Deputetja e PDK’s e pyet Vjosa Osmanin pse s’po e publikon këtë fakt

Deputetja e PDK’s, Blerta Deliu, ka kërkue nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin, që me sqarue se pse nuk janë publikue ende votat e dhana në seancën për mocionin ndaj qeverisë Kurti.

Shkrimi i saj:

Kryetarja e Kuvendit, e cila ka drejtuar seancën për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, por edhe sekretaria e Kuvendit dhe grupet parlamentare, duhet të kërkojnë sqarim pse ende në publik nuk është sqaruar saktë numri i votave të dhëna për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë.

Si pasojë e gabimeve teknike nga ana e regjisë me rastin e votimit të mocionit, por mbase edhe për faj të tendenciozitetit politik, numri i votave të dhëna nga parlamenti për rrëzimin e qeverisë është raportuar 82 ndërkohë që duhet të ishte më i madh.

Nga mungesa e përmirësimit të procesverbalit me të dhënat e sakta, edhe sot në opinion po manipulohet me numrin e deputetëve mbështetës të mocionit duke deklaruar se ishte 82.

Kujtoj këtu se pjesëmarrës të shpallur në seancë ishin 117 deputet nga të cilët abstenues ishte 1 deputet dhe votat kundër mocionit ishin 32 (duke përfshirë këtu Osmanin dhe dy deputetët e saj brenda LDK-së). Kjo do të thotë se votat për rrëzimin e qeverisë duhet të kenë qenë së paku 84 e jo 82 sikurse u raportua.

Kjo neglizhencë përbën shkelje të rëndë të vullnetit të deputetit dhe detyrimeve kushtetuese nga ana e drejtuesit/drejtuesës së Kuvendit. Numri i saktë i votave mund të gjendet lehtë duke shqyrtuar xhirimet televizive të momentit të votimit por edhe duke u konsultuar me drejtuesit e grupeve parlamentare të cilët raportojnë saktë vullnetin e pjesëtarëve përkatës.

Kryetarja e Kuvendit duhet ta obligojë sa më parë sekretariatin ta përmirësojë procesverbalin dhe të ofrohen të dhënat e sakta mbi mbarëvajtjen e seancës për votimin mocionit të mosmbesimit ndaj Qeverisë.

Shperndaje në: