Çka shkruen gjuhetarja Ledi Shamku per Ligjin per Gjuhen

DY FJALË SHKURT PËR LIGJIN E GJUHËS
(“Njih vetveten dhe mposhte!”)

Ledi Shamku Shkreli

 

Shkurt, pasi kam shkruar shpesh për këtë përçapje ligjore, e cila ka moshën e tranzicionit, pra ka nja 20 e kusur vjet që propozohet. Mesa duket propozuesit e çdo kohe nuk duan ta pranojnë se nuk është më “ajo kohë”.

1. Ligji propozon të “mbrojë” gjuhën nga përdoruesit e saj. Pra nga bashkësia shqipfolëse e cila në mënyrë të natyrshme, sociale e demokratike, si çdo bashkësi e kësaj bote, ndoron shqipen përditë e përjetë. Ligji kërkon të jetë purteka e thantë e kësaj bashkësie. Thuajani këtë cilitdo gjuhëtar profesionist në Europë, dhe do mënjanohet me kujdes për t’i telefonuar urgjencës.

2. Të ashtuquajturit “dëmtues” të gjuhës shqipe kanë qenë nxënës apo jo? Kanë pasur mësues gjuhe. Nxënësit e sotëm kanë mësues apo jo? Të gjithë këta mësues të djeshëm e të sotëm që “prodhokan” shqipe të “dënueshme me ligj” kanë qenë studentë Gjuhë-Letërsie apo jo? KANË QENË STUDENTË TË KËTYRE ISH-PEDAGOGËVE QË SOT PROPOZOJNË SHKOPIN E LIGJIT. NGA SE DUAN TA MBROJNË PRA KËTA PROPOZUES GJUHËN, NGA DËSHTIMI I ATYRE VETË?! SE KANË DËSHTUAR ATA NËSE AJO ÇFARË KANË MBJELLË DJE ËSHTË AJO QË KORRIM SOT.
“Nosce te ipsum, vince te ipsum” – do thonin në këtë rast romakët, pra njih vetveten dhe mposhte!

3. Shqipja sot ka probleme të ndarjes së regjistrave, të ndarjes së situatava, të të kuptuarit se cili është regjistri i lartë e kur përdoret. Shqipes sot ende nuk ia pranojnë regjistrat e mesëm. Shqipja sot ka probleme serioze të Kulturës së Gjuhës. Dhe më thoni si rrinë bashkë Shkopi i Ligjit dhe Kultura Gjuhësore, përveçse në mendjet e shkoparëve qê vijnë nga Koha e Shkopit.
Shqipja sot kërkon një Shkollë të Re se është pa shkollë! A doni me e kuptu që Shqipja është pa shkollë tash sa dekada? Shkolla e Shkopit ka vdekë dhe Shkolla e Kulturës nuk po bëhet e gjallë. Kaq.


 

Gjuhetarja nga Tirana, Ledi Shamku, i vetmi za qe shquhet nder gjuhetaret e Shqipnise, kishte reague ndaj keso propozimesh edhe ne vitin 2015, ne nji leter adresue Ardian Klosit:

Prapë nga mediat, lexova një numër të revistës “Gjuha Jonë”, dhe m’u desh të dilja për ajër mbasi mbarova shfletimin. Si mund të degradojë një revistë shkencore e të shkruhet me një gjuhë shitësish dengu te tregu i rraqeve! Seç lexova ca epitete: “arixhofkë gojëgardhë” e plot të tjera.

Dhe asnjë argument shkencor. Kam hall se do iu bërtasë Kostallari ngaqë kanë humbur gjakftohtësinë duke dalë në fis siç janë, pa nuk kam merak tjetër. Veçse Dan, marrëzia ka kapur pjesë jetike duke u bërë ngjitëse. Ligji i Gjuhës, ndryshe Fantazma e Operës, u shfaq sërish. Madje jo vetëm në Tiranën e Likurgut, po tani nxori bishtin edhe në Prishtinë. E kotë të ta them ty sa i marrë e i jashtëkohshëm është një ligj për gjuhën. Ti e din që Franca dikur e provoi me ministrin famëkeq Toubon dhe u bë gaz i botës për ca vjet derisa e shfuqizoi atë palo ligj. Dhe po ashtu ti e din që përmirësimet në gjuhë bëhen me edukatorë e jo me policë, po këndej ka mbetë ora te bilbili i policit, me sa duket. Thuaju një fjalë edhe ti atyre të Prishtinës të mos luajnë mendsh e të heqin dorë nga dështime që i ka paralajmëruar historia; së paku të mos luajë mendsh Prishtina e të na mbetet për sqarim vetëm Tirana.

Dan, duro, duro, se s’ka të sosur: këtu në Tiranën tonë, këtë Ligjin Ndëshkues për Mbrojtjen e Gjuhës a din që e kërkojnë edhe do “sociolinguistë”??!!! Poooo Dan pooooo, mos kërce kot pupthi, se kam kërcyer unë tutje-tëhu kur e lexova, kështu që rri e më dëgjo. Po, e kërkojnë edhe ca “sociolinguistë” – hap sytë te thonjëzat! Sociolinguisti Dan, është deskriptivist, është horacian i tipit “si volet usus, quem penes arbitrium est” (shqip: nëse do dojë përdorimi, që është zoti i vërtetë i gjuhës), sociolinguisti o Dan, është mik me Jakobsonin dhe me moton e tij “linguista sum, linguistici nihil a me alienum puto” (jam gjuhëtar dhe asgjë e gjuhës nuk është e huaj për mua). Dhe tek e mbrama o Dan, sociolinguistin nuk e zë gjumi se si t’i përmirësojë kushtet sociale edhe përmes edukimit gjuhësor. Përfshin, nuk përjashton sociolinguisti Dan, dhe shembuj bota ka plot. Tash, një ligj për gjuhën o Dan, parakupton detyrimisht edhe një gjykatë linguistike, edhe një polici linguistike, edhe ca gjoba e dënime po ashtu linguistike.

Së pari, më thuaj, a ia ha mendja ndokujt o Dan, se një sociolinguist mund të kërkojë e të jetë dakord me një gjykatë linguistike, me një polici linguistike, e me gjoba e dënime po ashtu linguistike?! Është jashtë besojmes së vet, Dan, është në kundërshtim të plotë me besojmen e sociolinguistit! Është njësoj si të çohet Kisha e të kërkojë me të madhe Eutanazinë me ligj. Ja kështu është! Ja që në tokën e Likurgut të madh, likurgët e vegjël nuk dinë nga t’ia mbajnë e shpikin nevojën për shkopinj e kamxhikë! Këto ishin lajmet. Pos këtyre, unë jam mirë (se harrova të ta them). Por nuk harroj të të them se më ka marrë shumë malli për ty. Dhe me këtë pohim po e mbyll. Flasim prapë Dan! Qofsh mirë!

Bisedë’ me Klosin, “duan ligj për gjuhën”
21 Tetor, 2015

 

 

 

Shperndaje në: