Shqipen po e shohim, por si qendron puna me Anglishten Standarde (studim)

Kufijtë e anglishtes standarde

Nga David Shariatmadari

Pak grupe të mëdha të anglisht folësve janë stigmatizuar historikisht më shumë se njerëzit e zinj. Në kohën e skllavërisë, kjo stigmë ishte e parashikuar në ligj – madje edhe pas emancipimit, janë përdorur masa ligjore për të siguruar që njerëzit e zinj nuk mund të votonin me lehtësi, nuk mund të kishin qasje në arsim, transport të mirëfilltë, etj. Që nga epoka e të drejtave civile, shumë barriera ligjore për barazinë janë hequr, por shoqëria ka ende punë për të bërë. Tani në dekadën e dytë të shekullit njëzet e nje, njerëzit e zinj kanë pothuajse pesë herë më shumë gjasa të burgosen se sa njerëzit e bardhë, pavarësisht se përbëjnë vetëm 13 përqind të popullsisë. Prandaj nuk është për t’u habitur që dialekti, të cilin e flasin shumë njerëz të zinj, është i stigmatizuar, në një masë aq të madhe sa shpesh i mohohet statusi i dialektit, duke u bërë thjesht anglishte “e keqe”. Ky mendim është rrënjosur kaq thellë, sa madje është marrë edhe nga vetë njerëzit e zinj.

“Nuk ka diçka të tillë si ‘të folurit e bardhë’… Në të vërtetë quhet ‘e folur e rrjedhshme’, kur flet saktë gjuhën tënde. Nuk e di pse kemi arritur në një pikë ku si kulturë – si racë – nëse flet sikur ke më shumë arsim se pesë klasë, është diçka e keqe.” Ky ishte argumenti i një gruaje të re zezake, video e së cilës për këtë temë u bë virale në vitin 2014. Sipas pikëpamjes së saj, duke folur atë që gjuhëtarët e quajnë Anglishte Vernakulare Afrikano-Amerikane (AAVE) nuk po flet anglisht ‘rrjedhshëm’. Ajo është anglishte ‘e keqe’ – lloji i anglishtes që personi duhet ta ndryshojë pa i mbushur njëmbëdhjetë vjeç. Siç thotë edhe gazetarja Jamelle Bouie që shkroi në lidhje me videon, “ideja se zezakët e amerikës e denigrojnë ‘anglishten e duhur’ dhe arsimin gjuhësor duke përdorur një version të ‘prishur’ të gjuhës ka gjetur vend midis shumë amerikanëve, përfshirë edhe vetë zezakët.”

Është interesante se shumica e njerëzve që flasin anglisht, kudo ku jetojnë, janë në një farë mase të familjarizuar me AAVE. Kjo për shkak të përhapjes së gjithanëshme të kulturës së zezë përmes filmave dhe muzikës, përfshi këtu popullaritetin masiv të hip-hop. Pavarësisht se stigmatizohet brenda në Amerikë, dialekti admirohet në të gjithë botën, ndoshta sepse shihet si “i çartur”, si zhargon i romantizuar i bandave të gangsterëve dhe tregtarëve të drogës. Kështu që kur britanikët ose australianët lexojnë fraza si “I ain’t lyin (nuk po gënjej)”, I ain’t never seen nothin’ like it, (nuk kam parë kurrë diçka të tillë)” “He be workin’ hard, (Ka punuar fort)” ata mund ta identifikojnë menjëherë folësin si zezak; duke pasur një theks dhe intonacion të caktuar në mendje.

E megjithatë, për shkak se ky dialekt është shumë afër anglishtes standarde, dhe përdoret nga një grup, statusi i të cilit është përgjithësisht i ulët, etiketohet si “e folme e trashë”, “zhargon”, ose “geto”. Etiketa e fundit, megjithëse e ngarkuar me para-gjykim racor, të paktën ka kuptim gjuhësor. E dimë se dialektet zhvillohen në një izolim gjeografik. Në zonat e qyteteve kryesisht të populluar me zezakë për disa vite, ndoshta dekada, ka të ngjarë të zhvillohen mënyra të ndryshme të të folurit – aq më tepër duke pasur parasysh që izolimi është në këtë rast si fizik ashtu edhe social.

Ashtu siç e bën të qartë Geoffrey K. Pullum në një artikull të titulluar: «Anglishtja Vernaculare Afrikano-Amerikane nuk është anglishte standarde me gabime», AAVE është një dialekt jo më pak i ndërlikuar ose shprehës sesa format më prestigjioze të gjuhës. Ka rregullat e veta dhe është sistematik. Ka qëlluar gjithashtu të jetë mjeti i komunikimit të një grupi njerëzish të margjinalizuar, shpesh të pafavorizuar ekonomikisht. Në fakt, AAVE posedon të paktën një dallim gramatik të shkëlqyeshëm që anglishtes standarde i mungon plotësisht. Pullum shpjegon se ekziston një kohë foljore “e tashme e largët” në AAVE, që vihet re në shprehjet si “she been married (ajo është e martuar)”, ku theksohet “është”. Në fakt, ajo shënon atë që quhet “aspekt i zakonshëm” – duke nënkuptuar se veprimi kryhet si rregull, jo domosdoshmërisht në këtë minutë. “He be singing (Ai këndon)”,  nuk do të thotë “ai është duke kënduar tani”, por “ai këndon [si një hobi, ose profesionalisht]”.

Një veçori tjetër dalluese e AAVE është përdorimi i mohimit të dyfishtë, si në: “I ain’t never seen nothin’ like it (kurrë nuk kam parë diçka si kjo)”. Në anglishten standarde, kjo do të ishte “I haven’t ever seen anything like it (Unë nuk kam parë ndonjëherë diçka si kjo.)” Cila është arsyeja e një mohimi të tillë të dyfishtë? Nëse thoni “Unë nuk jam kurrë”, a nuk i anulojnë të dy frazat njëra-tjetrën? Ky është një argument për arsyen pse kjo është thjesht “e keqe”, iracionale, e paqartë, dhe e gabuar. Ajo që po shohim këtu nuk është gabim logjik, por siç thekson Pullum, një strategji gjuhësore mjaft e zakonshme e quajtur “pajtim negativ” – marrëveshje negative, në të njëjtën mënyrë që, në frëngjisht, emrat, përemrat dhe mbiemrat e përdorur për të përshkruar brenda fjalisë duhet të pajtohen në gjini. Shumë gjuhë të tjera kanë zhvilluar një pajtim negativ, për shembull në italisht. “There is no one there (Nuk është askush atje)” do të ishte ‘non c’e nessuno’ – fjalë për fjalë “nuk është askush [atje]”, gramatikisht më afër AAVE “ain’t nobody there (nuk është askush atje.)” Nuk do të ishte e arszeshme të akuzosh gjashtëdhjetë milion folës të italishtes standarde si të trashë ose për të folurit në zhargon. Atëherë, pse bëjmë të njëjtën gjë me AAVE?

Asnjë nga këto fakte nuk e shmangu polemikën në vitin 1996 kur bordi i arsimit në Oakland, California, votoi një mocion në adresë të AAVE, të cilën e quajti “Ebonics”. Bordi bëri të qartë se do të njihte dialektin e përdorur në shtëpi nga shumë prej nxënësve të tij dhe do ta sillte atë në klasë, për shembull për të “përkthyer” fjalitë standarde të anglishtes në mënyrë që studentët t’i kuptojnë më mirë. Është shenjë e stigmatizimit të AAVE që kjo lëvizje u prit me furi, duke ndezur një debat në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Një reagim i përhapur ishte se ky ishte shembull i “korrektësisë politike në ekstrem”, ku një formë substandarte e gjuhës po legjitimohej thjesht sepse përdorej nga zezakët. Masa u cilësua si poshtërim dhe privim i studentëve të zinj nga mundësia për tu përmirësuar. Ajo u kritikua nga ekspertë të zinj dhe të bardhë. Udhëheqësi për të drejtat civile Jesse Jackson tha: “Ndërkohë që ne po luftojmë në Kaliforni t’i mësojmë fëmijët tanë në mënyrë që ata të bëhen më të kualifikuar për punë, në Oakland disa të çmendur po përpiqen të bëjnë një zhargon të folur gjuhë të dytë. Nuk ka nevojë të shkosh në shkollë për të mësuar të flasësh pa lidhje.”

Duke pasur parasysh sa e pavlerësuar është AAVE, nuk është për t’u habitur që ajo u konsiderua si “pa lidhje”. Është sigurisht e vërtetë, duke pasur parasysh mënyrën se si qëndrime të tilla nidkojnë botën e punësimit dhe arsimit të lartë, që studentët që nuk mund të zotërojnë anglishten standarde do të ishin në disavantazh. Por, a do të ngulfaste përdorimi i AAVE në klasa gjuhën angleze standarde, apo do t’i ndihmonte folësit e saj të krijonin një larmi më të madhe gjuhësore? Ja çfarë tha Shoqata Gjuhësore e Amerikës në një rezolutë të vitit 1997: “Natyra sistematike shprehëse e gramatikës dhe modeleve të shqiptimit të AAVE-së është konfirmuar nga studime të shumta shkencore gjatë tridhjetë viteve të fundit. Karakterizimet e Ebonics si ‘zhargon,’ ‘mutacion’,’e ngathët’, ‘defektoze,’ ‘jogramatikore’’ ose ‘Anglishte e keqe’ janë të gabuara dhe fyese. Jo vetëm kaq: Ka prova bindëse nga Suedia dhe vende të tjera që folësit e varieteteve të tjera gjuhësore mund të ndihmohen në mësimin e standardit përmes qasjesh pedagogjike të cilat njohin legjitimitetin e varieteteve të tjera të një gjuhe. Nga ky këndvështrim, vendimi i Bordit të Arsimit në Oakland për të njohur gjuhën e zakonshme të studentëve të zinj në mësimin e anglishtes standarde është i arsyetuar gjuhësisht dhe pedagogjikisht.”

Me fjalë të tjera, përdorimi i AAVE për t’i ndihmuar studentët të mësojnë anglishten standarde në të vërtetë e përshpejton atë proces. Atëherë pse kaq shumë kundërshtim? Me të vërtetë, thjesht ka të bëjë me afërsinë e AAVE me anglishten — gjë që bën që AAVE të shihet si  një version i ngathët i anglishtes standarte – kombinuar kjo me stigmatizimin ekstrem të zezakëve sa që edhe simbolet e kulturës së tyre, përfshirë dialektin, të shihen si pa vlerë. Mes njerëzve të bardhë, zemërimi për normalizimin e AAVE mund të lidhet me frikën e rrënjosur se AAVE mund të fitojë një pozitë të mirë për të “kontaminuar” anglishten standarde.

Politika dhe gjuha shpesh përplasen në këtë mënyrë; si mund të ish ndryshe? Mënyra se si flasim bëhet e veçantë kur veçohemi prej ndikimeve të jashtme, gjeografike, shoqërore, apo të dyja bashkë. Me kalimin e kohës, dialektet fitojnë forcë simbolike për këto grupe. Mund të jenë simbole krenarie ose turpi. Ato mund të ngrihen në statusin e “gjuhës”, të mbeten dialekte ose të shpërhapen si zhargon. Por këto vendime janë kryesisht sociopolitike, dhe kanë të bëjnë me stigmën dhe statusin. Kategorizimi gjuhësor fillon me idiolektin – forma e të folurit e përdorur nga një person i vetëm. Një bashkësi e idiolekteve që kuptohen mes veti formon një dialekt. Kur dy dialekte nuk janë reciprokisht të kuptueshme për njëra-tjetrën, ato shpesh quhen “gjuhë” – përveç se kur mund të ekzistojë një arsye politike ose kulturore për t’i mos i konsideruar ato të tilla – si për shembull në rastin e arabishtes.

Gjuhët nuk kanë kufij të caktuar. Në vendet ku popullsia ka qenë e qëndrueshme për shumë shekuj, mund të zhvillohet një vazhdim dialekti, si në Evropën Jugore, ku italishtja përzihet me frëngjishten dhe me spanjishten. Çfarë është italishtja? Çfarë është anglishtja, frëngjishtja apo spanjishtja? A janë ato objekte që mund ti tregoni me gisht? Ku fillojnë dhe ku mbarojnë?

Sigurisht, gabimi qëndron në konsiderimin e gjuhëve si “gjëra”, të ngjashme me objektet. Atëherë e gjejmë veten në kurth. Për shkak se mund të themi “Po mësoj spanjisht” duke përdorur të njëjtën sintaksë si “Po luaj me top”, ne i biem shkurt – Spanjishtja është një “gjë” me të cilën mund të bësh diçka në realitet.

Gjuhët ekzistojnë, por ato nuk janë domosdoshmërisht gjërat që ne mendojmë. Nga njëra anë, ne secili kemi njohje të paktën të gjuhës amtare që na lejon të prodhojmë fjali sipas rregullave të caktuara. Unë them “Unë gjuajta topin” jo “topi gjuajti unë.” Kjo njohuri për rregullat në trurin tonë është njëra pjesë e realitetit të një gjuhe. Pjesa tjetër është ekzistenca e saj si një sistem autonom, një mjet komunikimi, forma e të cilës është negociuar midis folësve. Nuk është fikse, por ndryshon pasi përdoret në miliona ndërveprime të ndara.

(Shkëputur nga libri: “Mos besoni asnjë fjalë: E vërteta befasuese për gjuhën”, nga David Shariatmadari. Perktheu: A. Lama)

Shperndaje në: