Ish-aktivisti i VV’s i kërkon falje Edita Tahirit: Të gjujshim me vo që negocioje me Serbinë, tash Kurti po vepron njisoj

Analisti politik, ish aktivist i Vetëvendosjes, Fitim Salihu, i ka kërkue falje Edita Tahirit që e kanë sulmue me vo dhe domate kur siç thotë ai po negocionte me Serbinë, tash Salihu thotë se Albin Kurti po vepron njisoj.

Ky asht shkrimi i plotë:

Pse me i kërku’ falje Editës?

Një fjalim i bukur, ndonëse i marrë nga shkrimet e kahmotshme të Ukshin Hotit dhe Ismail Kadaresë, i mbajtur në Mynhen nuk mund ta shpërqendrojë vëmendjen nga thelbi: Qysh shkoi Albin Kurti për të negociuar me Vuçiqin pa ASNJË kusht? Pa e përmendur dhimbjen e nënave që presin fëmijët e pagjetur? Pa kërkimfaljen e Serbisë për 20 mijë gratë e dhunuara dhe 130 mijë shtëpitë e djegura? Pa përmendur kujtimin e 12 mijë civilëve të vrarë e të masakruar?

Albin Kurti duhet të tregojë përse nuk po i mban fjalët që ka thënë para 2 muajve. A e pati shti atëherë dikush me zor t’i jap ato premtime? A po e shtin sot dikush me zor që t’i hajë ato fjalë? A ka rrejt’ atëherë? Apo po mashtron sot?

Nëse politikanët e tjerë i kemi mbajtur përgjegjës për të njëjtat veprime – madje edhe duke i shpallur tradhtarë e goditur me ve – a kemi një arsye racionale për t’u treguar mirëkuptues ndaj Albinit? Frenezia e një shoqërie delirante që përsëritet çdo 8 vite, si dhe shitblerja e ish-kritikëve të Kurtit dhe e b***lëpirësve të përhershëm të të gjitha pushteteve, nuk mund t’i hesht zërat racionalë në këtë vend.

Qysh recitonte Shkreli, “sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy’?”

Edita Tahiri, të kërkoj falje! Të kërkoj falje për sulmet me ve e domate vetëm pse uleshe në tryezë pa kërkuar falje Serbia! Të kërkoj falje edhe për ata që ndryshe të gjykonin ty e ndryshe Albinin – për të njëjtin veprim! Kuptoji, “parja ujin përpjet e çon”…

Shperndaje në: