.

Për shembull keni mujt me ndigjue që gjatë kësaj kohe nuk mundeni me flejt mirë apo  keni me pasë dhimbje të vazhdueshme. Por, e vërteta asht se menopauza asht nji periudhë që ndryshon nga personi në person.

Ma poshtë keni disa të vërteta dhe mite rreth menopauzës:

  • Gjatë menopauzës do të shtoni të paktën 5 kg, pavarësisht çdo gjëje. – Mit

Shtimi në peshë është i zakonshëm gjatë menopauzës, gjithsesi shumica e grave shtojnë vetëm 2 – 3 kg dhe jo më shumë. Kjo mund të shkaktohet nga nivelet më të ulëta të estrogjenit, një metabolizëm më i ngadaltë dhe zvogëlimi i masës muskulare që ndodh natyrshëm me plakjen.

Por shtimi i peshës nuk është i paevitueshëm. Ka gjëra që mund të bëni për ta mbajtur peshën tuaj konstante, duke filluar me ushtrim fizik. Rekomandohet 45 minuta kardio, 5 herë në javë për të djegur kaloritë dhe ndërtuar masë muskulare. Gjithashtu në të 50 – at trupi ka nevojë për 10% më pak kalori se në të 30 – at.

  • Menopauza rrit gjasat për tu prekur nga sëmundje të caktuara. – E vërtetë

Nivelet e ulëta të estrogjenit dhe progesteronit rrisin riskun për t’u prekur nga probleme serioze të shëndetit si sëmundjet e zemrës, goditja në tru dhe osteoporoza. Por ju mund të ndërmerrni hapa për mbrojtjen e shëndetit tuaj, si përshembull 45 minuta aktivitet fizik në ditë dhe ushqyerja e shëndetshme (shumë fruta dhe perime, yndyrna të shëndetshme, drithëra etj.).

Flisni me mjekun tuaj nëse mund të përfitoni nga suplemente si vitamina B, që ndihmon për të mbajtur qelizat e gjakut dhe ato nervore të shëndetshme por është e vështirë të absorbohet nga ushqimi me kalimin e moshës.  Gjithashtu, suplementët e vitaminës D mund të ruajnë shëndetin e kockave dhe reduktojnë rrezikun e osteoporozës.

  • Pas menopauzës do keni gjithmonë dhimbje gjatë seksit. – Mit

Nivelet më të ulëta të estrogjenit shkaktojnë hollimin e indeve të vaginës dhe vulvës. Kjo mund të sjellë një ndjenjë djegieje apo ngushtësie gjatë seksit. Por kjo nuk është e paevitueshme. Mund të përdorni kremra vaginalë zbutës në mënyrë që të shmangni këto probleme. Nëse këto kremra nuk bëjnë punë atëherë mjekja juaj mund t’ju rekomandojë kremra vaginalë estrogjeni ose diçka tjetër.

  • Menopauza mund t’ju shkaktojë probleme me gjumin. – E vërtetë

Studimet tregojnë se çereku i grave vuajnë nga pagjumësia gjatë menopauzës. Shumë prej tyre mund të kenë probleme me gjumin për shkak të nxehtësisë që ndiejnë gjatë natës. Për ta shmangur këtë mund të provoni të mbani një freskuese afër krevatit tuaj apo të vishni rroba të lehta, të gjëra.

  • Nuk duhet të merren zëvendësues hormonesh. – Mit

Ekspertët bien dakort që estrogjeni sintetik mund të luajë një rol të rëndësishëm në ngritjen e niveleve të ulëta të estrogjenit, duke shmangur kështu dhimbjen gjatë seksit, djersitjen dhe nxehstësinë gjatë natës etj. Por, meqë përfitimet jo gjithmonë janë më të mëdha se risku potencial, është e rëndësishme të dini se si mund të ndikojnë te ju para se të filloni t’i merrni. Gjithmonë duhet të konsultoheni me mjekun.

Burimi: Prevention

Përshtati në shqip: Arlinda Rexhmati

Shperndaje në: