Pse asht kaq shumë popullore Angela Merkel? (foto)

Nga Leonid Bershidsky, “Bloomberg”

* Sondazhi i këtij muaji i ARD-DeutschlandTrend, një nga më të vjetrit dhe më autoritarët në Gjermani, e ka klasifikuar sërish Angela Merkelin si politikanen më popullore në vend. Kënaqësia me punën e saj është rritur me 6 për qind, krahasuar me muajin e kaluar.

Dhe kjo përkundër brishtësisë së dukshme të qeverisë që ajo drejton, rritjes ekonomike joekzistente, dhe mungesës së theksuar të lidershipit gjerman në çështjet ndërkombëtare. Popullariteti i qëndrueshëm i Merkelit – fakt është që shumica e gjermanëve, kanë qenë të kënaqur me punën e saj në gati gjithë mandatit të saj 170-mujor, rekordi i dytë më i gjatë pas 193 muajve të Helmut Kolit – është një dukuri që bie ndesh me çdo prirje aktuale politike në shoqëritë demokratike.

Ndërsa Gjermania si vend nuk i ka shpëtuar gjatë kësaj kohe këtyre prirjeve, siç janë fragmentarizimi politik dhe protesta anti-establishment, vetë ajo i ka rezistuar sfidave. Dhe kjo në kohën kur votuesit kanë qenë të zhgënjyer me elitat liberale teknokratike.

Por edhe politikanët që janë ngjitur në pushtet për shkak të këtij zhgënjimi, nuk janë dhe aq popullorë. Kryeministri britanik Boris Xhonson dhe presidenti amerikan Donald Trump, pëlqehen nga afërsisht 40 përqind e qytetarëve, shumë poshtë mbështetjes që gëzon Merkel.

Performanca në sondazhe e Merkel, krahasohet vetëm me atë të liderëve autoritarë, si presidenti rus Vladimir Putin. Për njerëzit e rritur në kulturat politike të botës anglishtfolëse, kjo është një simptomë se nën Merkelin, Gjermania është bërë më pak demokratike.

Por një nga arsyet që shpjegon këtë dukuri, është se gjermanët e urrejnë ndryshimin. “Fuqia ndaj së cilës gjermanët kanë më pak dyshim, është ajo e zakonit”-shkruajti muajin e shkuar në të përditshmen ‘Sueddeutsche Zeitung’ analisti Niko Fri, duke theksuar se gjatësia e mandatit të Merkel, e kaloi atë të kancelarit të parë të Gjermanisë së pas Luftës së Dytë Botërore, Konrad Adenauer.

Gjithsesi, kjo mençuri konvencionale duhet të kundërshtohet. Politika gjermane është mjaft e gjallë, dhe kjo reflektohet në sondazhe. Pavarësisht mbështetjes së saj të qëndrueshme, Merkel nuk është shpesh politikania më popullore e Gjermanisë. Në sondazhin e dhjetorit ARD-DeutschlandTrend, më popullor se Merkel ishte Ministri i Financave Olaf Sholc.

Më herët, Merkel është tejkaluar nga politikanë të ndryshëm, duke nisur nga Volfgang Shjoble deri tek Karl Teodor Guttenberg, që dha dorëheqjen si ministër pas skandalit të vitit 2011 me plagjaturën e doktoraturës. Në 2 vitet e fundit, ishte e vështirë që mbështetja e lartë për Merkel, t’i atribuohet një dashurie për stabilitetin.

Ekonomia gjermane ndaloi së rrituri edhe vitin e kaluar, ku me shumë vështirësi shmangu reçesionin. Partia e saj Unionit Kristiandemokrat u lodh prej saj, dhe në vitin 2018 grupi i saj parlamentar u rebelua hapur, duke zgjedhur një drejtues që ajo nuk e dëshironte.

Qeveria e koalicionit, është paralizuar vazhdimisht nga konfliktet e brendshme të njëpasnjëshme. Në vend ka një frikë se Gjermania po mbetet prapa në aspektin teknologjik, duke e humbur drejtimin e BE-së në favor të Francës. Emigracioni masiv, i nxitur nga vendimi i saj për të lejuar 1 milionë azilkërkues të hyjnë në vend në vitin 2015, mbetet sipas sondazheve, shqetësimi kryesor për votuesit gjermanë.

E megjithatë, mbështetja ndaj Merkel ka mbetur shumë e qëndrueshme. Dhe popullariteti i saj, është po aq i qëndrueshëm edhe në sondazhet e bëra jashtë Gjermanisë. Teoria ime mbi mbështetjen e pakursyer ndaj të Merkelit, është se një numër i madh njerëzish, në Gjermani dhe gjetiu, e shohin atë si një “specie” të rrallë, si një njeri origjinal në politikë.

Është pikërisht origjinaliteti që kërkojnë votuesit, kur zgjedhin një Donald Trump apo një Boris Xhonson. Por me populistët, ajo që marrin zakonisht është përdorimi i zgjuar i arsenalit politik, për të krijuar një iluzion të origjinalitetit. “Politikanët e famshëm, duan të promovojnë imazhin se ata janë “normalë”, apo që janë “ashtu si ne”, në krahasim me imzhin që ata janë qartazi “të ndryshëm”, dhe të izoluar nga sfidat e zakonshme të jetës”- shkruajnë politlogët britanikë Metju Ud, Xhek Korbet dhe Metju Flinders në një studim të vitit 2016, që mori si rast tipik Boris Xhonsonin.

Ndërkohë me Merkelin, votuesit marrin gjënë e vërtetë, dhe jo një produkt mediatik të llogaritur. Gjatë 14 viteve të saj në pushtet, Merkel ka qenë një folëse publike e matur, e prezantuar në publik gjithnjë me një veshje serioze, dhe që ka shmangur mediat sociale. Ajo nuk ka një llogari në Tëitter, në dallim nga liderët më të ndjekur në botë në mediat sociale.

Ajo është gjithashtu konservatore në lidhje me shijet e saj për muzikën (Vagner), leximin (librat e), destinacionet e pushimeve (Tiroli i Jugut) dhe filmat. Qëndrueshmëria e Merkelit, nuk ka të bëjë aq shumë me politikën, ekonominë apo çfarëdo lloj stabiliteti tjetër institucional, por me të qënit një personalitet i besueshëm, i prekshëm dhe i pëlqyeshëm.

Shperndaje në: