“Dilni jashtë”, Emmanuel Macron shpërthen ndaj oficerëve izraelitë në Jerusalem (video)

Presidenti francez, Emmanuel Macron, asht përfshi në nji debat me policinë izraelite gjatë nji vizite në qytetin e vjetër të Jerusalemit.

Siç shkruen BBC, Macron i akuzoi oficerët se po shkelnin rregullat që i pengojnë ata me hy në Kishën e epokës së kryqëzatave të St Anne, e cila konsiderohet si territor francez.

“Nuk më pëlqen ajo që bëtë para meje. Dilni jashtë, ju lutem-” i paralajmëroi Macron ata në anglisht. “Askush nuk duhet të provokojë”.

Macron vazhdon: “Më vjen keq, por ne i dimë rregullat. Askush, askush nuk duhet të provokojë, askush. Ne mbajmë qetësinë”.

Ai thekson: “Ju lutemi respektoni rregullat siç janë me shekuj. Ato nuk do të ndryshojnë me mua.”

E gjithë skena u filmua në kamera.

Një zëdhënës i policisë izraelite tha që ndërsa delegacioni i presidentit Macron mbërriti në Kishën e Shën Anës ka pasur një “diskutim” midis rojeve izraelite dhe franceze të sigurisë se kush do të lejohej që të hynte.

“Presidenti francez kërkoi që udhëzimet të respektohen dhe, bazuar në kushtet e rënë dakord përpara kohe, një roje izraelite dhe një oficer policie shoqëruan presidentin dhe delegacionin e tij brenda”– shtoi ai.

“Kur presidenti dhe delegacioni përfunduan vizitën, ai kërkoi falje për incidentin dhe shtrëngoi dorën me personelin e sigurisë.”

Macron ndodhet në Jeruzalem për të marrë pjesë në Forumin e Pestë të Holokaustit, i cili shënon 75 vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit Aushvic-Birkenau.

Një episod i ngjashëm ka ndodhur në vitin 1996 me presidentin francez Jacques Chirac, i cili u zemërua kur personeli izraelit i sigurimit shau palestinezët, gazetarët dhe ndihmësit e tij, gjatë vizitës në të njëjtën kishë.

Duke folur në anglisht, Chirac i pyeti ata: “Çfarë doni? Të kthehem në avionin tim dhe të kthehem në Francë? A është kjo jo që ju dëshironi? Lërini ata të shkojnë.”

Qeveria izraelite që asokohe udhëheqej po nga Benjamin Netanyahu, i kërkoi falje Chirac, duke thënë se gjithçka kishte ndodhur “për të mbrojtur një mik”.

Shperndaje në: