Kurti po thotë se “s’mujm me thanë se ka paqe…”!

Për nder të 12 vjetorit të Pamvarësisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka vizitue kazermën “Adem Jashari”.

Para trupave të FSK’s, Kurti ka përsëritë se shërbimi ushtarak duhet me qenë i detyrueshëm në Kosovë.

Fjalimi i plotë i Kryeministrit:

Të nderuar ushtarë, kadetë, personel dhe veteranë

Është kënaqësi të jem me ju sot në këtë ditë të rëndësishme për shtetin tonë.

Më lejoni që në emër të qytetarëve të ju falënderoj secilin prej jush dhe të gjithëve bashkë për shërbimin që i bëni vendit dhe për patriotizmin tuaj.

Të gjithë ne që marrim poste dhe pozita publike jemi në shërbim të qytetarëve në çdo kohë dhe gjatë gjithë kohës.

Me votën e tyre ata kanë deleguar besimin te ne që të udhëheqim me politikat e punësimit e zhvillimit ekonomik, të drejtësisë dhe të detyrave, të edukimit e të shëndetësisë, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Por mbi ju bie detyra e rëndë dhe e shenjtë e mbrojtjes së vendit, detyrë të cilën ju e bëni me përkushtim dhe dashuri.

Uniforma juaj është mishërimi i sakrificës tonë kombëtare dhe i krenarisë e aspiratave tona qytetare.

Pa ushtri e pa mbrojtje jemi të dobët e të pambrojtur.

Prandaj ne mburremi për shërbimin tuaj.

Sakrifica që ju bëni dhe trajnimet që ju kaloni janë të vështira, por qëllimi që ju keni është fisnik. Çdo mëngjes ju zgjoheni herët kur të tjerët flenë, rregulloni shtratin, pastroni dhomat, shkëlqeni këpucët e stërviteni me orë të tëra nën diellin përvëlues, në acarin e dimrit, në shi e në baltë.

Stërvitjet janë të vështira sa shpeshherë ju bëjnë të dyshoni tek vetja nëse mund t’ia dilni, por muajt e vitet kalojnë e ju bëheni më të fortë, më të disiplinuar e më të përgatitur sepse zemra ju rreh fortë për atdhe.

Unë dua të ju falënderoj edhe për misionin e suksesshëm që keni pasur në nëntorin e kaluar në ndihmë vëllezërve dhe motrave tona në Shqipëri në një kohë kur ata kishin shumë nevoje për ju.

I keni bërë krenar të gjithë qytetarët dhe keni lartësuar vendin.

Ne të gjithë mund dhe duhet të mësojmë nga disiplina e ushtarit, nga përkushtimi në punë e profesion dhe nga dashuria e madhe për t’i shërbyer vendit.

Vetëmohimi, përulja, sakrifica, denoncimi në punë, dashuria e pa kusht për vendin, pa përfitim e pa lavdi personale janë virtyte e vlera që duhet t’i posedojmë secili nga ne.

Prandaj edhe do të bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm sepse përvoja dhe mësimet e fituara gjatë shërbimit ushtarak na duhen për t’u përballur edhe me betejat e paqes.

Shërbimin e detyrueshëm ushtarak nuk e bëjmë sepse kemi ambicie për të pushtuar. Ne jemi popull paqedashës dhe liridashës. Ne asnjëherë nuk kemi pushtuar dhe okupuar toka të huaja, por kemi mbrojtur dhe do mbrojmë çdoherë çdo cep të vendit tonë.

Pikërisht sepse jemi popull liridashës ne duam të jemi në gjendje të mbrojmë lirinë dhe paqen tonë.

Vendet demokratike në gjithë botën duan paqe dhe punojnë për ditë që paqja të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme, e megjithatë investojnë në ushtri, trajnime dhe pajisje të reja ushtarake.

Investimet në ushtri dhe në mbrojtje nuk bëhen sepse ne duam luftë, por sepse nuk duam që lufta të vijë tek ne. Ne vetëm se duam sepse duhet të jemi në gjendje të mbrojmë vetveten.

Ne investojmë në mbrojtje sepse e keqja ekziston në botë; investojmë sepse ata që duan të na bëjnë keq ekzistojnë.

Në një vend të varfër sikurse Kosova, ushtria është e kushtueshme, prandaj edhe me shumë të drejtë disa mund të pyesin se përse kemi zgjedhur të rrisim investimet në ushtri?

Natyrisht nuk ka një përgjigje të thjeshtë, kjo pyetje është e vështirë për secilin vend demokratik. Por investimi në mbrojte është njohje e realitetit në të cilin jetojmë e me të cilin rrethohemi, një realitet të cilin nuk guxojmë ta mohojmë apo të bëhemi naiv se është më mirë se sa që ai na shfaqet.

Natyrisht, është detyrë e jona të zhvillojmë shtetin nga brenda e ta forcojmë atë nga jashtë, ashtu siç është detyrë e jona që të punojmë dhe forcojmë paqen në rajonin tonë në mënyrë që të mos ketë nevojë për përdorimin e forcës asnjëherë.

Por ne duhet të përballemi me botën ashtu siç është e çdoherë e gjithmonë duke punuar për ta bërë atë siç duam të jetë.

E them këtë duke qenë i vetëdijshëm që jetojmë në një rajon ku paqja ende është e brishtë. 20 vjet kanë kaluar dhe ende askush nuk ka marrë përgjegjësi për gjenocidin, masakrat, vrasjet masive, përdhunimet e plaçkitjen që i kanë ndodhur popullit tonë. Për më keq, të njëjtët që dikur tentuan të na shfarosin, sot mohojnë ekzistencën tonë…mohojnë të drejtën tonë për të jetuar të lirë e të pavarur.

Prandaj, nuk mund të bëhemi naiv e të pretendojmë se paqja që kemi është e qëndrueshme dhe e garantuar përderisa agresori jo vetëm nuk kërkon falje për krimet, por kërkon të kthehet në kohë për të ndryshuar realitetin, për të na ngushtuar e për të na shkurtuar.

Përgjigja jonë duhet të jetë në forcimin e shtetit. Më shumë shtet e më pak pushtet.

Ne mund të përballojmë polarizimet për politika të brendshme. Në fund të fundit ne kemi mendime dhe besime të ndryshme sepse jemi njerëz të ndryshëm dhe kur përpiqemi të argumentojmë se cilat ide ndihmojnë jetën e qytetarit më mirë, atëherë qytetari përfiton, veçse e njëjta nuk mund të thuhet për politikën e jashtme.

Nuk mund të kemi përfaqësues, të zgjedhur apo të emëruar të popullit të cilët minojnë njëri tjetrin, që flasin ndryshe nga çka ka votuar populli duke çuar mesazhe konfrontimi. Demokracia jonë është parlamentare ku populli zgjedh përfaqësuesit e tij për të zgjedhur qeverinë. Pra, fuqia qëndron tek populli, populli është burimi i sovranitetit dhe i cili me votën e lirë vendos se kush duhet të flas në emër të tij.

Ne e dobësojmë shtetin sa herë që vendosim vetën para interesave të popullit e ndryshe nga çka voton populli.

Si përfaqësues të shtetit ne duhet të jemi unik në politikën e jashtme. Unë do të kërkoj këtë unitet përkundër dallimeve që kemi. Ne të gjithë kemi në zemër interesat më të mirë për shtetin dhe qytetarët tanë, prandaj dallimet e brendshme duhet të mbeten brenda.

Ne do të punojmë shumë dhe pa u ndalur që të forcojmë shtetin edhe nga brenda edhe nga jashtë.

Prandaj edhe kemi zgjedhur që të rrisim investimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kemi vendos ta ngrisim Forcën dhe Sigurinë e vendit tonë.

Koha kur monopolet për kompaninë ishin më të rëndësishme se investimet për ushtrinë ka kaluar.

E derisa forcojmë ushtrinë duhet të forcojmë ekonominë. Pavarësia dhe liria që gëzojmë nuk duhet të punoj vetëm për disa por për të gjithë e sidomos për ata që kanë më së paku.

Pavarësia nuk duhet të pasurojë politikanët por popullin; nuk duhet të forcojë individët por shtetin, sepse, në fund të të fundit, suksesi jonë matet me aftësinë tonë për të ruajtur dhe garantuar vlerat më bazike të demokracisë: lirinë e fjalës dhe garantimin e votës së lirë; sigurinë për të punuar e për të jetuar, të drejtën për ujë e ajër të pastër, të drejtën për shkollim e shërim, për pronë dhe privatësi.

Janë këto vlera për të cilat ne të gjithë rrezikojmë jetët tona për t’i mbrojtur ato.

Pavarësia dhe liria nuk kanë kuptim pa drejtësi. Pabarazia shoqërore, varfëria, korrupsioni i lartë e krimi i organizuar janë kërcënim i vazhdueshëm për demokracinë tonë sepse e gërryejnë atë nga brenda, kurse mungesa e sigurisë dhe e mbrojtjes na kërcënojnë nga jashtë.

Prandaj do të punojmë që të forcojmë ekonominë dhe të ndajmë mirëqenien.

Do të punojmë që të ndërtojmë aleanca të reja e të avancojmë sa më shpejtë anëtarësimin në NATO dhe në BE.

Anëtarësimi në NATO është prioritet, prandaj edhe investimet në forcën e sigurisë janë të domosdoshme që të bëhemi partnerë të denjë.

Integrimi në BE është rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por rrugë që na forcon. Reformat që ne duhet të bëjmë janë reforma që ne na duhen për të zhvilluar shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor e të barazisë.

Atdheu është i yni, vendi është i yni, ne jemi në rrugë të drejtë sepse jemi në të drejtën tonë.

Mjaft kemi vuajtur, mjaft kemi humbur tash është koha të fitojmë.

Le të festojmë me dinjitet e me integritet, me ndjenjën e krenarisë për atë që kemi arritur e me ndjenjën e përgjegjësisë për atë që duhet arritur.

Të ndihmojmë e të ngremë lart njëri tjetrin në punë të mira, e të distancohemi nga keqbërësit.

Natyrisht, në këtë ditë ka një listë të gjatë të atyre që duhet t’u falënderohemi:

Së pari dua të falënderoj burrat dhe gratë, djemtë e vajzat e vendit që kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre dhe japin edhe sot çdo ditë për ta bërë shtetin tonë më të fortë.

Profesorë, mësues e studentë, veteranë të luftës çlirimtare, familje të dëshmorëve e martirëve, intelektualë e mërgimtarë.

Pa ushtrinë çlirimtare, çlirimi do të vonohej e pa NATO-n do të vonohej fitorja.

Prandaj dua të falënderoj Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë, Turqinë dhe të gjitha shtetet anëtare të NATO-s që kanë ndihmuar në çlirimin e vendit.

Urime dita e pavarësisë të gjithë qytetarëve.

Shperndaje në: