Coronavirusi – Pse njerëzit mbajnë realisht maska ​në ftyrë?

Nga Christos Lynteris “The New York Times”

* Epidemia e fundit e koronavirusit, i ka nxitur njerëzit të përdorin si kurrë më pare maskat e fytyrës. “Bota po përballet me një kaos në tregun e pajisjeve mbrojtëse personale”- paralajmëroi së fundmi Tedros Gebrejesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Kërkesa për to është deri në 100 herë më e lartë se normalja, dhe çmimet janë deri në 20 herë më të larta”- theksoi ai. Dhe kjo ndodh ndonëse maskat e fytyrës, nuk janë një profilaktik i testuar kundër infeksionit nga koronavirusi i ri (larja e duarve është më e rëndësishme, thonë shumica e ekspertëve).

E megjithatë, ne s’duhet ta shikojmë këtë prirje si një shenjë të panikut irracional nga epidemia. Vendoseni pak mbajtjen e maskave në kontekstin historik dhe kulturor, dhe do të shihni që për shembull në Kinë, maska shërben shumë më tepër sesa thjesht si një mjet për të mbrojtur veten nga infeksioni.

Maska është ndërkohë një shenjë e modernitetit mjekësor, si dhe një sinjal i sigurisë së ndërsjellë, që e lejon një shoqëri të vazhdojë të funksionojë edhe gjatë një epidemie. Maska anti-epidemike, u shpik pikërisht në Kinë më shumë se një shekull më parë, gjatë përpjekjes së parë të shtetit kinez për të frenuar një epidemi me mjete biomjekësore.

Kur Murtaja pneumonike, goditi krahinat verilindore të Perandorisë Kineze (një rajon i njohur asokohe si Mançuria) në vjeshtën e vitit 1910, autoritetet kineze hoqën dorë nga kundërshtimi i tyre i vjetër ndaj mjekësisë perëndimore: Ata emëruan Vu Lien, një mjek i ri i shkolluar në Kembrixh nga Malaja Britanike, për të mbikëqyrur përpjekjet e frenimit të epidemisë.

Sapo mbërriti në terren, Vu tha se sëmundja nuk po përhapej nga minjtë, siç ishte supozuar, por përmes ajrit. Edhe pse u quajt një herezi, ajo deklaratë rezultoi të ishte e saktë. Vu e vërtetoi hipotezën e tij, duke përshtatur maskat ekzistuese të kirurgëve në pajisjet mbrojtëse që do të përdoreshin nga mjekët, infermierët dhe stafi sanitar kinez.

Ai urdhëroi që maskat të ishin mbaheshin edhe nga pacientët. Kolegët e tij japonezë dhe evropianë, ishin skeptikë deri në vdekjen e një mjeku të shquar francez, që nuk mbante maskë edhe kur kuronte pacientë. Nga ai moment maskat prej garze, nisën të përdoren gjerësisht.

Murtaja, që shkaktonte pneumoni, i vriste të gjithë të infektuarit, ndonjëherë brenda 24 orëve nga fillimi i simptomave. Kur u zhduk në prillin e vitit 1911, kishin vdekur rreth 60.000 njerëz.

Por maskat e Vu, mendohej se kishin parandaluar një katastrofë edhe më të madhe. Maska nuk ishte thjesht një mjet i efektshëm parandalimi: ajo ishte ndërkohë një mjet i shkëlqyeshëm i PR për të promovuar pozicionin e Kinës si një komb modern, shkencor. Dhe Vu e dinte këtë.

Ai u sigurua që veprimet e tij kundër murtajës, të fotografoheshin me përpikmëri, duke e shndërruan maskën e tij në një emblemë të fashme të Kinës. Fotot shkaktuan një sensacion ndërkombëtar: Midis janarit dhe marsit 1911, gazetat në të gjithë botën shfaqën shumë imazhe të maskës së Vu, që ishte pak a shumë si versioni që njohim sot.

Kur Gripi Spanjoll preku miliona njerëz në vitin 1918, maskat e fytyrës u miratuan me shumë lehtësi. Në Perëndim, përdorimi i maskave nuk zgjati shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por në Kinë, maskat mbetën shenja të modernitetit mjekësor, dhe vazhduan të përdoren gjatë krizave të shëndetit publik.

Ata u përdorën gjatë Luftës Koreane, kur Mao Ce Duni pretendoi se Shtetet e Bashkuara e kishin bombarduar me armë biologjike vendin e ri komunist. Ndërkohë, ishte epidemia e Sarsit e viteve 2002-2003, ajos që çoi në përdorimin masiv të maskave të fytyrës si një mbrojtje personale anti-virale në Kinë dhe gjetkë në Azinë Lindore.

Më shumë se 90 për qind e banorëve të Hong Kongut, raportuan se i përdorën ato gjatë epidemisë së Sarsit. Në Perëndim, imazhi i aziatikëve me maska, përdoret ​​nganjëherë, qëllimisht ose jo, si një shenjë diskriminuese. Por në Azinë Lindore, akti i të vënies së maskës në fytyrë, është një gjest që tregon solidaritet gjatë një epidemie midis të shëndetshmit dhe të sëmurit.

Studime të ndryshme mbi epideminë e Sarsit, treguan se përdorimi i maskës krijonte intimitet dhe besim përballë rrezikut. Ajo që vë në dukje sociologu Peter Baehr për Sars, vlen edhe sot: “Kultura e maskës”, nxit ndjenjën e një fati të përbashkët, të një detyrimi të ndërsjellë dhe të një misioni qytetar.

Ajo bën bashkë njerëzit që përballen me një kërcënim të përbashkët, dhe ndihmon në zbutjen e njërit prej rreziqeve dytësore që vijnë nga një epidemi:anomia, ose prishja e normave shoqërore.

Të kuptuarit e epidemive jo thjesht si ngjarje biologjike, por edhe si procese sociale, është thelbësore për kontrollin e suksesshëm të tyre. Anëtarët e një komuniteti veshin maska, ​​jo vetëm për të shmangur sëmundjen, por edhe ​​për të treguar se duan të rrinë aty, dhe ta përballojnë bashkë sëmundjen, edhe nën rrezikun e infektimit.

Shperndaje në: