Trump e quen kryeministrin kanadez “njeri me dy ftyra”

Presidenti i SHBA, Donald Trump, e quejti Kryeministrin kanadez, Justin Trudeau, si “njeri me dy ftyra” mbasi ky i fundit u kap në kamera tue ironizue nji konferencë shtypi të Presidentit Trump.

Shkrimi:

Incidenti ndodhi të martën mbrëma gjatë një pritjeje në Pallatin Buckingham, pasi zoti Trump kishte kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron dhe udhëheqës të tjerë kur iu përgjigj gazetarëve në prag të samitit të NATO-s.

Macron, Trudeau, Kryeministri britanik Boris Johnson dhe Kryeministri hollandez Mark Rutte u filmuan duke biseduar në pritje, së bashku me vajzën e mbretëreshës Elizabeth, Princeshën Anne.

“A është kjo arsyeja pse u vonove?” e pyeti Kryeministri Johnson Presidentin Macron.

“.. Ishte si një konferencë shtypi 40-minutëshe. Po, po, po! Dyzet minuta,” tha Trudeau.

Të pranishmit shkëmbyen edhe fjalë të tjera por nuk ishte e mundur të dëgjoheshin.

Pastaj, Trudeau shtoi me të qeshur: “Po shihja se si ekipi i tij mbeti i habitur.”

I pyetur të mërkurën për komentet e zotit Trudeau, Presidenti Trump u përgjigj: “Ai është me dy fytyra.”

Ai la të kuptohet se Kryeministri Trudeau ishte i mërzitur pasi ishte kritikuar prej tij që nuk kishte përmbushur objektivin e shpenzimit të 2% të prodhimit kombëtar për mbrojtjen.

“Ai më duket djalë shumë i mirë, por ju e dini se në të vërtetë unë e kritikova për faktin që ai nuk po paguan 2% dhe mund të konstatoj se ai nuk është aspak i kënaqur për këtë,” tha Presidenti Trump në një konferencë shtypi me kancelaren gjermane Angela Merkel.

“Ai nuk po paguan 2% dhe duhet ta paguajë,” shtoi zoti Trump. “Kanadaja ka para. Unë përfaqësoj SHBA dhe ai duhet të paguajë më shumë sesa paguan, ai e kupton … E imagjinoj që që ai nuk është aq i kënaqur por ky është realiteti.”

/VOA/

Shperndaje në: