Analizë: Para samitit të NATO’s, Serbia ndrydhet mes Perëndimit dhe Rusisë

Luke Baker dhe Aleksandar Vasovic / Reuters

 

Presidenti Francez Emmanuel Macron, qysh në Tetor e vuri në pikëpyetje efektivitetin e NATO’s, e shtypi ‘pauzën’ për zgjërimin e BE’së dhe kërkoi një ‘marrëdhënie të re strategjike’ me Rusinë.

Shumë shtete kanë arësye t’i kushtojnë vëmendje për stilin e tij të “trazimit” të diplomacisë, vetëm Serbia i ndjeu fjalët e tij me aq lezet.

Sa i përket Beogradit, çdo tërheqje nga Europa ose NATO do të krijonte hapësirë për Rusinë që ta mbush atë boshllëk, duke ditur lidhjet e afërta politike, ushtarake dhe ekonomike që i ka Moska me kushëririn e vet nga Ballkani – një shtet i afërm Sllav dhe i Krishterë Ortodoks.

Me gjasë, kjo duhet t’i shqetësojë liderët e NATO’s, të cilët mblidhen javën e ardhshme në Britani për të kuvenduar për  të ardhmen e aleancës së tyre ushtarake, pasi që Ballkani, ngjashëm me Balltikun, mund të shihet si një gardh kundër ndikimit të Moskës.

Një zyrtar i NATO’s tha: “NATO punon që të promovojë stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor. Çdo ndërhyrje nga jashtë në proceset demokratike është e papranueshme. Ne kërkojmë nga Rusia ta bëjë të njëjtën gjë”.

Shembulli i fundit, ku dyshohet për një ndërhyrje, agjencitë e inteligjencës Serbe zbuluan dëshmi për kontaktet e spiunëve Rus me ish oficerët e ushtrisë Serbe.

Ministria për Punë të Jashtme Ruse e hodhi posht këtë raportim, duke e quajtur atë si një “provokim”, ndërsa, Kryetari Serb Vuçiç pat thënë se ky incident nuk i dëmton fare marrëdhëniet e tyre miqësore, duke shtuar se, ai është i bindur se Presidenti Vlladimir Putin “nuk ka qenë i informuar për këtë ngjarje”.

Jashtë NATO’s

Kah mesi i Tetorit kumbuan këmbanat e alarmit, kur Makroni refuzoi ta nënshkruajë pranimin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, dy fqinjë të Serbisë, që t’i nisin bisedimet për t’iu bashkuar BE’së.

Makron shfaqi shqetësim për zgjërimin e BE’së, duke u arsyetuar se grupi prej 28 shtetesh e ka dyfishuar masën e vet gjatë 15 viteve të fundit, dhe se duhet ta vlerësojnë largimin e Britanisë që akoma rri pezull dhe se duhet të mendohet mirë për kriteret që do zbatohen, për ata që lypin të bashkohen në BE.

Meqë, Serbia tashmë ka nisur bisedimet për anëtarësim, ajo e ndjeu ftohtësinë e refuzimit të Makronit për ta hapur derën të tjerëve.

Në ndërkohë, ndonëse gati të gjitha shtetet përreth saj i janë bashkëngjitur NATO’s, Serbia mbetet jashtë dhe këmbëngul të mbetet neutrale, pasi që akoma është e freskët kujtesa për bombardimin e territorit të saj nga  NATO më 1999’ën.

Ajo merr pjesë në “partneritetin për paqe” të NATO’s dhe merr pjesë në ushtrimet e NATO’s, por ushtria e saj i ka lidhjet me Rusinë dhe Moska e furnizon me teknologji dhe i ofron tutorësi, tash më së fundi duke e dërguar në Serbi sistemin për mbrojtje nga raketat ajrore S-400 për t’u ushtruar.

Gjithashtu, Rusia rregullisht e furnizon me aviona luftarake dhe armatime të tjera.

Dobia nga gazsjellësi

Analistët thonë se, problemi më i madh për BE’në qëndron në dobësinë e sundimit të ligjit në Serbi.

Dimitar Bechev një specialist për ndikimin Rus në rajon dhe anëtarë i përkohshëm në Këshillin Atllantik, thotë: “Nuk është Rusia ajo që e brengos BE’në, por rrethanat që mundësojnë  Rusinë  ta ushtrojë ndikimin e vet – mungesa e sundimit të ligjit, mungesa e përgjegjësisë, zaptimi i shtetit, korrupsioni”.

Më tej vazhdon: “Këto janë dukuri lokale, por Rusia e di se si të veprojë në rrethana të tilla dhe fuqizohet nga ato”.

Ndonëse Moska nuk ka para që të përballet qoftë me Kinën, qoftë me BE’në për të investuar në rajon, ajo akoma ka dobitë e saj.

Gazsjellësi ‘Turkstream’, që duhet ta furnizojë Europën me gazin Rus, duke e anashkaluar Ukrainën, shkon në Serbi përmes Bullgarisë para se të mbërrijë në Hungari, i cili duhet t’i furnizojë Gjermaninë, Austrinë dhe të tjerët.

Kjo e bën Serbinë një lidhje kyçe për gazsjellësin e BE’së, ngjashëm me rolin që e luan Ukraina si përçues i gazit në BE.

Ish diplomati ushtarak dhe anëtar i Qendrës për Politikë të Jashtme një think- tank i Beogradit, Millan Karagaca, mendon se Rusia nuk ka plane që ta shfrytëzojë strategjikisht Serbinë, por se e sheh atë si “një depozit në lojën e saj të madhe me Perëndimin”.

Detyra e Serbisë është që të ketë marrëdhënie të mira me Moskën, nga ana tjetër ta bind Brukselin se i plotëson kërkesat që vinë  nga BE’ja për t’u anëtarësuar dhe ta shmang lidhjen me NATO’n.

Një zyrtar qeveritar, i cili deshi ta fsheh emrin, tha se Serbia synon të mirëmbajë drejtpeshimin midis Rusisë dhe Perëndimit. “Asnjë shtet ose organizëm ndërkombëtarë nuk mund të pohojë se ne jemi në  sferën e ndikimit të tyre”- ka thënë zyrtari paemër.

Sidoqoftë rezultati, Serbia rrezikon të mbarojë si një copë e vogël në lojën e madhe gjeopolitike, e cila u përshpejtua, prej kur Makroni e qortoi NATO’n dhe e shtroi dyshimin për aftësitë e Europës.

Nga ana tjetër, nëse Serbia do bashkohet me BE’në, Bechev thotë se ajo do jetë përafërsisht si Kipri dhe Hungaria, dy shtete anëtare të BE’së,  me lidhje të ngushta me Moskën.

Ai tha: “Nëse Serbia e dobët ose pro-Ruse, një ditë  do bëhet anëtare e BE’së, edhe për Rusinë do jetë një rezultat i mirë”.

(Përktheu: Shaqir Islami. Marrë nga Rueters)

Shperndaje në: