Krejt çka ndodhi në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat

Kosova dhe Serbia kanë arritë marrëveshje për hekurudhat dhe autostradat sot në Munich të Gjermanisë.

Marrëveshja u nënshkrue me ndërmjetësimin e të dërguemit të posaçëm të presidentit Trump, Richard Grenell.

Gjithçka nisi në orën 9:30 të mëngjesit, ku si ngjarje kryesore e Konferencës së Sigurisë në Munich ishte nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për hekurudhat dhe autostradat.

Delegacioni kosovar që e ka nënshkruar këtë marrëveshje ishte i përbërë prej Xhemë Veselit, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupevës, drejtor i Infrastrukturës Rrugore.

Ndërsa nga pala serbe, ka qenë drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ai i cili e ka firmosur dokumentin.

Përveç të lartëpërmendurve, në ceremoni ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i dërguari special i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, dhe ambasadorët e SHBA-ve në Prishtinë e Beograd, Philip Kosnett, respektivisht Anthony Godfrey.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, pati një përshëndetje mes dy delegacioneve, përfshirë edhe presidentët Thaçi e Vuçiq.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, marrëveshjen në fjalë e cilësoi si historike, për të cilën e falënderoi edhe presidentin amerikan si dhe të dërguarin e posaçëm të tij.

Ndërkaq, homologu serb i Thaçit, Aleksander Vuçiq, tha se ky është një lajm i mirë për lëvizjen e lirë të mallrave, si dhe është ndihmesë e madhe në stabilizimin e rajonit.

“Dua t’i falënderohem presidentit Trump dhe të dërguarit special Grenell për interesimin e tyre për të arritur një zgjidhje për rajonin. Po ashtu, ky është një lajm i mirë për lëvizjen e lirë të mallrave”, deklaroi Vuçiq para gazetarëve.

E i dërguari i posaçëm i Trumpit, Richard Grenell, tha para gazetarëve se marrëveshja është zotim i Thaçit dhe Vuçiqit se Kosova dhe Serbia duhet të lëvizin drejt zhvillimit ekonomik.

“Ajo që kemi bërë sot këtu është negocimi për të hapur rrugën e hekurudhave. Siç e dini ne tashmë kemi diskutuar për trafikun ajror dhe rrugor dhe unë kam biseduar me presidentët për t’u fokusuar në zhvillimin ekonik. Të dy presidentët janë pajtuar se aty do të duhet të jetë fokusi tek avancimi në aspektin ekonomik”, deklaroi Grenell para gazetarëve.

Për marrëveshjen reagoi edhe ambasada amerikane në Gjermani, e cila këtë akt e cilësoi si “historik” mes dy vendeve.

Kjo është marrëveshja e dytë e rëndësishme e nënshkruar brenda pak kohe mes Kosovës dhe Serbisë, pas asaj për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, të nënshkruar po ashtu me ndërmjetësimin e Richard Grenell. 

 

Shperndaje në: