Qe çka po e ban ma të “tutshëm” Coronavirusin!

Nga Jason Kindrachuk & Alyson Kelvin “National Interest”

Gjatë 2 dekadave të fundit, janë shfaqur 3 koronaviruse të reja – SARS (Sindroma e Rëndë e Frymëmarrjes Akute) në vitin 2002, MERS (Sindroma e Frymëmarrjes në Lindjen e Mesme) në vitin 2012 dhe tani 2019-nCoV – duke sjellë pasoja të rënda shëndetësore, ashtu edhe ekonomike.

Para SARS-it, dihej se koronaviruset ishin një nga shkaqet e të ftohurës së zakonshme. Edhe pse mund të shkaktojnë sëmundje të rëndë tek grupet me rrezik më të lartë si të porsalindurit, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, ato zakonisht shkaktojnë sëmundje më të buta tek të rriturit e shëndetshëm.

Shfaqja e SARS-it, ishte shenja e parë se koronaviruset mund të shkaktojnë sëmundje më të rënda edhe tek të rriturit të shëndetshëm, me virusin që infekton pjesën e poshtme të mushkërive. Edhe MERS, ka shkaktuar epidemi të pneumonisë dhe sëmundje sistemike që nga 2012.

Aktualisht po shohim shpërthimin e një koronavirusi të tretë, që mund të shkaktojë një pneumoni të rëndë, duke e ndryshuar pikëpamjen globale mbi koronaviruset, dhe potencialin e tyre për të shkaktuar një gamë më të madhe sëmundjesh.

Ndërsa publiku kërkon informacione, dhe shkencëtarët nxitojnë të japin përgjigjet e duhura, përparimet në mediat sociale dhe në teknologjinë, kanë ofruar disa informacione të mira, ca të këqija, dhe disa tjera të shëmtuara. Bota nuk është e njëjtë si në 2002-shin kur u shfaq SARS-i. Platformat e mediave sociale, përfshirë Twitter dhe Facebook, kanë lejuar shkëmbimin e shpejtë të informacionit, por ndonjëherë edhe dezinformacionet. Shumë nga teknologjitë dhe teknikat kryesore, që përdorin sot shkencëtarët për të analizuar të dhëna e mëdhat, as që ekzistonin në vitin 2002.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, u njoftua për disa raste me pneumoni më 31 dhjetor 2019, një ngjarje që u duk se kisht lidhje me një treg në Vuhan. Shkencëtarët kinezë, e izoluan me shpejtësi virusin, dhe e sekuencuan gjenomin e tij, duke përdorur një teknologji të re të quajtur sekuenca e gjeneratës tjetër.

Kjo i jep mundësi shkencëtarëve, të përcaktojnë me shpejtësi kodin gjenetik të një organizmi. Ai zbulon të gjitha variacionet apo mutacionet në gjenom, që mund t’u japin shkencëtarëve të dhëna mbi shkallën e mutacionit, burimin e virusit dhe modelin e qarkullimit të tij brenda një popullate.

Disa analiza të hershme, sugjeruan se virusi e kishte origjinë nga gjarpërinjtë. Por më pas, shkencëtarët në Institutin e Virologjisë në Vuhan, raportuan se virusi ishte një koronavirus i ngjashëm me SARS, dhe ka të ngjarë ta ketë origjinën nga lakuriqët e natës.

Ndërkohë, sekuenca e gjenomit viral, i lejon shkencëtarët të nisin sintetizimin e proteinave virale për prodhimin në fund të vaksinës. Përmes përdorimi të Tëitter, Skype, WhatsApp dhe bioRxiv ( një faqe në internet, ku shkencëtarët mund të ngarkojnë dokumentet e tyre shkencore), virologët, bioinformatikanët, dhe epidemiologët nga e gjithë bota, janë të përqendruar në përpjekjet e tyre për të luftuar virusin, dhe për të ngadalësuar përhapjen e tij.

Deri më sot, 2019-nCoV është përhapur në 18 vende. Disa ekspertë, mendojnë se ai mund të ketë prekur deri në 100 mijë njerëz. Përshkrimet e para të virusit, pretendonin se ai nuk po transmetohej nga një person te tjetri. Raportet e tanishme tregojnë se një gjë tillë po ndodh.

Pra, sa vdekjeprurës është ky virus? Dhe sa të shqetësuar duhet të jemi? Me gjithë këtë informacion, është e vështirë të dihet se si të orientohesh, mes raporteve dhe opinioneve që ndahen nga media dhe në rrjetet sociale. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, 2019-nCoV duket se po përhapet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë dhe nga pikëlat që krijohen kur një person i infektuar kollitet ose teshtit.

Rekomandimet e OBSH për të zvogëluar ekspozimin ndaj virusit, përfshijnë larjen e shpeshtë të duarve, mbulimin e gojës dhe hundës me bërryl kur teshtitni, dhe shmangien e kontakteve të ngushta me cilindo që ka ethe apo kollë.

Në këtë pikë të epidemisë, jemi ende në një fazë dinamike, ku shkencëtarët po mësojnë në kohë reale, sesi një virus i saposhfaqur sillet dhe qarkullon nëpër popullatë. Do të duhet kohë për të prodhuar informacionin e besueshëm që kërkohet, për një analizë të hollësishme të dinamikës së transmetimit dhe përhapjes së 2019-n./CoV.

Shperndaje në: