Grenell: Trump ka me zgjedh problemin e Kosovës me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, asht takue me Richard Grenell, të dërguemin special për dialogun Kosovë- Serbi nga Presidenti i SHBA, Donald Trump.

Ambasadori Grenell ka deklarue se presidenti i SHBA, Donald Trump, asht jashtëzakonisht i përqendruem me zgjedh problemin e Kosovës me Serbinë.

Ai tha se Trump dëshiron me zhvillue këtë rajon ekonomikisht mbasi të rijtë kanë nevojë për punë dhe e meritojnë nji të ardhme të ndritshme.

“Duam të zhvillojmë ekonomikisht këtë rajon. Të rinjtë kanë nevojë për punë, kjo është politika e presidentit Trump. Ekonomia në SHBA po lulëzon, sepse kemi thënë se njerëzit duhet ta marrin pushtetin. Duhet të hapni punë e zhvillim ekonomik për njerëzit që e meritojnë atë. Njerëzit në Kosovë meritojnë punë e të ardhme të ndritshme. Ne do t’i nxisim qeveritë dhe liderët në Kosovë dhe në Serbi, e t’u themi: ‘shikoni njerëzit, nisni të hapni punë të reja’. Komuniteti biznesor në SHBA e në Evropë dëshiron të vijnë këtu në forma më të mëdha. Por, s’mund ta bëjnë nëse ka konflikte nga establishmenti politik. Kemi shumë projekte e ide që do të krijojnë energji, ekonomi, por veçanërisht, punë – punë që paguhen mirë. Presidenti Trump ka qenë i përqendruar në këtë, duke thënë: ‘kur keni ekonomi vibrante, kur keni njerëz që marrin pjesë në ekonomi me mënyra të reja, me biznese të reja, çështjet politike bien, sepse atëherë njerëzit përqendrohen në jetën e tyre të përditshme. Për këtë jam këtu dhe s’dua të kyçem në debatin politik, sepse kjo po na lë prapa. Dua të shikoj problemet që i kemi pas e t’i çojmë Kosovën dhe Serbinë përpara”, tha Grenelli.

Shperndaje në: