Ndryshojnë fjalët në VV, po kqyrin me gjetë “fajtorë” për mosarritjen e marrëveshjes me LDK’n

Nga VV po ankohen se pengesa të jashtme po e pamundësojnë koalicionin me LDK’n.

Zadhanësi i VV’s, Arlind Manxhuka, përmes nji postimi në Facebook ka thanë se koalicioni asht tue u përballë me pengesat e nji shteti siç e quen ai “të kapun”.

Simbas tij, kishte me qenë naivitet me u mendue se koalicioni kishte me u ba me lehtësi.

E simbas tij, tentativa për me ndalë koalicionin, vjen mbasi që nuk arriti me u ndalë rezultati i zgjedhjeve të 6 Tetorit.

“Në instancë të fundit ky koalicion po përballet me pengesat që t’i vendos një shtet i kapur. Do të ishte naivitet po të mendohej se me lehtësi do të bëhej koalicioni e pastaj do të përballeshim me ata që kanë kapur shtetin. Kjo është parasfida. Meqenëse popullin nuk e ndalen dot me 6 tetor, kjo është përpjekja tjetër”, ka shkrue ai.

E kështu nuk ishin deklaratat kur kishin përfundue zgjedhjet.

Lideri i VV’s, Albin Kurti, ishte ai që thoshte se marrëveshja ka me u nënshkrue 72 orë mbas certifikimit të rezultateve.

Shperndaje në: