Coronavirus’i – Së bashku kemi me ja dalë!

Nga António Guterres “Corriere Della Sera”

Shqetësimi i shkaktuar nga COVID-19, na prek të gjithëve. Shumë njerëz janë në ankth, tejet të shqetësuar, dhe në konfuzion. Dhe kjo gjë është tërësisht e natyrshme. Ne jemi duke u përballur me një kërcënim të paparë ndaj shëndetit tonë në këto dekadat e fundit.

Ndërkohë, koronavirusi vazhdon që të përhapet, rreziku rritet, dhe sistemet shëndetësore, ekonomitë dhe jeta jonë e përditshme janë vënë përballë një prove të vështirë. Më të brishtët në aspektin shëndetësor, janë edhe më të prekurit.

Në mënyrë të veçantë të moshuarit tanë, dhe të tjerët që vuajnë nga sëmundje kronike, ata që nuk kanë qasje në shërbime shëndetësore të besueshme, dhe ata që jetojnë në varfëri, apo gjithsesi në kushte jetese të pasigurta.

Efektet ekonomike dhe sociale, të kombinimit të pandemisë së koronavirusit dhe ngadalësimit të ecurisë ekonomike, do të zgjasin me muaj. Por virusi do të arrijë herët a vonë kulmin e vet, dhe më pas do të nisë të zhduket. Dhe atëherë ekonomitë tona, do të nisin të rimarrin veten. Por deri në atë momënt, ne duhet që të veprojmë bashku për të ngadalësuar përhapjen e këtij virusi të rrezijshëm, dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin.

Ky është momenti i maturisë, dhe jo i panikut. I shkencës, dhe jo i stigmës ndaj tjetrit. Është momenti i fakteve, dhe jo i frikës. Edhe pse situata është klasifikuar zyrtarisht si një pandemic nga OBSH-ja, ne jemi në gjendje që ta kontrollojmë atë.

Ne kemi mundësi që të ngadalësojmë transmetimin e saj, të parandalojmë infektimet e reja,
dhe të shpëtojmë shumë jetë njerëzish. Por kjo gjë do të kërkojë përpjekje të pashembullta personale, kombëtare dhe ndërkombëtare. COVID-19 është armiku ynë i përbashkët, të cilit duhet t’i shpallim luftë.

Kjo do të thotë se shtetet, kanë një përgjegjësi për t’u mobilizuar, përgatitur dhe intensifikuar veprimet e tyre. Po në ç’mënyrë? Duke zbatuar strategji efektive të kontrollit; përmes aktivizimit dhe përmirësimit të sistemeve të reagimit emergjent; dhe rritjes së ndjeshme të kapacitetit të testimit dhe kurimit; vënies në gatishmëri të strukturave spitalore, për të siguruar që ato të kenë hapësirën, burimet dhe stafin e nevojshëm, për të bërë ndërhyrje mjekësore që mund të shpëtojnë jetë njerëzish.

Ndërkohë, të gjithë ne të tjerët kemi një përgjegjësi:të ndjekim këshillat e mjekëve, dhe të zbatojmë hapat e thjeshtë dhe konkretë të rekomanduara nga autoritetet shëndetësore. Përveçse është një krizë e shëndetit publik, koronavirusi po e “infekton” rëndë ekonominë globale.

Tregjet financiare, janë goditur rëndë nga pasiguria. Zinxhirët e furnizimit botëror, janë destabilizuar. Kërkesa për investime dhe konsum ka rënë, me një rrezik real në rritje të një recesioni global. Ekonomistët e Kombeve të Bashkuara, vlerësojnë se virusi mund t’i kushtojë ekonomisë globale të paktën 1 trilion dollarë këtë vit, dhe ndoshta edhe më shumë.

Asnjë vend nuk mund t’ja dalë i vetëm në këtë situatë. Tani më shumë se kurrë më parë, qeveritë kombëtare duhet që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për të rigjallëruar ekonomitë, shtuar investimet publike, mbështetur tregtinë, garantuar mbështetje financiare që të synojë në veçanti njerëzit dhe komunitetet më të prekura nga koronavirusi, apo ata që janë më të brishtë ndaj ndikimeve negative ekonomike, përfshirë gratë që shpesh përfitojnë një asistencë më të vogël sociale sesa burrat.

Një pandemi, nxjerr në pah ndërlidhjen thelbësore që ekziston në mesin e familjes sonë të madhe njerëzore. Parandalimi i përhapjes së mëtejshme të COVID-19, është një përgjegjësi e përbashkët për të gjithë ne. Organizata e Kombeve të Bashkuara, dhe veçanërisht Organizata Botërore e Shëndetit, janë tërësisht të mobilizuara.

Si pjesë e familjes sonë njerëzore, ne jemi duke punuar pa u lodhur me qeveritë, duke siguruar udhëzime ndërkombëtare, dhe duke e ndihmuar botën që të përballet me këtë kërcënim. Jemi që të gjithë të përfshirë në këtë luftë, dhe të gjithë do t’ja dalim që ta fitojmë atë.

Shënim: António Guterres, asht Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkueme.

Shperndaje në: