Kabashi: Ibrahim Rugova ishte leninist e titist i rryem, sikur edhe unë, këtë askush nuk mundet me mohue!

Sali Kabashi

Ibrahim Rugova dhe unë, n’daç dijeni ndaç mos e dini, kemi qenë edhe leninistë edhe titistë!

Këtë fakt duhet nxjerr në pah për hir të vërtetës e të historisë.

Me Ibrahimin na lidh së pari të qenmit istogali, pastaj për nja 10 vjet rrojtja në katundet e afërta njëra me tjetrën. Më herët se këto janë nanat tona të vëllaznume ndërshejveti në kohë rinie e çobanie.

Ne na lidhte edhe Ura në Llukavc të Begut dhe dy brigjet ballemballe të Ujit të Istogut…

Na lidh shofer Shaini i Pejës që na çonte 6 herë në javë në Pejë dhe na kthente poaq herë në Gjurakovc e Istog.

Na lidhin replikat me malazez e serbë që këndonin këngë komunisto-çetnike në fund të autobusit, të cilëve ne normalistët shqiptar të Pejës ua kthenim nga fillimi i autobusit, menjëherë mbas bythëve të gjana të shoferit, me të vetmen këngë që e kishim përshtatë për luftë muzikore me serbë e malazez:

« Krajl Nikolla kryelopa
S’merret Shkodra me dy topa… », me plot fishkëllima e ulurima nga dy taboret.

Ibra nuk këndonte. Asnjëherë. Ndërsa unë po, në kupë qielli, sa më jepte Zoti kyvet! Ibra, në shenj mbështetjeje për ekipin tonë, ia nxirrte shpirtin një fletores së tij të bërë trumpetë…

Ne, nxënësit e Istogut ishim gjithmonë më të mirët e shkollave të mesme të Pejës.

Ata të Deçanit ishin më të fortë me u rrehë me grushta. Pejonët neve të Istogut na xhelozonin, nga ata të Përtej Bistricës trembeshin… Normal.

Ibra ishte i urtë kingj. Ishte një klasë më lart se unë, por me folë e me shkëmbye libra nuk kishte shok tjetër pos meje e vetëm meje.

Me vajzat, Ibrës, pothuajse kurrë nuk i ka ecë muhabeti. Po pse trembej prej tyre kur ato ishin edhe më të buta se ai vet?!

Profesorët në Pejë kishin nivel tjetër. Ata, sidomos ata të të tri gjuhëve që mësonim në shkollë, pa vonuar i zbuluan nxënësit e mirë e me talent. Ndër ta Ibrahim Rugovën, Brahim Ukën e Cërcës.

Nuk qëndroja prapa tij në gjuhët shqip, serbisht e rusisht.

Serbishten e kishim për të dëshmuar vëllazërim-bashkimin, rusishten për internacionalizmin proletar.

Profesorët e dy gjuhëve të fundit ishin më punëtorë me ne nxënësit, më pedagogë e, shkurt, më të aftë e më të zellshëm në mësimdhënie.

Mua, ndërkaq, më mërziste kur mësimet për letërsinë dhe shkrimtarët që merrnim në lëndën e serbishtes, i merrnim edhe nga profesorët e shqipes.

Kishte gara. Kishim një grup letrar. Atje lexonim poezi të dobëta të shkuara në copëza letre.

Temat na i sugjeronin profesorët: Trimat e LNÇ, Partizani, Ylli i kuq, 29 Nëntori, Maji i kuq proletar, Ditëlindja e Shokut Tito…

Shkruanim, por nuk i ruanim shkrimet tona. I hidhnim menjëherë pas leximit. Ndoshta qysh atëherë donim të zhduknim gjurmët tona të hymnizuesve të regjimit komunist jugosllav!

Profesori i rusishtes ishte një pedagog i vërtetë. Njohës i shkëlqyeshëm dhe interpretues brilant fragmentesh në poezi e prozë të shkrimtarëve të mëdhenj rusë dhe sovjetikë.

Ai infektoi Ibrahim Rugovën me Jeseninin e Majakovskin, ndërsa mua me Lermontovin.

Na jipte detyrë të përkthenim poezi apo fragmente proze.

Ishte komunist dhe rusofil. Shkëputja e Jugosllavisë nga blloku sovjetik, atij i kishte kushtuar 4 vjet burg politik. Atje kishte shtuar dashurinë për Rusinë dhe simpatinë për Shqipërinë e Enver Hoxhës… Nuk e fshihte admirimin.

Ai na pat orientuar, Ibrën dhe mua, që të abonoheshim në një revistë sovjetike. Aganjok quhej. Ajo na vinte me postë.

Pra, pos rusofonë, Ibrahim Rugova e unë ,Salih Kabashi, u bëmë edhe rusofilë…

Nënkuptohet edhe leninistë të zjarrtë.

Se për titistë ishim bërë më herët. Përmes mësuesve të shqipes e të historisë. Natyrisht edhe të asaj të serbishtes.

Kjo e fundit na pat ftuar të dyve që të shkruanim diçka, thellë nga vetja, për 22 Dhjetorin e lavdishëm, Ditën e themelimit të Armatës Popullore të Jugosllavisë dhe t’i dorëzonim në Dom JNA, ndërtesa e tashme e Komunës në Pejë. Atje shkrimet tona do të mateshin me shkrime të tjera garuese, ndër të cilat tri më të mirat do të merrnin çmime.

Ibrahimi e pat marrë Çmimin e parë. Dhe kjo më pat bë pak xheloz. Atij ia dhanë dhuratë dy libra serbisht në qirilicë, njëra për betejën e Neretvës e tjetra për atë të Sutjeskës.

Mua më patën dhënë vetëm një copë letërfalënderimi të pshurrtë…

Kur dolëm nga ceremonia e ndarjes së çmimeve, unë e Ibra u ndalëm në krye të Korzos, afë Zallit, pranë një Salepxhihaneje, pa pasur pare me ble nga një salep të nxehtë në atë ditë të ftohtë dhjetori.

Sidoqoftë edhe unë njësoj si Ibra treguam sa e donim Partinë e Ushtrinë tonë Jugosllave, sa mrekullohemi me LNÇ-në e me Komandantin Suprem, Mareshalin Tito…

Me Titon unë u prisha pa vdekë qeni i biri qenit.

Ibra që ishte njeri i urtë kingj nuk e konsideroj asnjëherë oportune të distancohej nga titizmi që atij familjarisht i kishte sjellë aq shumë dhimbje e aq shumë të zeza…

Shperndaje në: