Fror 1956: Fjalimi i msheftë, që ndryshoi historinë botnore

Nga John Rettie “The Guardian”

Muzika sublime e kompozitorit finlandez Sibelius, po jehonte nga muret e banesës sime në Moskë, teksa Kostja Orlov po më rrëfente historinë e zymtë të Nikita Hrushovit, mbi krimet e turpshme të kryera nga paraardhësi i tij, Josif Stalin.

Fjalimi ishte mbajtur pak më shumë se një javë më pare, në një seancë të fshehtë të Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste Sovjetike. Kjo kishte ndodhur vetëm 3 vjet pas vdekjes së Stalinit, i përcjellë me lot nga shumica e qytetarëve sovjetikë, të cilët e shihnin si një “baba” hyjnor.

Por shumë shpejt, ishte udhëheqësi i tyre i ri që po u thoshte se kishin bërë një gabim të madh:larg nga nga të qenit një hyjnor, Stalini ishte djalli vetë. Drejtuesit që trashëguan partinë nga diktatori, ranë dakord që Hrushovi ta mbante fjalimin vetëm pas disa muajsh debatesh të forta, dhe me kompromisin që ai fjalim të mos publikohej kurrë.

Por pasojat e tij, që sigurisht nuk ishin parashikuar plotësisht nga Hrushovi, e tronditën në themele Bashkimin Sovjetik, por edhe më shumë nga aleatët e tij komunistë, sidomos në Evropën Qendrore. Forcat që ato çliruan, ndryshuan në fund rrjedhën e historisë.

Por në atë kohë, ndikimi tek delegatët ishte më i menjëhershëm. Burimet arkivore sovjetike të hapura pas viteve 1990, tregojnë që shumë delegatë u tronditën aq shumë saqë pësuan sulme në zemër, ndërsa të tjerët kryen vetëvrasje më pas.

Por kur Kostja Orlov, një kontakti im në Moskë, për të cilin tani dyshoj se punonte për KGB-në, më telefonoi atë mbrëmje në fillim të marsit 1956, unë dija pak nga të gjitha këto. Gjatë 10 ditëve të kongresit, një pjesë e vogël e korrespondentëve perëndimorë në Moskë kishin lexuar fjalime që dënonin tërthorazi “kultin e personalitetit”, një term i koduar që nënkuptonte Stalinin. Dritat e godinës së Komitetit Qendror të parties, qëndruan ndezur deri vonë mbrëmjen e 24 shkurtit. Vetëm disa vjet më vonë, u bë e qartë se udhëheqja e partisë, po debatonte ende mbi tekstin e fjalimit që do të mbante Hrushovi të nesërmen në mëngjes në një seancë sekrete.

Në ditët që pasuan diplomatët e shteteve komuniste të Evropës Qendrore, nisën të pëshpëritin se Hrushovi e kishte denoncuar Stalinin në një seancë të fshehtë. Por asnjë detaj nuk po dilte. Unë punoja në atë kohë si korrespodent i dytë i agjencisë Rojter në Moskë për Sidni Veiland. Ai u përpoq t’i niste Londrës një raportim të shkurtër të kësaj ngjarje.

Por siç mund të pritej, censuruesit e kishin cunguar atë. Pastaj, një natë para se të nisesha me pushime në Stokholm, Orlov më telefonoi:”Dua t’ju takoj para se të ikni!”. Orlov më dha një përshkrim të hollësishëm të akuzës së Hrushovit:që Stalini ishte një tiran, një vrasës dhe torturues i anëtarëve të partisë.

Ai nuk kishte shënime, dhe aq më pak një tekst të fjalimit. A mund t’i zija besë? Historia e tij përshtatej paksa me atë që dinim tashmë, por detajet që më tha ishin aq befasuese sa që dukeshin të pabesueshme. Sot është e lehtë të mendosh se të gjithë e dinin që Stalini ishte një tiran, por në atë kohë këtë në BRSS e besonte vetëm një pakicë fatkeqe.

“Nëse nuk e publikoni këtë, atëherë jeni një hiç!” më tha ai. Kjo dukej si një sfidë e qartë për të thyer censurën, diçka që asnjë gazetar nuk kishte bërë që nga vitet 1930, kur korrespondentët perëndimorë shkonin shpesh në Riga, kryeqytetin e Letonisë ende të pavarur, për të raportuar historitë e tyre.

Mora në telefon Veiland dhe lashë të takoheshim në qendër të qytetit, pasi aty nuk kishte përgjues. Pasi analizuam gjithçka, vendosëm t’i besojmë Orlovit. Mëngjesin tjetër, udhëtova për në Stokholm, nga ku telefonova shefin e redaksisë në Londër. Këmbëgula që emri im të mos publikohej në asnjë nga shkrimet, pasi nuk doja të akuzohesha për shkelje të censurës kur të kthehesha në Moskë.

Në Moskë, gjithçka vazhdoi si më parë. Gjatë verës së vitit 1956, triumfoi linja e Hrushovit dhe moskovitët u qetësuan edhe më shumë. Por në Evropën Qendrore, ndikimi i fjalimit po rritej. Në vjeshtë Polonia ishte gati të shpërthente në revoltë, ndërsa në Hungari një revolucion antikomunist rrëzoi partinë dhe qeverinë staliniste, duke i zëvendësuar me reformistin jetëshkurtër Imre Nagi.

Në Moskë, udhëheqja sovjetike u zhyt në kaos. Anastas Mikojani, krahu i djathtë i Hrushovit, kishte kërkuar vazhdimisht reforma më të mëdha. Ai qëndroi disa ditë në Budapest në përpjekje për të shpëtuar regjimin e Nagit, por pa sukses. Në fund, fituan komunistët e vijës së ashpër, që këmbëngulën se për arsye sigurie, Bashkimi Sovjetik nuk mund të lejonte një vend fqinj të largohej nga Pakti i Varshavës.

Në Perëndim, ndikimi i fjalimit ishte i madh pas botimit të tekstit të plotë, edhe pse me disa redaktime në “The Observer” dhe “The New York Times”. Edhe sekretarët lokalë të partive që ua lexonin anëtarëve, duhej t’i kthenin tekstet e tyre brenda 36 orësh.

Sipas biografit të Hrushovit, Uilliam Taubman, teksti i plotë i fjalimit u publikua në Poloni, ku, ashtu si për aleatët e tjerë komunistë të Evropës Qendrore, Moska kishte dërguar një kopje të redaktuar. Në Varshavë, punonjësit e shtypkronjave e morën me vete në shtëpi, duke e shtypur në fshehtësi mijëra kopje më shumë se sa ishin të autorizuar.

Njëra prej tyre ra në duart e inteligjencës izraelite, që ia kaloi në prill CIA-s. Disa javë më vonë CIA ia dha gazetës “The New York Times”. Hrushovi u trondit nga zhvillimet. Kundërshtarët e tij fituan terren, dhe në majin e vitit 1957 ndërmorrën një akt për ta larguar nga drejtimi i partisë. Kur shumica në Presidiumin e Komitetit Qendror (Byroja Politike) votoi shkarkimin e tij, ishte vetëm veprimi i tij i shpejtë i mbledhjes së gjithë trupës së Komitetit Qendror, ai që i dha shumicën dhe e shpëtoi.

Ata që humbën pozitat ishin kundërshtarët e tij, sidomos veteranët Vjaçesllav Molotov dhe Lazar Kaganoviç. Por 7 vjet më vonë, konservatorët arritën ta largojnë atë. Pasuan 20 vitet e Leonid Brezhnevit, gjatë së cilit ora u kthye pas, në mos në një stalinizëm në shkallë të plotë, të paktën në një pjesë të tipareve të tij.

Por pati komunistë që nuk e harruan kurrë Hrushovin, dhe veçanërisht “fjalimin e tij të fshehtë”. Njëri prej tyre ishte Mikail Gorbaçov, që në vitin 1956 ishte student në Universitetin e Moskës. Kur u ngjit në pushtet në vitin 1985, ai ishte i vendosur të vijonte punën e Hrushovit për reformimin e Bashkimit Sovjetik dhe hapjen e tij në pjesën tjetër të botës.

“Fjalimi i fshehtë” i Hrushovit, ishte më i rëndësishmi i shekullit XX-të, pasi ai mbollin “farën” që shkaktoi në fund shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik.

Shperndaje në: