George Soros: Zuckerberg ka me na e prue Trump’in prape ne krye te Shtetit!

George Soros: Mark Zuckerberg nuk duhet të ketë Facebook-un nën kontroll.

Kompania e mediave sociale do t’i mundësojë Trump-it të ri-zgjidhet – sepse është fitim prurëse për biznesin.

 

Nga George Soros

Në një darkë javën e kaluar në Davos, Zvicër, më pyetën nëse mendoja se Facebook po sillej më me përgjegjësi sot sesa bëri gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

“Aspak,” u përgjigja. “Facebook e ndihmoi Trump-in që të zgjidhet dhe kam frikë se do të bëjë të njëjtën gjë në vitin 2020.” U sqarova se prej kohësh ekziston një ligj – Seksioni 230 i Ligjit të Mbarëvajtjes së Komunikimit – që mbron platformat e mediave sociale nga përgjegjësia ligjore për shpifje dhe pretendime të ngjashme. Facebook mund të publikojë deklarata të qëllimshme mashtruese ose false nga kandidatët për poste publike, dhe të mos marrë asnjë përgjegjësi për to.

Vazhdova të them se duket se ekziston “një operacion jo-formal i ndihmës reciproke ose marrëveshje midis Trump dhe Facebook” sipas së cilës Facebook do të ndihmojë Presidentin Trump të rizgjidhet dhe zoti Trump do të mbrojë Facebook prej sulmeve të rregullatorëve dhe medias.

“Kjo është thjesht e gabuar,” tha një zëdhënës i Facebook për ‘Business Insider.’

Nuk jam dakord. Unë besoj se z. Trump dhe shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg, e kuptojnë se interesat e tyre janë në një linjë – presidenti për të fituar zgjedhjet, z. Zuckerberg për të fituar para.

Le të shohim provat: Në vitin 2016, Facebook i dha fushatës së Trump-it staf të vetin që e ndihmoi në optimizimin e programit të tij të reklamimit. (Fushata e Hillary Clinton gjithashtu kërkoi, por Facebook nuk pranoi të jepte një ekip për operacionet e saj të fushatës.) Brad Parscale, drejtori dixhital i fushatës së Z. Trump për vitin 2016 dhe aktualisht menaxheri i fushatës për vitin 2020, tha se Facebook i ndihmoi z. Trump duke e favorizuar. Kjo duket se ka shënuar fillimin e një marrëdhënieje të veçantë.

Kohët e fundit, kontakti i drejtpërdrejtë midis dy burrave ka ngritur dyshime serioze. Z. Zuckerberg u takua me zotin Trump në Zyrën Ovale më 19 Shtator 2019. Ne nuk e dimë se çfarë u tha. Por nga një intervistë e shkurtër në Forumin Ekonomik Botëror më 22 Janar, mësuam se çfarë tha zoti Trump në lidhje me takimin: Z. Zuckerberg “më tha se unë jam nr 1 në botën e Facebook.” Z. Trump me sa duket nuk ka asnjë problem me vendimin e Facebook për të mos verifikuar faktet në reklamat politike. “Unë do të preferoja që ai thjesht të vazhdojë të bëjë gjithçka që dëshiron të bëjë,” tha zoti Trump për Zuckerberg. “Mendoj se ai ka bërë një punë të shkëlqyer.”

Fushata e presidentit në vitin 2016 krijoi një operacion të fuqishëm komunikimi përqëndruar në të dhëna dhe gjatë këtyrë viteve ka vazhduar të zhvillohet mbi ato parime, duke përdorur Facebook si pjesë kryesore të strategjisë.

Vendimi i Facebook për të mos kërkuar verifikimin e fakteve për reklamat e kandidatëve politikë në vitin 2020 ka hapur derën për deklarata të rreme, të manipuluara, ekstremiste dhe nxitëse. Një përmbajtje e tillë shpërblehet me pozicion dhe promovim prioritar nëse plotëson standardet algoritmike të krijuara nga Facebook për popullaritetin dhe angazhimin e postimeve.

Për më tepër, modeli i Facebook ka tendencë të fshehë burimet e shpifjeve dhe lajmeve të rreme dhe nuk i ndëshkon në mënyrë të duhur ata që i përhapin ato. Kompania as nuk paralajmëron në mënyrën e duhur ata që janë të ekspozuar ndaj gënjeshtrave.

Unë shpreha shqetësimin tim se me ndihmën e Facebook, zoti Trump do të fitojë zgjedhjet e vitit 2020. Punësimi i një figure të krahut të djathtë për t’a ndihmuar në menaxhimin e faqeve të lajmeve, i ka forcuar këto shqetësime. Në komentet e mia në Davos, theksova gjithashtu se Facebook është përdorur për të shkaktuar dëme më të këqija në vendet e tjera sesa në Shtetet e Bashkuara. Në Myanmar, për shembull, personeli ushtarak përdori Facebook-un për të ndihmuar në nxitjen e publikut kundër popullësisë Rohingya-se, të cilët u vendosën në shënjestër të një sulmi ushtarak të një mizorie të jashtëzakonshme, përfshirë vrasjet, përdhunimet dhe djegie të fshatrave të tëra: Rreth 700,000 Rohingya u larguan për në Bangladesh. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë aktualisht po diskuton nëse këto mizori cilësohen si genocid.

Por brenda vitit të fundit, Facebook ka prezantuar karakteristika të reja në aplikacionin e saj mobil që në të vërtetë intensifikojnë zjarrin e sulmeve politike – duke i bërë ato më të lehta dhe më të shpejta për t’u përhapur. Sistemi është pa kosto për atë që poston dhe gjeneron të ardhura për Facebook. Mirë për Facebook, dhe keq për demokracinë.

Vendosja para përgjegjësisë do duhet të ishte e vetëkuptueshme. Facebook është botues jo vetëm moderator neutral ose “platformë”. Ai duhet të mbajë përgjegjësi për përmbajtjen që shfaqet në faqen e vet.

Duke folur në një festë koktejli në Davos më 22 janar, shefja e operacioneve të Facebook, Sheryl Sandberg, përsëriti klishenë bajate të Silicon Valley se Facebook po përpiqet ta bëjë botën një vend më të mirë. Por Facebook duhet të gjykohet nga ajo që bën, jo nga ato që thotë.

Po e përsëris dhe riafirmoj akuzën time kundër Facebook nën udhëheqjen e Z. Zuckerberg dhe Znj. Sandberg. Ata ndjekin vetëm një parim: të maksimizojnë fitimet pavarësisht nga pasojat. Në një mënyrë apo tjetër, atyre nuk duhet t’i lihet Facebook nën kontroll.

(George Soros asht themeluesi dhe kryetari i Fondacionit për Shoqni të Hapun. Opinion i botuem ne “The New York Times”. Perktheu: A.Lama )

Shperndaje në: