Vdekja e Soleimanit, ka nxitë nji luftë të ashpër për pushtet në Iran

Nga Jason M.Brodsky, “The Hill”

* Ish-kreu i Forcave Kuds të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), Kasëm Sulejmani, nxiste frikë brenda dhe jashtë vendit. Ai kishe një autoritet simbolik dhe substancial. Udhëheqësi Suprem i Iranit e quajti atë një “dëshmor të gjallë”. Gjithashtu, ai linte shpesh në hije komandantët e tjerë në rangjet më të larta të Gardës Pretoriane të Iranit.

Sulejmani ishte komandanti i dytë i Forcës Kuds në historinë e Republikës Islamike. Paraardhësi i tij, Ahmad Vahidi, u ngjit në këtë post rreth vitit 1988, dhe e mbajti atë për rreth një dekadë. Por në dallim nga Soleimani, Vahidi nuk dukej se kishte të njëjtin ndikim në Teheran.

Mandati i Vahidi përkoi me operacione të rëndësishme terroriste të Iranit, sidomos me sulmin me bomba ndaj Shoqatës së Miqësisë Argjentinë-Izrael. Por shërbimi sekret argjentinas, zbuloi se Vahidi nuk ishte orkestruesi kryesor i sulmit. Ishte Ministri i atëhershëm i Inteligjencës Ali Fallahian, të cilin Vahidi e ndihmoi .

Ndërkohë, sipas përgjimeve më të fundit, Sulejmani luante një rol kryesor në planifikimin e një operacioni të ri terrorist, para se sulmi amerikan me dron ta vriste atë. Madje kishte spekulime se Sulejmani kishte ambicje presidenciale, apo se do ta drejtonte Iranin pas vdekjes së Udhëheqësit Suprem.

Regjimi gjeti me shpejtësi zëvendësuesin e Sulejmanit në krye të Forcës Kuds, Ai është numri 2 i kësaj njësie Esmail Gani. Gani e merr këtë detyrë, në kushtet kur Hosein Salami, komandanti i përgjithshëm i IRGC, është në këtë detyrë prej më pak se 1 viti.

Në një kohë të shkurtër, Salami ka ndërmarrë një riorganizim në nivelet me të larta drejtuese të Gardës. Ky proçes, është dëshmi se kryekomandanti i ri po përpiqet të vërë nën kontroll burokracinë e madhe të IRGC.

Pas vdekjes së Sulejmanit, Salami mund të tentojë të ushtrojë më shumë kontroll mbi Forcën Kudsit, sidomos duke pasur parasysh ndryshimin në hierarkinë e grave mes tij dhe Ganit. Salami është një gjeneral madhor, ndërsa Gani një gjeneral brigade.

Ndërkohë largimi nga skena i Sulejmanit, mund të sjellë një rivalitet të fortë për pushtet brenda rrethit vendimarrës së Udheheqësit Suprem. Ajatollah Khamenei ka 2 këshilltarët ushtarakë personalë Jahja Safavi dhe Hosein Degan, 2 ish-oficerë të lartë të Gardës Revolucionare.

Për të mos përmendur anëtarët aktualë të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare (SNSC), që kanë qenë pedagogë të kadetëve të IRGC. Ndërsa komandanti i Forcës Kuds nuk është anëtar i përhershëm i SNSC-së, Sulejmani kishte një marrëdhënie të veçantë me Ajatollah Khamenein. Ky raport i ngushtë i jepte mundësi Sulejmanit të merrrte këshilla dhe urdhra jashtë zinxhirit tradicional të komandës.

LEXO EDHE: Amerexit/ Çfarë ndodh nëse Amerika largohet nga Evropa?
Dalja e Sulejmanit nga skena, krijon hapësirë për këshilltarët ushtarakë të udhëheqësit suprem dhe anëtarët e SNSC që kanë ndikim të madh në radhët e IRGC, që të përpiqen të mbushin boshllëkun e krijuar. Që tani, ka prova të qarta të një lufte të mundshme për pushtet brenda regjimit.

Një zyrtar, tha në mediat iraniane se Republika Islamike kishte formuluar 13 skenarë hakmarrjeje mbi vrasjen e Sulejmanit. Ditët e fundit, Ministri i Jashtëm i Iranit Xhavad Zarif, ka folur në detaje mbi marrëdhëniet e ngushta të punës me Sulejmanin. Zarif ka treguar se si një herë në javë hante mëngjes me Sulejmanin, ku diskutonin për probleme të ndryshme dhe koordinonin veprimet e tyre.

Gjithsesi, një përshkrim i tillë e fsheh tensionin që nderet mbi rolin e Ministrisë së Jashtme, në politikën e jashtme rajonale të vendit. Zarif dha dorëheqjen vitin e kaluar, pasi nuk mori pjesë në një takim midis Udhëheqësit Suprem të Iranit dhe presidentit sirian Bashar Al-Asad. Ndërkohë vetë Sulejmani merrte pjesë në atë takim.

Dhe drama shtrihet përtej atij takimi. Zarif e lejoi Hoseinn-Amir Abdollahian të qëndrojë si zv/ministër i Jashtëm për punët arabe, për të qetësuar drejtuesit e Gardës, me të cilët ai mbante marrëdhënie të ngushta. Por administrata Ruhani e largoi nga ai pozicion në qershorin e vitit 2016. Një lëvizje që disa analistë e lexuan si një përpjekje për të kërkuar më shumë kontroll mbi politikën e jashtme.

Forca Kuds ka marrë drejtimin e politikës së jashtme të Iranit në Liban, Irak, Siri dhe vendet e tjera në rajon. Në fakt, ishte Sulejmani që zgjodhi ambasadorin aktual të Iranit në Irak, Iraj Masxhedi, që ka shërbyer më herët në IRGC. Por duke pasur parasysh vdekjen e Sulejmanit, administrata e Ruhanit, mund të bëjë një tjetër përpjekje për të ulur ndikimin e IRGC mbi këto çështje.

Dhe kjo, në kushtet e rrezikut të përshkallëzimit të tensioneve me SHBA-në, dhe kur Garda mori përsipër fajin e rrëzimit gabimisht me raketa të avionit ukrainas në Teheran. Tek e fundit, Sulejmani ishte një figurë unike në Republikën Islamike.

Ditët e fundit, Gani është shfaqur publikisht në anën e Udhëheqësit Suprem të Iranit, për të sugjeruar një tranzicion të qetë të pushtetit. Por, ndërsa në teori Gani do të mbushë bollshëkun që la pas Sulejmani, në praktikë vdekja e këtij të funit ka potencialin të ndryshojë dinamikën e brendshme të regjimit.

Shperndaje në: