Veseli jep nji lajm për pakon e propozueme nga PDK

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizitue sot nji fabrikë kosovare e cila edhe në këtë kohë pandemie nuk e ka ndalë prodhimin e produkteve ushqimore.

Lideri i PDK’s gjatë vizitës në fabrikën “Elkos” në Pejë shpalosi pakon e rimëkambjes ekonomike që e ka propozue PDK e që kap shifrën prej 320 milionë euro.

Gjatë bashkëbisedimit me pronarin Ramiz Kelmendi, Veseli tha se pako e propozueme e cila vazhdon me mbetë në procedura parlamentare ka me i ndihmue 280 mijë punëtorë të sektorit privat si dhe mija biznise.

Ai i bani thirrje kryetares së Kuvendit që me procedue shpejt në seancë pakon e rimëkëmbjes ekonomike që ka propozue PDK.

“Nuk janë gjithë ndërmarrësit si Ramiz Kelmendi. Sektori i shërbimeve, sektori i hotelie risë, nuk ka mundësi të paguajë qiranë, nuk ka mundësi të paguajë punëtorët, kredinë. Po flas për 280 mijë punonjës të sektorit privat të cilat kanë nevojë emergjente që Qeveria e Kosovës të reagojë sa më shpejt që të mbajë këto familje mos t’i kthejë në asistencë sociale në mënyrë që ata pas tre muajve të jenë ata që po ashtu mbushin arkën e shtetit, të cilët e mbajnë ekonominë e Kosovës dhe të cilët e mbajnë mirëqenien po ashtu”, tha Veseli.

“Pakoja nuk është tërhequr dhe nuk do të tërhiqet asnjëherë. Si Parti Demokratike do ta shtyjmë fuqishëm. Për fat nuk patëm përkrahjen në seancën e jashtëzakonshme. Donim ta kryenim të martën për një ditë, por tani do të shkojmë në procedura të rregullta. Thërras qeverinë e Kosovës të reflektojë ndaj kësaj situate, thërras edhe kryetaren e Kuvendit ta vejë në rend të ditës javën e ardhshme në mënyrë që ta kalojmë pakon e cila duhet të na bashkojë e jo të na ndajë”, shtoi Veseli.

Shperndaje në: