A ka marrëveshje të msheftë mes Kurtit dhe AKR’s?!

Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti ende nuk i ka emnue të gjithë zavendësministrat.

Zavendësministra po emnohen njerëz që janë e kanë qenë me funksione mbrenda partive në koalicionin qeverisës LVV-LDK.

Por, Kurti e ka emnnue para pak ditësh nji person që nuk asht pa të ketë librezë partiake, të paktën kohëve të fundit.

Shkrimi:

Pra, ditë më parë, kryeministri Kurti e emëroi Ilir Aliun, zëvendësministër të Financave dhe Transfereve, shkruan lajmi.net.

Ilir Aliu për disa vite rresht ka qenë drejtor gjeneral në Bankën Ekonomike. Shumicën e aksioneve në këtë bankë i ka familja e Behxhet Pacollit.

Nga ana tjetër, gjatë votimit të qeverisë së re në Parlamentin e Kosovës, AKR-ja e ka votuar qeverinë Kurti.

Vesel Makolli, i cili është zëvendëspresident dhe Sekretar i Përgjithshëm i Aleanca Kosova e Re ka thënë për lajmi.net, se nuk është në dijeni nëse ka ndonjë marrëveshje në mes të AKR-së dhe Kurtit.

Ai ka thënë, se Aliu më herët ka qenë në AKR, por jo edhe kohëve të fundit.

“Më herët ka qenë në AKR, po ka disa vite që ai nuk është me në strukturat tona. Aq sa jam në dijeni unë, nuk ka marrëveshje në mes të AKR-së dhe Kurtit për ndonjë bashkëpunim qeverisës”, ka thënë për lajmi.net Makolli.

Lajmi.net ka kërkuar edhe përgjigje nga këshilltari i Behxhet Pacollit, lidhur me atë nëse ka marrëveshje në mes të AKR-së dhe Kurtit dhe se a është ende pjesë e AKR-së, Ilir Aliu, por i njëjti nuk ka dashur të përgjigjet.

Nuk kanë dashur të flasin në Lëvizjen Vetëvendosje e as në Lidhjen Demokratike të Kosovës për këtë çështje, pavarësisht insistimeve të lajmi.net.

Deri më tani, kryeministri Albin Kurti ka emëruar 10 zëvendësministra nga gjithsej 33 sa janë përfolur nga koalicioni qeverisës, nga ta 5 propozime të LDK-së dhe 5 të LVV-së. Të gjithë janë persona qe janë pjesë aktive e dy partive në pushtet. Ndërkohë, Aliu bënë pjesë në listën e LVV-së. Kryeministri Kurti e ka emëruar Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave dhe Transfereve.

Qeveria Kurti ishte votuar me 66 vota pro dhe 10 abstenime. Në mesin e votave pro ishin dy të AKR-së së Behgjet Pacollit.

Këtë e kishte bërë të ditur vet presidenti i AKR-së duke publikuar lajmin në llogarinë e tij ku ka shkruar, se “AKR sapo ka votuar qeverinë e re të Kosovës! Urime të gjithë qytetarëve“. Por, ky status pas disa minutash ishte fshirë dhe nuk figuronte më në murin e llogarisë së Pacollit.

Edhe para votimit të Qeverisë, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, kishte thënë se partia e tij do të votojë pro formimit të qeverisë Kurti.

“Sot do të ketë ndarje. Është propozuar oferta për kryeministër. Dua të besoj në këtë ofertë. Dua të besoj në çdo fjalë që e thatë sot. Nëse njeriu angazhohet shpirtërisht, çdo gjë është e arritshme, por ka një parakusht. Atë që do ta bësh duhet ta duash. Unë besoj se ju e doni këtë. Ne si AKR gjithmonë kemi qenë konstruktiv. Ende s’janë mbyllur proceset themelore të shtetit tonë. Kam qenë i kritikuar pse kam votuar çdo qeveri. Nuk mund të bëj ndryshim, s’mund të ndërrohem as sot dhe dua të mbetem ashtu, i natyrshëm, si gjithmonë. Ne si AKR kemi qenë konstruktivë, prapë do të jemi. Duhet pajtim, urti, energji pozitive, jo urrejtje. Ne s’do ta bëjmë atë që keni bërë ju. Unë dhe njerëzit e mi s’do ta lëshojnë asnjëherë sallën. Dua t’u them se do t’u votoj juve. Të shohim nga e ardhmja”, kishte thënë ai.

AKR-ja ka dy deputetë në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, ndryshe nga AKR-ja, partneri i koalicionit Nisma nuk e kishte votuar Kurtin për kryeministër.

Në anën tjetër, sikur të gjitha partitë në pushtet, edhe AKR-ja ka disa njerëz të vetë në krye të Ndërmarrjeve Publike, institucione këto, për të cilat qeveria e re ka paralajmëruar shkarkime të mëdha. /Lajmi.net/

Shperndaje në: