Jazz në politikë

Është e prerogative, që politikës përveç se folk, e në shumë raste turbo folk, i jepet jazz. Jo se folklori s’ka vlerë, përkundrazi, është tabani ynë, gjeneza jonë, por ky art duhet të përparojë e të ecë me kohën. Ndodh që ca mesataristë, duke i vënë ca ritme elektronike folkut, mendojnë se e modernizojnë atë. Por jo, veç turbo folk e bëjnë. Tani të merremi vesh, jo se s’ka ndjekës edhe kjo gjini, madje shumë, por asnjëherë, ama asnjëherë s’do ketë respekt

Nga Nazim RASHIDI

Shpesh marrim për shembull vendet e perëndimit dhe demokracitë e tyre si referencë për zhvillimin tonë. Dhe sigurisht kjo është në rregull, sepse mësohet nga më i miri dhe nga, sidomos nëse jemi të mençur, gabimet e tyre. Por sot do përqendrohem pak tek ne në rajon. Në dukje një ceremoni e thjeshtë, pa shumë pompë e bujë, por tejet e kuruar deri në detaje, kështu ishte transmetimi televiziv dhe kështu u inaugurua presidenti i ri i Kroacisë Zoran Millanoviç.

Çfarë më ra në sy? Fillimisht himni. U këndua një version gati jazz nga një prej ikonave më të mëdha të muzikës moderne kroate, Josipa Lisac. Ekstravaganca e saj ka qenë përherë e shquar, madje përtej edhe yjeve botërore, por sot si një zonjë e rëndë, si një divë e madhe, me sheshir ngjyrë të kuqe, e veshur jashtë çdo protokolli zyrtar për ceremoni inaugurimi presidenti, interpretoi himnin shoqëruar veç me piano. E përshkruaj këtë sepse nuk janë simbolika të rastësishme. I gjithë ky “modernizëm” apo dhe nuancat jo tipike të mënyrës se si u interpretua himni, pa pompozitetin e madh por me stil tejet të rafinuar, tregon botëkuptimin e politikës dhe frymën që ka presidenti Millanoviç.

Dhe i tillë ishte dhe fjalimi. Para tij qëndronin gjithë zyrtarët e lartë të shtetit kroat dhe ish presidentë, duke përfshirë edhe atë që iku, Kolinda Grabar Kitaroviç, dhe para të cilëve ai do të kumtonte: “Zgjedhjet nuk janë metodë për të gjetur të vërtetën, ose të vërtetën absolute, zgjedhjet janë metodë për të arritur kompromis në mënyrë të qartë mes shumë dëshirave të njerëzve të ndryshëm”.

Fija e modernizmit vihej re në gjithë ligjërimin gati 10 minutësh, përherë u drejtohej edhe “kroateve” dhe “koratëve”. Fliste për një Kroaci të së ardhmes duke përmendur ndër të tjera edhe industritë kreative, por edhe gjithë të tjerët, që nga punëtorët e thjeshtë deri tek akademikët. Foli për patriotizmin, por të rishfaqur me termat e kohës, ku të gjithë të ndihen të barabartë në shtetin ku jetojnë, pavarësisht dallimeve, që nga etnike e deri seksuale, por siç tha, do të punojë që të ndërtojë një vend ku të gjithë të kenë mundësi të zhvillohen dhe përparojnë. Edhe më esenciale, përmendi tre elemente të rëndësishëm të sferës publike si bazë për zhvillim, por dhe masa për të zhdukur dominancën, e ato janë, pavarësia e gjykatave, mediave dhe vini re: Shkenca. Progresiviteti i theksuar shkoi deri atje sa në fund Presidenti i ri kroat Zoran Millanoviç përfundoi fjalimin me këto fjalë: “Kjo është shtëpia për ne, për të gjithë ne, për ata që janë këtu, për gjeneratat që vijnë, për ata që do kthehen në shtëpinë e tyre”. Një fjali mbase kuptimplotë për të përmbyllur fjalimin. Por mediat raportojnë se kjo fjali është marrë nga teksti i këngës së grupit beogradas EKV “Toka”. Kjo këngë, nëse e kontrollon në youtube dhe e njeh gjuhën kroate, fillon me këto fjalë: “Kjo është tokë për ne, kjo është tokë për të gjithë njerëzit tanë, kjo është shtëpi për ne, kjo është shtëpi për të gjithë fëmijët tanë”. Sigurisht edhe ky moment ka simbolikën e tij të madhe. E para tregon se brezi i rock n roll-it e jazz-it po vjen në pushtet, dhe të citosh një grup serb në inaugurimin e një preidenti kroat guximi është i madh, por po aq edhe mesazhi se çfarë mendësie do ta karakterizojë tashmë presidencën kroate.

Por para se të kthehemi tek ne dhe realitetet tona, askush nuk e di nëse Zoran Millanoviç do jetë ose jo një president i mirë, nëse do të ketë sukses ose jo në detyrën e tij. Inaugurimi i tij dhe fjalimi i tij janë veç sihariqe se çfarë lloj politikani mund të jetë. Por mbi të gjitha një reflektim për atë se në detyrë vjen një njeri që e do avangardën. Dhe mbase edhe tek ne po fryn kjo erë. Albin Kurti mund të jetë një shembull i tillë, një rock-er që është kryeministër. Por çdo bëjmë me folkloristët tanë, që janë të mbytur në mendësinë e prapaskenave dhe dyshimeve e të cilët nuk çlirohen dot dhe nuk çlirojnë as hapësirën për këtë frymë moderne të të menduarit, e si rrjedhojë edhe të politikës.

Përshtypja për momentin është se veç interesi është shtysa e madhe për pushtet.

Por, a ndryshohet dot kjo? Ndryshon nëse rritet presioni nga shoqëria, aq civile dhe e pavarur sa është, por edhe nga vetë strukturat partiake që kandidatët të jenë të tjetër lloji e prerjeje. Se nëse e marrim për shembull rastin kroat, pa dyshim që ai është reflektim i një grupi e ideje që e ka rrethuar nëpërmjet njerëzve pranë tij, por edhe tek vetë ai. Ne vazhdimisht biem viktimë e cilësisë në politikë për shkak të asaj që na ofrohet. Më herët e pata shkruar se tani që po hymë në periudhë zgjedhjesh, ja mbase duke u frymëzuar edhe nga rastet që na shfaqen, ka ardhur koha që edhe partitë tona të zgjedhin kandidatë të mençur, të zotë, e me kredibilitet e formim profesional, përtej kalkulimeve të mëhallëve e interesave të vogla të grupeve të interesit brenda partive. Kjo më është domosdoshmëri. Secili subjekt ka me gjasë kriteret e veta se si e bën këtë përzgjedhje kandidatësh, pa ndërhyrë në këtë pjesë, oferta patjetër duhet të jetë dinjitoze. Dhe partitë, lidershipet e tyre e kanë këtë peshë, sepse edhe lista të hapura të kishim, prapë dikush vendos se kush do jetë në ato lista.

Në këtë kontekst është prerigativ, që politikës përveç se folk, e në shumë raste turbo folk, ti jepet jazz. Jo se folklori s’ka vlerë, përkundrazi, është tabani ynë, gjeneza jonë, por ky art duhet të përparojë e të ecë me kohën. Ndodh që ca mesataristë, duke i vënë ca ritme elektronike folkut mendojnë se e modernizojnë atë. Por jo, veç turbo folk e bëjnë. Tani të merremi vesh, jo se s’ka ndjekës edhe kjo gjini, madje shumë, por asnjëherë, ama asnjëherë s’do ketë respekt ose do marrë vlerësime se është risi, e mirë, progresive, apo zbulim. Përkundrazi. Dihet kush janë virtuozët e muzikës, të cilët edhe pse bazën e kanë te folku, kanë dhe vite të tëra edukim, sprova, arritje dhe mbi të gjitha dinjitet. Prandaj i duhet jazz politikës tonë.

Të tjerët janë mashtrues që përdorin teknologjinë për iluzione optike apo më shumë virtuela, se janë me kohën, por boshësia u lexohet aq shumë. Ballkani dhe më gjerë i janë mahnitur Zoran Millanoviçit që filloi detyrën me Josipa Lisac dhe EKV-në. Kjo do t’i binte diçka sikur presidentin ta inauguronte Nexhmie Pagarusha, (tashmë e ndjerë, por e jap si krahasim për zonjëllëkun e rëndë të Josipa Lisac) e mbase presidenti të citonte vargje të “Gjurmëve”, si: “O më trego si të bëhesh hero, në këto kohë pa kohë”, ose “një grimcë ti një grimcë unë, kështu fati e do këtë punë”. Sigurisht gjërat nuk bëhen me kopje, këto zhvillime duhet të jenë të ndjera e me bazë, dhe shembulli im është veç një që më vjen duke e shkruar tekstin. Ideja është megjithatë se modernizmat, idetë, frymën, progresivitetin e kemi dhe mes nesh, veç duhet t’i japim hapësirë.

(Autori asht kolumnist i rregullt i gazetës KOHA ne Maqedoni)

Shperndaje në: