Ata që kanë qejf të dalin si viktima, viktima do të jenë. Por viktima të egos së tyre për pushtet. Jo viktima për Kosovën. Heronj kurrën e kurrës!

Në garë për të qenë viktima!

23 Marsit i 1989 u hoqi autonominë, 24 Marsi i 1999 u ktheu lirinë, ndërsa 25 Marsi i 2020 u vulosi papërgjegjësinë që ata kanë për Kosovën. Ata që kanë qejf të dalin si vitkima nga kjo histori viktima do të jenë. Por viktima të egos së tyre për pushtet. Jo viktima për Kosovën. Heronjë kurrën e kurrës!

 

Mero Baze

Qeveria e Kosovës, mund të humbas sot votbesimin në parlament, pas një mocioni nga partneri i saj kryesor, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila u ndje e papërfillur nga kryeministri Albin Kurti, pas shkarkimit pa konsultim të Ministrit të Brendshëm. Pas kësaj, Kryeministri Kurti e thelloi krizën, duke mbajtur dhe mbledhjet e qeverisë pa prezencën e LDK, siç ishte rasti i heqjes së taksës me Serbinë, çka nënkuptonte një akt ndarje de-facto të qeverisë.

Por pavarësisht kësaj, LDK ka pasur një propozim paqeje, që fillimisht u deklarua nga Isa Mustafa, para mocionit dhe sot gjatë mbledhjes së Kuvendit, nga Ministri i Mbrojtjes Anton Çuni. Ai kërkoi tërheqjen e vendimit për shkarkimin e Agim Veliut dhe rikthim të normalitetit në qeverisje.

Vetvendosja nuk e pranoi ofertën, duke u këkruar që nëse ka vullnet, të shprehet me votë, duke tentuar ti poshtëroj përsëri pa marrëveshje.

Kjo nënkupton fundin e qeverisë, të cilën me sa duket e duan të gjithë.

I pari e do Albin Kurti. Ai jo vetëm që e do, por e prodhoi me gjakftohtësi këtë skenar, ku i vuri partnerët në qeveri para zgjedhjes: O të ulin kokën e ti binden atij, ose të marrin përgjegjësinë e prishjes qeverisë në mes të epidimesë. Një veprim tipik populist, një kalkulimi mizor, I papërgjegjshëm dhe i lig, i ngjashëm me ato që kanë bërë nacional-socialistët gjermanë në vitet 20 të shekullit kaluar dhe shokët e tyre në Itali në rrugëtimin drejt pushtetit të plotë me “metoda demokratike”.

Albin Kurti provoi që shkarkimi i Veliut ishte një mekanizëm i menduar krize dhe jo ndonjë problem personal i shkaktuar nga keqkomunikimi me të, apo nga përdorimi i tij prej kundërshtarëve. Nëse do ishte kështu, ai do ta kishte tejkaluar dhe do ta rikthente pas ofertës së LDK për paqe. Por për Albin Kurtin mustaqet e Agim Veliut, vlejnë më shumë se kriza e epidemisë dhe shkatërimi I Kosovës. Dmth ai vdekjen e Kosovës e pranon e Agim Veliun nuk e ripranon në qeveri. Kjo është mizore.

Dhe e keqja nuk ndalet këtu. E keqja është se pas kësaj mizorie Albin Kurti, kërkon të marrë dhe rolin e viktimës në këtë histori. Duke tentuar të viktimizohet, ai shpreson se shpëton nga përgjegjësia e përballjes me epideminë e koronavirusit dhe është I shlodhur deri në zgjedhjet e rradhës të pres përsëri postin e kryemisntrit me “marshimin mbi Romë”. 

Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu po kërkon pa mundim si gjithmonë, rolin e viktimës. Eshtë e vërtet që ajo u fye dhe u tentua të poshtërohet nga Albin Kurti, duke e trajtuar si parti që ka gjithësej një deputet, e jo si partner që ka veç një deputet më pak se Albin Kurti, por dhe ajo dukej sikur mezi e kishte pritur këtë histori. Ky zhvillim duket se do prodhojë një ndarje të re të lehtë brenda saj, duke humbur mbretereshën e fushatës elektorale Vjosa Osmani, e cila tani po sillet më shumë si nënkryetare e VV, se sa e LDK. 

Por LDK kishte shans të shmangte viktimizimin që i bëri Kurti, duke tentuar ta detyronte atë të gëlltiste vendimin që kishte marrë.

Por duket se LDK di ta bëj më mirë se kushdo tjetër rolin e viktimës dhe e bëri. Kurti lutej që ajo mos ti bënte presion, ajo lutej që Kurti të mos pranonte pazar. Kjo shihej qartë sot dhe në Kuvend në pëprjekjet e sinqerta por vetmitare të Anton Çunit.  Tani ngelet të shihet, sa zotësi do të ketë ta përdor këtë rol.

Presidenti Hashim Thaçi edhe pse është në qendër të teorive konspirative për këto zhvillime, po bën kujdes të paraqitet si viktimë e një problemi të brendëshëm të koalicionit. Partia e tij është jashtë këtij debati, por ai personalisht po viktimizohet nga Albin Kurti, si ideator i këtij zhvillimi, për shkak të marrëveshjes Serbi Kosovë nën presionin e SHBA. Qesharake është se Albin Kurti nuk është kundër marrveshjes, por ësht ëkundër Hashim Thaçit si mbartës i përgjegjësive të Presidentit në këto bisedime. Thjesht do të jetë në vend të atij. Dhe për këtë po pëpriqet të provokoj një ndarje mes SHBA e Evropës në këtë histori, me qëllim që bisedimet të dështojnë, çka do të jetë gjëja më e pasigurt për të ardhmen e kosovës.

E vërteta është që Hashim Thaçi është partneri kryesor në bisedimet e drejtura nga SHBA, ndërsa Kurti po kërkon reltivizimin e rolit të tij. Këtë o e bën dhe metoda të ulta,  duke bërë akuza të rënda pa asnjë fakt, për ndarje të Kosovës apo shkëmbime territoresh që fyejnë rënd SHBA, ndërkohë që ai është kryeministër dhe nëse ka gjëra të tilla, ai mund ti bëj publike. Nëse nuk ka, ai thjesht po e viktimizon dhe Hashim Thaçin duke ja hequr dhe atij ndonjë kusur që ka në këtë histori, vetëm se do të largohet nga kryeministër si “viktimë” e një komploti amerikan kundër Kosovës. Kurrë se ka thënë këtë gjë për Rusinë.

Debati i sotëm në Kosovë ku të gjithë kanë qëllim të dalin nga salla e Kuvendit si viktima, është shenjë e fort e paburrërisë për ti dal zot vendit në ditët e tij më të vështira dhe për të qarë para shqiptarëve për hallet e tyre dhe jo për hallet e qytetarëve. 

Ideja se duke dal si viktima nga ky debat, qytetarët do ti mëshirojnë, është një naivitet që do prodhojë më shumë urrejtje se sa mëshirë. 

E vetmja viktimë në këtë histori është Kosova dhe të vetmit përgjegjës janë aty në atë sallë. 

I pari është Albin Kurti, që e provokoi këtë krizë me vetdije dhe mezi pret të ik. Pas tij  dhe të tjerët që u kujdesën secili për pjesën e vet të viktimës. 

Kjo është e vetmja gjë që do mbahet mend në historinë e re të Kosovës. 23 Marsit i 1989 u hoqi autonominë, 24 Marsi i 1999 u ktheu lirinë, ndërsa 25 Marsi i 2020 u vulosi papërgjegjësinë që ata kanë për Kosovën. Ata që kanë qejf të dalin si viktima nga kjo histori viktima do të jenë. Por viktima të egos së tyre për pushtet. Jo viktima për Kosovën. Heronjë kurrën e kurrës!/Tema

Shperndaje në: